Marshimi i artistes shqiptare Alketa Vejsiu

Uncategorized

Nga Viktor Bakillari

Tek po zbrisja me ashensorin e Fejsbukut, më dilte shpesh fotografia e një flokëverdhe të veshur shënvalentinisht – dashurisht (rozë-kuq).
Bëhet fjalë për bukuroshen shqiptare Alketa Vejsiu.
Qëndroja aq sa ç’mund të qëndrojë bubuzheli në një lule pranverore për të kapur fotografimthi ç’thuhej dhe zbrisja sikur ktheja faqet e ndonjë libri.
Lërë, mos pyet për ç’shkruhej, për komentet! Më shumë zi sesa gri.
Flisnin gjithë inat, gjithë shpotizma, gjithë “çilozi”.
Po punë e madhe!
Thuhej diku se e kishte veshur një stilist shqiptar.
(Ej, o mendje të mbrapshtaaaa, mos kujtoni se ka qenë zhveshur/lakuriq, bëhet fjalë për veshje artistike-skenike!)
Thuhej se ky veshësi, Valdrin Sahiri – stilist shqiptar duarart e me shije të rafinuara, paskësh veshur edhe partneren e futbollistit Ronaldo.

Ishte kjo Alketa – çupë shqiptare që dje në 06.02.2020 bashkëparaqiti natën e tretë të “Sanremos”.

Bota s’reshtte së e vlerësuari duke e quajtur uragan, “ne” s’lëmë epitet të keq pa ia ngjitur. Sa fuqi uthullore të fortë që kemi!
Sidoqoftë ishte një sukses i madh i Alketës!
Lirshmëria në të folur, shpengimi gjestikulativ, lozonjariteti, zotërimi majëgishtash i “taljançes” sigurisht që për një palë ngjallin admirim e për tjetrën ndezë, resë, smirë, shkurt zili.
Material për Alketën gjendet pafund, mjafton të çukisni mbi emrin e saj në Internet.
Ajo që më bëri përshtypje për aq sa pashë te Fejsbuku im, nuk ishin komentet e esmerkave, as të qimeruskave, as ato me flokë të lyera/ngjyera me bojë të verdhë siç mund të gjesh te “Astiri”, por një titull që niste “Mashtrimi i Alketa Vejsiut”.
Si janë bërë edhe një pjesë nga tanët!
Në vend që ta shkruajnë “Marshimi i Alketa Vejsiut” shkruajnë “Mashtrimi i saj!”.
Alketë,
Vazho, moj çupë-artiste shqiptare vazhdo.
Atë që mund t’u shkojë shumë njerëzve dashamirës ndër mend, po e shkruaj unë këtu në fund:
E para është biblike:
“Mos kërko të bëhesh profet në vendin tënd.”
E dyta:
Konet, buçet e zagarët e ziliqaret atë punë kanë… ti vazhdo përpara!
Marsho, Alketa Vejsiu, marsho!

Urime e suksese të mëtejshme!

Viktor Bakillari
Tir-07.02.2020-anë.
????

Share: