Për Arta Daden demokracia e brendshme në Partinë Socialiste tashmë është mbytur. E ftuar në emisionin “Top Talk” në Top Channel, Dade, një prej figurave kryesore të së majtës në Shqipëri, akuzoi kryetarin e PS, Edi Rama, njëkohësisht kryeministër, se është shkelësi më i madh i demokracisë brenda forcës politike që drejton.
Dade theksoi se këtë qëndrim e ndajnë edhe shumë anëtarë të tjerë të PS, të cilëve nuk u merret mendimi kur bëhet fjalë për përzgjedhjen e kandidatëve për kryebashkiakë apo për deputetë.
“Vazhdoj të mbetem mikeshë me shumë anëtarë të PS që kanë të njëjtin shqetësim se strukturave nuk u merret mendimi në asnjë rast, as më pak kur është rasti i emërimeve të kryetarëve të bashkive apo deputetëve. Këtu kemi një shkelje flagrante të demokracisë së brendshme”, tha Dade.
Sipas Arta Dades, demokracia në PS funksiononte edhe në vitet e para me Edi Ramën kryetar, por pas vitit 2008, situata ka ndryshuar për keq. Ajo bëri Ramën direkt përgjegjës për përfshirjen e personave me rekorde kriminale brenda strukturave të socialistëve.
“I takonte PS të kishte flamurin e luftës kundër elementëve me rekorde kriminale, fatkeqësisht ata u bashkëngjiten pranë PS gjatë kohës që Rama është kryetar sepse PS nuk ka patur asnjëherë individë me rekorde kriminale. Ishte për të ardhur keq që flamurin e dekriminalizimit e mori një parti që edhe në opinionin publik rezultonte një parti e kriminalizuar dhe këtu e kam fjalën për ngjarjet e ‘96, ‘97 dhe ‘98”, tha Dade.
E pyetur nëse kritikat e saj lidhen me ndonjë qejfmbetje personale me Ramën, Dade tha: “Unë me Edi Ramën nuk kam asnjë qejfmbetje personale, kam mbajtur të njëjtin qëndrim kur kam qenë pjesë e grupit parlamentar dhe veçanërisht kur isha kryetare e Komisionit për Politikë të Jashtme. Kam qenë kundërshtare dhe kam refuzuar të jem anëtare e Kryesisë për mbytjen e demokracisë së brendshme. Rasti konkret ka qenë gara për kryetarin e partisë, patjetër që unë isha mbështetëse që Rama duhet të rikonfirmonte mandatin si kryetar, duke qenë kundërshtare e krijimit të artificave brenda partisë duke bërë paralelizma me statute të vendeve të tjera demokratike. Në mjaft elemente kam qenë ndoshta zëri i vetëm në grupin parlamentar, përveç personaliteteve që u shkëputën dhe më pas krijuan partitë e tyre. Mendoj se prandaj u largova nga grupi sepse isha një zë kundër”, tha Dade.
“Jam kritike në mënyrën se si bëhet politika e jashtme, se si bëhet politika dhe se si nuk zgjidhet konfliktualiteti. Pse duhet të flasë ambasadorja e re amerikane se do të vijë këtu dhe të zgjidhë krizën?!”,- shtoi ajo.
Arta Dade nuk kurseu kritikat as ndaj anëtarëve të Grupit Parlamentar të PS, për të cilët tha se nuk kontrollojnë në asnjë moment Qeverinë për arsye se ndihen në borxh me Ramën.
“Është imponimi i Ramës, është një grup që padyshim i ndjehet borxhli Ramës sepse i gjithë grupi dhe lista janë favoritët e Ramës dhe aq më pak nëse flitet për zgjedhje të parakohshme. Jam e bindur se edhe dikush që mund të artikulonte ndonjë kritikë tashmë me siguri që nuk do të flasë”, theksoi Dade./TCH