E tani? Vetëm një gjë nuk guxon të ndodhë: që të sillemi sikur me kaq iu vu kapaku tenxheres së rrenave dhe manipulimit nga ana e PDK-së.
Jo, tash duhet të nisë largimi nga pushteti i kësaj partie që nga Kosova e dëbon edhe dinjitetin elementar njerëzor, edhe turpin, edhe fijet e fundit të së vërtetës.
Nga Enver Robelli
Dje PDK nisi shfaqjen e një emisioni me titullin: «24 orë rrena me deputeten e PDK-së». Zonja jofisnike doli e tha: kam unë disa dëshmi, disa fotografi, dhe – hop! – ngriti me dorën e saj një fotografi dhe me atë rast ajo dukej si një boksiere që ka fituar një ndeshje. Tha se në fotografi po shihen serbë me uniforma duke dhunuar një grua shqiptare. Pastaj në foltore nxori edhe një fotografi të dytë, por para se të bënte këtë pëshpëriti diçka me shefin e saj në parti dhe kryetarin e parlamentit.
Ndërsa tronditja në opinion po zgjerohej e thellohej, deputetja me sigurinë e një të shkalluare, nguli këmbë: fotografinë, tha ajo, e kam publikuar me lejen e familjes. Tha se e kishte marrë nga dikush në vitin 2003/04. Tha çfarë nuk tha. Ishte një emision i gjatë. I rrenave. Kur presioni i publikut u bë i madh, i pari që e la në baltë ishte shefi i saj. Ai tha se edhe nëse nuk është e vërtetë fotografia, Serbia ka kryer krime. Kështu tingëllojnë poezitë satirike të këtij personi pa fije vetëdijeje se çka domethënë të luash me dinjitetin e njerëzve – të gjallëve dhe të vdekurve. Siç e keqpërdorën dje, ashtu e kanë përdorur dhe keqpërdorur këtë grua qe sa vite këta të PDK-së. Për shembull për të udhëhequr seanca parlamenti me qëllim të bllokimit të punës për aq kohë sa vendimet nuk shkonin në favor të PDK-së. I ka bërë ajo poshtërsitë me vullnetin e saj. Shpresojmë të jetë e fundit kjo që bëri në 24 orët e fundit.
Sot, kur më në fund drejtësia e ballafaqoi me pyetje të pakëndshme, ajo tha se nuk e ka verifikuar fotografinë. E familja ku na mbeti? A nuk tha dje se po e publikonte fotografinë me leje të familjes? Cilës familje? A është kjo fotografi nga Kosova apo nga qytetet irakiane Naxhaf, Falluxha, Bakuba, apo Qerbelaja? Tha se shefi i saj nuk ka qenë në dijeni për idenë e saj për të prezantuar fotografinë, por opinioni duhet ta kuptojë të kundërtën. Tha se fotografinë e ka marrë nga një ish-deputete e LDK-së, por kjo e fundit e demantoi menjëherë. I tha direkt: po rren, zonjë jofisnike. Por modeli është interesant këtu: kjo kastë shpifarakësh të PDK-së edhe për skandalet e veta e njollos LDK-në, e cila ka «merita» të mëdha për këtë gjendje në të cilën është katandisur Kosova. Përse heshtin për këtë skandal këta djemtë e PDK-së që çdo ditë shurdhojnë opinionin me gjoja qasjen e tyre moderne në politikë? Këta janë më të pamoralshëm se shefat e tyre nëse vazhdojnë të heshtin. Sa për prurjet e reja – një skëterrë. Në këso ngjarjesh shihet shumë mirë sa kushton morali i një njeriu që shtiret si parimor – sa një premtim bosh për të përfituar diçka nga sistemi i kalbur.
Kjo poshtërsi e PDK-së nuk duhet të marrë fund me vetëm një bisedë në prokurori. Tani vetëm një gjë nuk guxon të ndodhë: që të sillemi sikur me kaq iu vu kapaku tenxheres së rrenave dhe manipulimeve nga ana e PDK-së. Jo, tash duhet të nisë largimi nga pushteti i kësaj partie që nga Kosova e dëbon edhe dinjitetin elementar njerëzor, edhe turpin, edhe fijet e fundit të së vërtetës.
Zonja jofisnike e pranoi se u shfaq në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe e terrorizoi opinionin me një fotografi filmash. Shefi i saj, i trembur si lepur që dështoi një sajesë e radhës e nëntokës, tha me gjakftohtësi mizore se duhet ta kalojmë këtë shqetësim «me besim». Me besim ndaj kujt? Besim ndaj mashtruesve ordinerë? E tani? Tani t’i kthehemi përditshmërisë? Llafeve për arushën dhe fierin e njomë në malet e Kosovës? Ky terror psikik ndaj viktimave dhe ndaj opinionit nuk duhet të kalojë pa konsekuenca. Tregtarja e fotografive duhet të largohet menjëherë nga parlamenti. Partia e saj duhet t’i kërkojë falje opinionit. Shefi i kësaj partie të zhytur në moçal duhet të kërkojë falje dhe të mos vazhdojë talljen me opinionin dhe keqpërdorimin e vuajtjes së viktimave për interesat e tij komerciale-politike.
Kosovës i është bërë një dëm i madh. Një dëm që me këso barbarie ndoshta vetëm propaganda serbe apo ruse do të ishte në gjendje t’ia bënte po të kishte mundësi. Ky dëm është atak edhe ndaj Kongresit Amerikan që para pak ditësh organizoi një dëshmi për krimet e Beogradit në Kosovë. Kjo poshtërsi nuk duhet të kalojë me dy llafe nga një gojë e ndyrë, nuk duhet të kalojë me deklarata bajate të pushtetarëve të papërgjegjshëm. Koha është për revoltë paqësore qytetare!
Sepse këta nuk ndalen. A ju kujtohet fundi i vitit 2008? Atëherë në Prishtinë u arrestuan tre agjentë gjermanë, u nxorën para mediave si trofe lufte dhe pa ndonjë dëshmi u akuzuan se kanë sulmuar selinë e Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO).
Kur presioni nga Gjermania u rrit, befas një organizatë e panjohur, njëfarë AKSH-je e krijuar në ndonjë kompjuter Commodore 64, mori përgjegjësinë për sulmin. Gjermanët u liruan dhe dështoi plani që atyre t’u ngarkohej faji për vrasjen e komandant Drinit në Prizren.
A ju kujtohen trazirat e marsit të vitit 2004? Kur një raportim joprofesional medial u bë shkas për një shpërthim dhune kudo në Kosovë. Propaganda serbe edhe sot i prezanton fotografitë e shqiptarëve të dalldisur që djegin kisha e shtëpi të pakicës serbe.
Emisioni «24 orë rrena me deputeten e PDK-së» do të jetë një burim i pashtershëm për propagandën serbe. Pse jo kur në Kosovë ka parti që më shumë e kanë vendin në koleksionin e rrëfimeve të baronit të rrenave Ernst von Münchhausen se sa në parlament. Baroni Münchhausen gënjen se fluturon me një gjyle topi. Është rrenë kreative për argëtimin e publikut. Ndërsa rrena e deputetes F.B. ishte mizore.(dp)