Nga Kolë Kamsi
Katundi i Palac Adrianit ka qitun shum njerz të dijshëm e shkrimtarë qi janë marrë me lavrim të gjuhës shqipe, me mbledhjen e kangvet e të traditavet historike të trashigueme prej stërgjyshavet e me çashtjen shqiptare. Më e famshmja mes tyre eshte edhe familja Dara.
Gavril Dara, plaku, lindi me 15 të Korrikut 1765 e vdiq me 19 Maj 1832. Këndimet e mesme i bani në Seminarin Italo-Shqiptar të Palermit e në ket qytet u laureu në mjeksi e në drejtësi.
Qe i pari qi filloi me mbledhun nga goja e pleqvet e të plakavet “kënkat e pleqërisë”. Ka hartue edhe disa vjersha në gjuhën shqipe ndër të cilat âsht shum e njoftun ndër Arbreshët e Kolonivet të Siqilìs kanga fetare e Shën Lazrit.
Ndriz a Andrea Dara, i biri i Gavrilit, lindi me 17 Maj 1796. Mësimet e para i kreu në Seminarin shqiptar e n’Universitetin e Palermit muer laurën në drejtësi. Vdiq me 2 Prill 1872.
Plotsoi përmbledhjen e kangvet të vjetra popullore qi kishte fillue i ati. Ka lanë këto shkrime të pabotueme:
“Fjaluer shqip-italisht e italisht-shqip” (Vocabolario albanese-italiano e italiano-albanese) të pasun me fjalë e me nji gramatikë të vogël;
Ungjilli i Shën Mateut – (il Vangelo di San Matteo) përkthye në djalektin shqip të Palac Adrianit;
Doke e zakone të Palac Adrianit – (Usi e costumi di Palazzo Adriano).
Gavril Dara, i riu, i biri i Andrè Darës e i Françeskës Dragota, lindi me 8 Kallnduer 1825.
Këndimet e mesme i kreu në Seminarin italo-shqiptar të Palermit ku menjiherë u da në shêj për hollësi të mendes, për zell e dashuni për studime letrare e per prirje prej natyre për hartin e poezis. – Mbasi kreu n’Universitetin e Palermit studimet e nalta e u laureu në ligjë, vojti në qytetin e Agrigjentit për t’ushtrue advokaturën nen drejtimin e ungjit të vet Nikollë Darës. Këtu muer pjesë në levizjet e ringjalles italjane si antar i Komitetit kryengritës t’Agrigjentit e me 1860 për meritime u emnue me dekret të Zef Garibaldit sekretar u përgjithshëm i Qeveris s’atij qyteti. Në vjetin 1862 u dergue si këshilltar i parë në prefekturën e Palermit, mandej me detyrë si nenprefekt në Bobbio, n’Aostë e në Lugo, e më 1867 u emnue prefekt i Trapanit. Me 1870, si e la ket detyrë për arsyena politike, shkoi në Romë e aty drejtoi për disa vjet (1871-1874) fletoren “La Riforma” ku u dallue edhe si gazetar.
Mbas pak vjetësh u kthye n’Agrigjent. Vdiq me 19 nanduer 185.
Gavril Dara qe letrar, poet, gazetar, kurist; u muer edhe me studime filozofije e me arkeologji. Malli i fortë për tokën e stërgjyshavet e nziti të punojë për lavrimin e gjuhës shqipe. I pajisun me nji kulturë të mirë historike e letrare i fali letërsis s’onë poemin e bukur “Kënka e Sprasme e Ballës”, qi u botue së parit me përkthimin n’italishtet të bamë nga vetë auktori në të përkohshmën “La Nazione Albanese” (1900-1902) e mandej më 1906 libër më vehte. Në ket poemth këndon kohët kreshnike të Skanderbeut e pasqyrohen traditat popullore t’Arbreshvet të Siqilìs. Ka lanë edhe të tjera shkrime, nji kangë fetare të Shën Lazrit e nji Fjaluer shqip-italisht (Vocabolario albanese-italiano) të pabotuem, ku krahason fjalët me greqishte e me latinishte. Ky poet përmendet edhe në poezin siqiljane të revolucjonit për kangët me ndiesi të flakta atdhetare qi ka qitun ndër ato kohë të ringjalles.
Shënim: Kjo pjesë u shkëput nga shkrimi i studiuesit Kolë Kamsi, “Mbi katundin arbëresh Palac Adriani”, botuar në revistën Leka, në vitin 1944. Ai sjell një hulumtim mbi gjitha mendjet e bukura të këtij fshati, që ia kushtuan jetën gjuhës së tyre amëtare, letërsisë, mbledhjes së këngëve e të traditave historike të trashëguar nga stërgjyshërit e tyre arbëreshë dhe sidomos çështjes kombëtare.
/https://redaktori.net