SPAK do çojë pas hekurave ish-kryeministra, ish-ministra e deputetë, do hapen dosjet e 20 viteve të fundit

Aktualitet Sociale

Reforma në drejtësi dhe sidomos ngritja e organeve të reja të drejtësisë kanë qenë disa nga temat për të cilat ka folur Ish-kryetari i Shoqatës së Prokurorëve, njëherësh Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit Qendror të Republikës së Shqipërisë, Shkëlqim Hajdari.

Ky i fundit gjatë një interviste për gazetën “Sot”, shprehu bindjen se implementimi i reformës në drejtësi në Shqipëri është një histori suksesi. Sipas tij me ngritjen e SPAK do të nisë një frymë e re në luftën kundër korrupsionit, pasi mund të hetohen nga ish-kryeministra te deputetë.

Nga ana tjetër ai ka treguar dhe rrugën që do të ndiqet për dosjet e bujshme që janë mbyllur ndër vite. Sipas tij, çdo dosje e 20 viteve të fundit që nuk ka shkuar në gjykatë mund të rihapet. Po ashtu Hajdari ka dhënë detaje dhe për organizimin dhe reformat e Inspektoratit që drejton.

 

 

 

-Zoti Hajdari ju keni pasur një karrierë të gjatë në prokurori. Si e shihni ecurinë e reformës në drejtësi? A mund të quhet e suksesshme?

Reforma në drejtësi po implementohet. Suksesin e parë do ta marrim për pjesën e prokurorisë, sepse siç jeni në dijeni javën që shkoi u zgjodh Prokurori i Përgjithshëm, me një procedurë transparente, me konkurrim. Ndërkohë, është hapur gara për drejtuesin e përkohshëm të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, pasi pritet që brenda këtij muaji të zgjidhet drejtuesi i kësaj prokurorie. Më pas drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme në bazë të kompetencave që ka i lind e drejta të kërkojë komandimin e dy prokurorëve që nuk janë pjesë e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, duke i komanduar dhe t’i bëjë pjesë të kësaj strukture për të plotësuar numrin 10 që të mos kemi problem me Kushtetutën dhe të bëjnë betimin tek Presidenti i Republikës.

Domethënë në muajin janar mund të themi me plotë gojë se ka funksionuar plotësisht reforma në drejtësi, sa i takon pjesës së Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion. Ndërsa sa i takon pjesës së implementimit të reformës në drejtësi në pjesë të tjera të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, duhet që në mënyrë urgjente drejtuesit politik dhe institucionet politike të krijojnë të gjitha kushtet që të zhbllokohet situata, në mënyrë që të ecet me ritme më të shpejta për krijimin e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe pas krijimit të kësaj të fundit të plotësohet numri i plotë i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Kjo pasi siç e dini edhe ju, tre anëtarë të Kushtetueses do të zgjidhen vetëm pasi të jetë ngritur Gjykata e Lartë.

-Megjithatë, ka shumë zëra, veçanërisht në politikë që aludojnë se reforma nuk po bëhet si duhet dhe se është e kapur. Si i shihni këto akuza?

Unë nuk komentoj akuzat politike. Nga kjo pikëpamje unë bëj vetëm komente teknike dhe profesionale, domethënë juridike dhe sikundër ua thashë më sipër, implementimi i reformës në drejtësi me gjithë vështirësitë, që disa nga segmente të politikës mund të kenë qenë edhe bllokues, për pjesën e prokurorisë këtë vit e gjen të realizuar. Ndërsa për dy komponentët e tjerë që kanë të bëjnë me Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese është një ngërç i madh, por gjithsesi unë mendoj se të gjithë aktorët, qofshin ato institucione teknike, siç është Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe institucionet e tjera si Parlamenti dhe Presidenti që duhet të përzgjedhin anëtarët e Kushtetueses dhe asaj të Lartë. Kështu që, nuk na mbetet gjë tjetër veçse të shpresojmë që politikanët të gjejnë konsensusin që vitin tjetër të ngrihen edhe këto dy institucione.

-A ka politikanë të trembur nga reforma në drejtësi?

Mendoj se politikanë që i tremben reformës në drejtësi, e sidomos goditjes penale sigurisht që në Shqipëri ka. Unë nuk di të them se në çfarë nivelesh janë këta politikanë. Por nga ana tjetër për një gjë jam i sigurt: Që ndërtimi dhe bërja funksionale e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion dhe për rrjedhojë edhe Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion, me këtë mënyrë organizimi të kësaj strukture; me mbrojtjen e fortë fizike që i bëhen SPAK; me përvojën që do të marrin dhe trajnimin që do të marrin anëtarët e SPAK nga agjencitë ndërkombëtare më të mira në fushën e hetimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë, me në krye agjencitë e SHBA, Britanisë së Madhe dhe vendeve të BE, jam i bindur se kjo luftë ka për të qenë një histori suksesi. Në këtë pikëpamje jam besimplotë se SPAK do të vërë përpara drejtësisë elementë të krimit të organizuar dhe zyrtarët të lartë, qofshin këta ish-ministra, ministra, ish-kryeministra, ish-deputetë dhe deputetë. Jam i bindur për këtë pjesë.

-SPAK me 20 dhjetor nis punë. Mendoni se do të fillojë një epokë e re në luftën ndaj korrupsionit?

Patjetër që SPAK do të sjellë një frymë të re sa i takon luftës kundër korrupsionit. Por në këtë mes kanë meritë kushtet që janë krijuar për t’iu ardhur në ndihmë prokurorëve të SPAK, pasi këta anëtarë kanë kaluar me sukses vetingun, qoftë ky vetingu në aspektin pasuror, moral dhe profesional. Kjo trupë do të jetë e mbrojtur fizikisht, do të jetë e mirëpaguar, do të jetë e trajnuar, do të jetë e garantuar dhe e pavarur që të mos bjerë pre e sulmeve dhe presioneve politike, pasi nuk i shkarkon njeri nga puna. Kështu që, në këto kushte jam besim plotë se SPAK do të sjellë një frymë të re dhe rezultate të shkëlqyera sa i takon luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivel të lartë zyrtarësh në Shqipëri.

-Ju keni qenë prokuror. Ndërkohë që, ndër vite janë mbyllur shumë dosje për emra të rëndësishëm në politikë. Kur PS mori pushtetin bëri padi për disa ish-ministra të PD. Në atë kohë ishte kompetence e Prokurorisë së Përgjithshme të hetonte zyrtarët e lartë. Por gjithçka ishte dështim, pasi asnjë dosje nuk shkoi në gjykatë. Mendoni se me SPAK dosjet që janë pushuar mund të rihapen?

SPAK-u ndërkohë po përgatitet që të marrë në dorë të gjithë arkivën e Prokurorisë për Krimet e Rënda, për të gjitha ato nene dhe vepra penale që do të jenë kompetencë e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion. Domethënë do të merren në dorë të gjitha dosjet e pezulluara dhe të pushuara nga prokurorët e Krimeve të Rënda dhe bëhet kompetente Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion. Në këtë pikëpamje ju bë me dije se nuk ka asnjë pengesë ligjore, që për veprat penale, për të cilat nuk kanë kaluar 20 vjet që është afati i parashtrimit, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion nëpërmjet indiceve, nëpërmjet pushimeve të çështjeve që nuk janë argumentuar edhe ligjërisht, mund të rihapen si dosje.

Pra, dosjet e pushuara mund të rihapen në dy rrugë: E para ka të bëjë në bazën e informacioneve që mund të shkojnë tek SPAK për këto dosje që janë pushuar, ose provave të reja. Ndërsa rruga e dytë se si mund të rihapen këto dosje është në rastet kur prokurorët e SPAK, pasi të shqyrtojnë dosjet konstatojnë që çështja ka pasur prova dhe është pushuar në mënyrë të padrejtë. Dhe kjo çështje duhet të rihapet. Por nga ana tjetër dua t’iu jap edhe një mendim timin se si mund të rihapen këto dosje, në rastin kur qytetarët shqiptarë, njerëzit e ndershëm të Shqipërisë, qofshin këta zyrtarë të ndershëm, funksionarë të lartë dhe do të vërshojnë tek Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion me kallëzime, me denoncime për krimin e organizuar dhe pushtetarët e korruptuar, duke i dhënë SPAK indicien që të rihapë këto dosje.

