Nga Andi Bushati
Në stilin e tij të zakonshëm, që kur e pyet “për lopët e racës, ai ta kthen për luftën në Vietnam”, Edi Rama është përpjekur ta shpjegojë raportin e Freedom House, për rënien e nivelit të demokracisë, duke bërë përgjegjëse opozitën.
Sipas kryeministrit, ne mund të ishim renditur edhe më keq në klasifikimin e vendeve me tendenca autoritariste, nëse plani i PD-LSI për të djegur vendin do ti’a kishte arritur qëllimit.
Pra thënë shkurt, fakti se klasifikohemi mes demokracive hibride, se bëjmë pjesë mes atyre shteteve ku udhëheqësit po heqin dorë edhe nga fasada demokratike, se autokrati i Tiranës barabitet njësoj me Vuçiçin, Gjukanoviçin apo Viktor Orbanin, është ekskluzivisht një mëkat i Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit, të cilët dogjën mandatet, bojkotuan zgjedhjet lokale dhe organizuan një maratonë protestash shpesh herë të dhunëshme në pranverën e kaluar.
Natyrisht, ngjarje të tilla jo të zakonta, patjetër që luajnë një rol në gjykimin e përgjithshëm që i bëhet nivelit të demokracisë në vend. Por, po të vrasësh pak mendjen e kupton se përpara se të shihen si shkaqe të regresit, ato janë thjeshtë pasoja të gjendjes reale.
Dhe këtë e vërteton më së miri qoftë historia botërore, që pothuajse nuk njeh raste kur opozita çmendet, ndonëse ka përpara një “pushtet ëngjëllor”, qoftë edhe ajo që shkruhet në raportin e fundit të Freedom House. Aty theksohet shprehimisht se në shumë vende “nga Tirana në Tbilisi, ata që janë në pushtet, nuk janë të interesuar që ta bëjnë parlamentin një mjedis ku diskutohet”.
Eshtë mëse e qartë se veprimet ekstreme të pakicës, edhe tek ne ashtu sikurse kudo, rrjedhin si rezultat i arrogancës dhe dhunës së një pushteti aspak demokratik.
Por le të abstragojmë për një moment, sikur ajo që thotë kryeministri është e vërtetë. Le të budallepsemi dhe të besojmë që jetojmë në atë kopësht shkëmbor të Europës juglindore ku na ka rënë për pjesë një opozitë e çmedur, që ndiqet pas, nga pothuajse nga gjysma e elektoratit, gjithashtu tërësisht e marrë, të cilët po shkatërrojnë imazhin e përbashkët. Pra, le të mendojmë se leva për të na renditur mes demokracive apo autokracive qenkësh në duart e opozitës, se po të kishte heshtur, po të rinte ulur në parlament, po të bëhej pjesë e zgjedhjeve farsë, ne do të na klasifikonin si një regjim perfekt.
Por, edhe po të xhonglojmë kaq rëndë me logjikën tonë, sërisht ka diçka që kërcet.
Sepse imazhi vendit sot nuk është nxirë vetëm nga parlamenti monist, pushteti lokal një partiak dhe demostratat me molotov poshtë kryeministrisë.
Ne jemi ende i vetmi shtet ‘demokratik” i rruzullit pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë. Ne jemi unik në llojin tonë, se pasi kemi rafshuar çdo institucion të pavarur (përfshirë edhe Kontrollin e shtetit) kemi nisur edhe procedurë për shkarkimin e presidentit. Ne jemi një vend ku sipas raportit të “Reprorters sans Frontieres” liria e shtypit bën përditë e më shumë hapa pas. Ne jemi një vend, ku ligjet autokratike kundër mediave, i kthen mrapsht Këshilli i Europës dhe Komisioni i Venecias.
Dhe sado që të fajësojmë opozitën për mëkatet e saj, çdo kush e kupton se ne po rëshkasim përditë drejt një regjimi personal që varet vetëm nga vullneti i keq i atij që kemi në krye.
Dhe për të mësuar këtë më shumë sesa sa të lexojmë raportin e Freedom House, mjafton të shikojmë ecurinë e pandemisë së koronavirusit. Kjo krizë shëndetësore më shumë se gjithçka na tregoi se jetojmë një një vend ku bashkë me kryeministrin kemi marrë bonus edhe kryeinfektologun edhe kryeredaktorin edhe kryepolicin edhe kryepsikologun dhe kryeparukierin edhe kryetaksistin edhe kryetenderuesin.
Për tu bindur për këtë, le të hapim çdo mbrëmje ekranet, ku shefi i qeverisë rivalizon fort me Dr Pëllumb Piperon, jo se ky i fundit thotë gjëra që si pëlqejnë, por thjeshtë se i vjedh një pjesë të audiencëës.
Pra mjafton të bëjmë një bilanc të këtyre dy muajve izolim, mjafton një ditë detoks prej trushplarjes që na bëhet nga ERTV, për të kuptuar se sa absurde është përpjekja për të debatuar lidhur me rolin shkatërrimtar të opozitës në demokracinë e vendit.
Sepse, si qëndron e vërteta, më shumë sesa nga raportet ndërkombëtare, e marrim vesh përmes atij që na hyn përdhunshëm, çdo mbrëmje, në shtëpi, përmes ekranit./lapsi.al