Nga Ben Andoni
Me zgjedhjet e fundit në Kosovë dhe mënyrën sesi janë zhvilluar ato, paçka se periudha e ankesave po zgjat dhe nuk mbaron shpejt, Shqipëria ka marrë një mësim. Është më mirë të thuhet leksion procesi zgjedhor. Përveç kryeministrit të vendit, Edi Rama, i cili është mjaftuar me urimin e kortezisë, piramida e shtetit shqiptar dhe partitë shqiptare janë treguar të ngazëllyera, njësoj sikur standardet zgjedhore të ishin plotësuar në Shqipëri. Në fakt, Kosova nuk ka bërë ndonjë gjë më të madhe: edhe atje fotografohet vota, ka pasur kundravajtje jo të pakta, kanosje, kurse LDK ende po pret dhe numërimin e votës së fundit, por gjithsesi Kosova ka pranuar trendin. Qoftë edhe një akt i tillë është i pamundur në Shqipëri, ku të gjithë shpallin fitoren dhe e nëpërkëmbin kundërshtarin.
***
Por, sot, dy partitë fituese kosovare, Vetëvendosja dhe LDK-ja, kanë përballë një nga vështirësitë që pak nga partitë shqiptare e kanë kaluar. Ajo lidhet me zbatimin e programeve respektive në Aleanca, që do të thotë se një lëvizje politike e Qendrës së Majtë duhet të shkojë dhe të pajtohet me një Parti të Qendrës së Djathtë. Historia politike evropiane të ofron eksperimente nga më të shumëllojtat programore por në rastin tonë kemi një sfidë, që duket tërësisht institucionale. Që do të thotë se formacioni që do të marrë portofolin ekonomik në Kosovë duhet të t’i përgjigjet programit të partisë së vet por dhe aliazhit me partinë e kundërt. Logjikisht është e pamundur. Këtu e përjashtojmë rastin shqiptar, ku PD-ja e Djathtë e Qendrës shkoi me LSI-në, pasi aliazhi i tyre u prish nga interesat meskine të së Majtës së Qendrës që pretendon ky formacion. Më pas, bashkimi me PS-në ishte normaliteti më i madh i saj, por që u nda nga interesat shumë të vogla katër vjet më vonë.
Në rastin kosovar VV është një parti që artikulon qartë të Majtën me anë të ndihmës dhe forcimit të skemave sociale dhe luftimin e varfërisë nëpërmes ndarjes së barabartë të ardhurave kombëtare dhe tatimit më të madh të të pasurve, kurse LDK kërkon që sektori privat të marri fuqi dhe të hapë vende pune, por të pasurit të mos tatohen shumë!!! Diferenca bajagi të mëdha. Fati i dy partive është se në grupet kryesore që drejtojnë kanë njerëz me vizione, që veçmas po u japin ngjyresën e duhur formacioneve të tyre politike. LDK-ja me Abdixhikun dhe Hotin, që lidhen me ekonominë, por edhe Vjosa Osmanin që është tani lokomotiva e kësaj partie janë të qartë në politikat e tyre ekonomike por edhe në problemet ideologjike, që i lidh shumë me partitë simotra të Qendrës së Djathtë.
Vetëvendosja ka elektoratin e majtë me vete, atë që është pa asnjë shpresë mbi kurrizin e vet, por edhe që beson realisht pas tranzicionit së “të fortëve” të UÇK-së se dora e shtetit duhet të jetë kudo. Kjo lëvizje është në pozicionin e vet më të mirë si parti socialdemokrate dhe Kurti ka ditur që vizionin e tij ta shpalosë dhe tek simotrat e veta të Majta, duke treguar njëjtësimin ideologjik të tij. Albin Kurti artikulon, flet dhe logjikon si i Majtë.
Shqipëria nuk e ka kurrsesi këtë model. Po të shikosh planet e qeverisë Rama me PPP-të, ajo mund t’i shkonte shumë më tepër një partie të qendrës së Djathtë, por kurrsesi një partie të Majtë. Madje, shumë më tepër sesa PD-ja, kundërshtarja e saj, që është anëtare fuqiplotë në grupin e partive të kësaj familje. Në ligjërimin politik të Lulzim Bashës ke vazhdimisht shprehje sesi do t’u merren të ashtuquajturve oligarkë, pasuritë dhe përfitimet për t’i ndarë me popullin, por edhe ndihmat më të mëdha sociale. Nëse dy partitë tona tradicionale të demokracisë do të ndryshonin ngjyrat me njëra-tjetrën do të ishin më të qartë. Ndaj, këto dy parti kanë një përfaqësim jo të besueshëm në organizatat politike evropiane, pasi janë të pabesueshme për programet e tyre.
Kosova po na jep leksion me dy partitë që kanë fituar zgjedhjet. Por, nëse këto dy parti do të funksionojnë brenda programeve të tyre për të hartuar një program të përbashkët atëhere, leksioni quhet emancipim nga vëllai i vogël. Mbase nuk mund të na pëlqejë por është vërtetë kështu. (Homo Albanicus)