-Si e shini përplasjen që ka ndodhur për Gjykatën Kushtetuese? Si jurist a veproi drejt presidenti Ilir Meta me tejkalimin e afatit 30 ditor?

Nuk do të bëj koment për qëndrimet e presidentit Ilir Meta, nuk do të bëj koment për qëndrimin e Parlamentit, nuk bëj koment për asnjë institucion Kushtetues, sepse komentet në lidhje me këtë situatë janë komente, të cilat nuk na kanë nxjerrë neve nga situata, ku jemi futur. Janë komente dhe retorika që të gjithë njerëzit, qofshin këta juristë, politikanë, konstuticionalistë që janë prononcuar edhe rreth këtij fakti që më pyet ti mua. Kështu që, unë përfitoj nga rasti që t’iu bëj thirrje institucioneve shqiptare, duke filluar nga Parlamenti, Presidenti, KED, KLGJ e KLP, brenda kompetencave që kanë dhe që i ngarkon ligji që të mos bllokojnë, por të zhbllokojnë njëri-tjetrin, në mënyrë që të ngrejnë sa më shpejt Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë.

 

 

-Ju jeni në krye të Inspektoratit Shtetëror. Si po ecin reformat e nisura dhe çfarë pritet në vitin që vjen nga Inspektorati?

Unë si Kryeinspektor i Përgjithshëm i Inspektoratit Shtetëror qysh me marrjen e detyrës para tre vjetëve kam iniciuar një reformë në fushën e enteve rregullatorë, domethënë inspektimit, e koordinuar kjo qoftë me dhomat e biznesit brenda dhe jashtë vendit. Kemi nënshkruar një marrëveshje me Inspektoratin Qendror të Francës para dy vjetësh në aspektin strategjik. Po ashtu, kemi nënshkruar marrëveshje me organizatën botërore OECD në Paris, me projektin “tung-tuin” antikorrupsion të Komisionit Europian. Ndërkohë, si Inspektorat Shtetëror kemi implementuar në Shqipëri të gjithë inspektimet bazuar mbi bazën e analizës së riskut, me dokumente standarde dhe me tableta online pranë bizneseve me sistem Xhipies dhe me sistem kamera.

Domethënë sot Shqipëria i kryen inspektimet e Inspektorateve Shtetëror me një procedurë strikte ligjore dhe me mjete teknologjike të inplementuara si e vetmja mënyrë më e mira që përdorin sot Inspektoratet e vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Në këtë pikë, Shqipëria është vendi, i cili është lider në Ballkan dhe në Europë. Dhe për këtë arsye nën kujdesin e USAID, Bankës Botërore, Inspektoratit francez, Inspektorati Qendror i Shqipërisë në datën 13 dhjetor organizon në hotel “Tirana” një konferencë ballkanike, ku janë të ftuar dhe pjesëmarrës të gjithë kryeinspektorët dhe anëtarët e bordeve të tyre të Shqipërisë, domethënë ne, si dhe Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Kosovës dhe Malit të Zi.

Pra, në këtë konferencë do të merret përvoja më e mirë që është implementuar në Shqipëri për t’u implementuar dhe në këto vende. Po ashtu, në këtë konferencë do të diskutohet edhe sa i takon sistemit të rekrutimit dhe karrierës së trupave të inspektimit jashtë ndikimit politik, pasi trupat do të jenë profesionale, me integritet dhe me një karriere të pasur. Dhe bashkë me reformën që kemi bërë në fushën e inspektimit online metoda shqiptare bëhet model dhe që do të merret si shembull nga të gjitha vendet e Ballkanit, me synimin që qarkullimi i mallrave në vendet e rajonit të jetë i unifikuar në këto pesë vende, sipas standardit që ka arritur Shqipëria. Thënë ndryshe reforma e aplikuar nga Inspektorati Qendror i Shqipërisë do të merret si bazë dhe shembull nga vendet e tjera të Ballkanit.

Share: