Shkruan Jolanda Lila- Tiranë
Si të ruhet dinjiteti i fjalës në kohën e babëzisë; të vrapimit pas kamjes, pushtetit, parasë, lavdisë? Kjo është çështja. Ç’do të thotë të jesh shkrimtar dhe intelektual sot? Ç’peshë ka dija dhe talenti në një kohë kur shkruhet shumë e lexohet pak; kur sistemi i vlerave është në krizë; kur ka inflacion titujsh, veprash, fjalësh, çmimesh, diplomash; kur çdo gjëje i dihet çmimi, por jo vlera?
(Fragment nga publicistika e prof. Agim Vincës)
72 vjet më parë, pikërisht me 22 maj të vitit 1947, ka lindur poeti, studiuesi dhe profesori i shumë brezave universitarë, Agim Vinca. 52 vjet krijimtari, mbi 30 libra të botuar në fushën e poezisë, publicistikës, studimeve e kritikës letrare, mbi 45 vjet lektor dhe titullar i disa lëndëve në Fakultetit Filozofik të Prishtinës; fitues i shumë çmimeve kombëtare e ndërkombëtare, profesor Agim Vinca vijon të kontribuojë për zhvillimin dhe përndritjen e kulturës shqiptare.
Dy frontet kryesore të punës së tij krijuese janë kërkimi letrar, nga njëra anë dhe krijimi letrar, nga ana tjetër. Në të dyja këto fronte, profesor Vinca ka vënë vulën e origjinalitetit krijues dhe risues në letërsinë dhe studimet shqiptare.
Ai konsiderohet si një figurë poliedrike, me kontribut të shquar në fushën e poezisë, të kritikës letrare, të historisë së letërsisë, të publicistikës, antologjisë, përkthimit dhe eseistikës. Është autor i më shumë se 30 veprave dhe i qindra shkrimeve letrare e publicistike në shtypin periodik shqiptar, duke u renditur kështu si një ndër intelektualët më aktivë, jo vetëm në çështjet profesionale, por edhe për reagimet shoqërore dhe problemet e kohës. Në këtë pikëpamje, sfera e veprimtarisë së tij shtrihet shumë më gjerë, sepse ai i shkrin pa rezerva aftësitë e veta për t’u bërë zëdhënës i njeriut të pambrojtur dhe atij që përplaset me muret e padrejtësisë, pa guxuar të ankohet për dëshpërimin e vet. Profesor Agim Vinca, me një dozë të jashtëzakonshme energjie, vendosmërie, guximi dhe kujdesi ngre problematikat kryesore të arealit shqiptar në sferën shoqërore dhe në atë kulturore, duke ofruar herë pas herë edhe alternativa zgjidhjeje.
Merita e tij më e madhe në fushën e shkencës është përçimi i koncepteve shkencore e abstrakte në formën më të thjeshtëzuar e të qartë, meritë që vetë autori ia dedikon përvojës së mësimdhënies universitare dhe bashkëbisedimeve të vazhdueshme me studentët e tij. Ndërsa në fushën e poezisë, ai konsiderohet si një ndër emrat më të rëndësishëm të risimit të vargut shqip që në vitet ‘70, të frymëzimit të natyrshëm prej lëndës shqiptare dhe prej pasurimit të fjalorit poetik, gjë që shpërfaq edhe nivelin e lartë dhe njohjen e thellë të gjuhës shqipe nga ana e autorit.
Si natyrë tepër korrekte, i gjallë, i shkathët dhe tepër i guximshëm, ai është profesori me autoritet të spikatur. Autoritetin ie tij përvijohet nga formimi i thellë intelektual dhe nga sensi i drejtësisë, që është alterego e tij. Përkrahës e mbështetës i së mirës dhe shpotitës i injorancës dhe të padrejtës, profesor Agim Vinca mbetet profesori jo vetëm i atyre brezave që patën fatin të ishin studentët e tij, por i mbarë shoqërisë shqiptare që lexon librat apo artikujt e tij.
“Feniksi” si bazament i shkallareve të suksesit në poezi
Vendlindja e Agim Vinces, Veleshta e Strugës, është bërë subjekt i shumë vargjeve të tij, si për të na dëshmuar gjurmët e pashlyera që lë fëmijëria në jetën e njeriut. Ai lindi me 22 maj të vitit 1947 në një familje atdhetare e arsimdashëse, ku profesor Agimi ishte fëmija i tetë dhe më i vogli i prindërve.
Qysh prej vitit 1966, kur ai nisi studimet në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, e lidhi jetën me letërsinë dhe kulturën shqiptare.
Ai u ngjit nëpër shkallaret e suksesit përmes punës së palodhur dhe pasionit të pandalur për të zhbiriluar në kthinat e panjohura të letërsisë, por edhe për të thënë fjalën e vet artistikisht.
E nisi rrugëtimin poetik në vitin 1972 me botimin e librit të parë me poezi “Feniksi”, për të vijuar më tej me një varg vëllimesh të tjera, si: “Shtegu i malit”, “Buzëdrinas”, “Arna dhe endrra”, “Kohë e keqe për lirikën”, “Psalmet e rrënjës”, “Letër Zotit”, “Nostalgji për kohërat e rrezikshme” etj.
Sipas poetit Dritëro Agolli, “Feniksi” paralajmëroi se po vinte një poet i vërtetë, me identitet të palëkundur. Agolli thekson gjithashtu se poezia e Agim Vincës, që në librin e parë, shkrin ndjeshmërisht dashurinë për vendlindjen, me të dashurën, me lumenjtë, me malet, me qiellin, me retë, me njerëzit, me historinë dhe me gjithçka që përbën mëmëdhenë.
Libri, falë një klime paksa liberale që zotëronte në ato vite, u botua ashtu siç e kishte dorëzuar autori, pra pa ndërhyrje, me një përjashtim të vetëm. Nga libri u hoq krejtësisht vjersha me titull “Letër vëllait”, e shkruar gjatë kohës që autori ishte student në Prishtinë, në vitin 1969.
Heqja e kësaj poezie nga libri mbeti enigmatike për gati 40 vjet, deri në vitin 2010, kur autorit i ra në dorë dosja e tij policore, ku mes materialeve të tjera, deklarata e denoncime ndaj tij si nacionalist dhe irredentist shqiptar, u gjet edhe dorëshkrimi i vjershës “Letër vëllait”.
Në këtë dosje ndër të tjera, thuhet se autori i vjershës fyen punëtorët e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror, të cilët i quan “qen që lehin e grinden për një kockë të thatë dhe që nuk e kanë të gjatë, sepse do të ngordhin së shpejti”. Telashet me këtë poezi kishin filluar që në kohën kur ishte shkruar ajo, pra në mars të vitit 1969, kur për shkak të saj ishte ndaluar një numër i gazetës së studentëve “Bota e re” në Prishtinë dhe kishin vazhduar, duke u bërë të rrezikshme e dramatike, në fillim të viteve ’70, kur autori e kishte dorëzuar për botim librin e tij të parë, përmbledhjen me poezi “Feniksi”.
Ndalimi i kësaj vjershe dhe futja e saj në dosjet e UDB-së, me rrezikun që ndaj autorit të ndërmerrej masa e arrestimit, tregon se në çfarë kushtesh kanë jetuar e punuar krijuesit shqiptarë në ish-Jugosllavi, në sistemin komunist jugosllav, që konsiderohej si “liberal”. Vëllimi me poezi “Feniksi” u ribotua 42 vjet më vonë dhe në të është bërë pjesë edhe vjersha e ndaluar, titulluar “Letër vëllait”.
3 vjet më parë botuesi i mirënjohur francez Lyk Vidal, mes shumë autorëve shqiptarë, ka përzgjedhur poezinë e Agim Vincës për ta bërë të njohur për publikun e huaj. Vëllimi me poezi “Kambanë në qafë”-“Une cloche à ton cou” përmban 40 poezitë më përfaqësuese të këtij autori dhe është botuar në dy gjuhë: shqip e frëngjisht, ku vargjet shoqërohen me ilustrime të piktorit shqiptar Anastas Kostandini-Taso.
Ky botim shenjon një ngjarje të rëndësishme për poezinë shqipe bashkëkohore, e cila komunikon me publikun e huaj, duke afirmuar vlerat dhe veçantësitë e saj. Në këtë pikëpamje, poezia e Agim Vincës, konfirmon elementet thelbësore të poezisë shqipe, sepse hibridizon ligjërimin modern me elementet përfaqësuese të poezisë tradicionale, duke ngritur kështu një stil krijues të ndërmjetëm, larg skajshmërive.
Epiqendër e vargut të tij është qenia dhe identiteti shqiptare ndër shekuj, e cila përvijohet përmes kombinimeve të ndryshme stilistikore. Mjeti më karakterizues i poezisë së Vincës është simboli, metonimia, epiteti, por veçanërisht metafora. Metafora e poezisë së tij nuk gjendet në kombinimet brenda një vargu të vetëm, por është në tërësinë e poezisë.
Agim Vinca është një poet i angazhuar që reagon për problemet e kohës e të shoqërisë dhe ai mendon se misioni i poetit është historik: poeti është i obliguar ta thotë të vërtetën, ta tregojë të padrejtën, ta mbrojë të voglin, të varfrin, ta ngrejë zërin kundër pushtuesit dhe të gjithë atyre që me pushtet a në mënyra të tjera nëpërkëmbin këdo. Këtë tipar karakterizues e ka shfaqur në të gjitha veprat e tij, pavarësisht zhanrit, sepse në të vërtetë ky është tipari që e shquan edhe si njeri profesor Agimin. Ai nuk bën kompromis me të padrejtën dhe nuk kursehet në kritika.
Profesor Agim Vinca është autor edhe i disa antologjive poetike, të tilla si:
“Nga poezia bashkëkohore shqipe”, “Kënga e hapur. Antologji e komentuar”- e para e këtij lloji në letërsinë shqipe dhe “Muza e Mëmëdheut – Antologji e poezisë atdhetare shqiptare”, botuar në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Është nderuar me disa çmime për krijimtarinë e tij, si çmimi “Azem Shkreli” nga Ministria e Kulturës Kosovë, “Dita e minatorit” në Mitrovicë etj. Profesori vijon të studioje e të krijojë në studion e tij të punës në lagjen “Ulpianë” të Prishtinës.
(Te varri i poetit palestinez Mahmud Darvish në Ramallah)
Përbashkuesi i hapësirës kulturore shqiptare
Poezia shqipe e gjysmës së dytë të shekullit XX karakterizohet nga një heterogjenitet stilesh e prirjesh krijuese, të cilat u zhvilluan nga disa gjenerata poetësh, me formime e ndjeshmëri të ndryshme artistike. Tiparet e brendshme evolutive të kësaj poezie, u ndikuan së tepërmi edhe nga rrethanat e jashtme, pasi hapësira shqiptare ishte e gjymtuar dhe çdo njësi e saj shpërfaqte tipare të veçanta letrare. Në hapësirën shqiptare të Maqedonisë, spikat mes shumë të tjerësh, edhe veprimtaria krijuese e Agim Vincës, i cili arsimin parauniversitar e mori në vendlindjen e tij, Veleshtë të Strugës, e më pas u vendos në Kosovë, ku jeton e punon edhe sot. Të jetuarit mes dy gjymtyrëve të Shqipërisë e njësoi mendimin e tij krijues drejt unifikimit të hapësirës shqiptare, pavarësisht diversiteteve e specifikave që e karakterizonin secilin mjedis. Pikëpamjet e veta përbashkuese për arealin shqiptar, ai i ka shfaqur si në mendimin kritik e publicistik, ashtu edhe në krijimtarinë poetike.
Në monografinë “Struktura e zhvillimit të poezisë shqipe (1945-1980)”, mund të pohojmë pa mëdyshje se për herë të parë në historinë e mendimit shkencor, ai e paraqiti në mënyrë të plotë dhe të integruar poezinë shqipe, larg shtampave ideologjike të trajtimit të letërsisë sipas hapësirave gjeografike, brenda dhe jashtë shtetit amë. Këtë koncept e kishin përkrahur edhe shumë studiues të tjerë, veçanërisht Rexhep Qosja, por Agim Vinca e konturoi përfundimisht udhën e nisur prej tyre, gjë që dëshmohet edhe në ribotimet e herëpashershme dhe qarkullimit të gjerë të veprës së tij studimore. Vetë Rexhep Qosja e pohon këtë standard të ri të qasjes studimore, kur thotë: “Kritiku dhe historiani i letërsisë, Agim Vinca, prej fillimeve të krijimtarisë ka mbrojtur dhe ka popullarizuar qëndrimin se letërsia shqipe, pavarësisht pse krijohet në disa shtete në të cilat pa dashjen e tyre janë ndarë dikur shqiptarët, është një e tërë dhe si e tillë, si një letërsi kombëtare, edhe duhet të studiohet”.
Gjithashtu, edhe në krijimtarinë e tij poetike spikat unifikimi i hapësirës shqiptare. Këtë trajtë përbashkuese e konstatojmë:
Së pari, në planin e teknikës së të shkruarit, ku poezia e këtij autori shenjon një trajtë krijuese që nuk ndryhet në gjuhën e abstraksionit e të eksperimentimeve që bënin disa poetë në Kosovë, por as nuk bie në nivelin e ligjërimit propagandues, siç ishte prirja mbizotëruese e bashkëkohësve të vet në Shqipërinë amë. Duke mos qenë pjesë e skajshmërive krijuese, ai përfaqëson një individualitet poetik, që hibridizon ligjërimin modern me elementet thelbësore të poezisë tradicionale shqipe, duke ngritur kështu një stil të ndërmjetëm krijues, stil që ka zërin dhe ngrohtësinë e vet origjinale.
Së dyti, frymën përbashkuese e ndeshim në pikëpamje të përmbajtjes poetike, ku substanca etnike integrohet në çdo qelizë të tekstit poetik, si në referencat vendore, ashtu edhe në ato kohore, referenca që estetizohen në shenja poetike dhe që kanë gjithnjë një emërues të përbashkët, herë të nënkuptuar, e herë të shprehur hapur, si në rastin e vargut:
Se unë, përsëri,
Ngado që të nisem do të arrij tek ti,
Shqipëri!
Rrugë tjetër s’di.
Pavarësisht vendndodhjes, a pikënisjes, destinacioni është përherë i artikuluar qartë, madje është rruga e vetme që njeh subjekti lirik vincjan. Ky destinacion e përtërin unin poetik, duke i kapërcyer të gjithë kufijtë e kronotoposit përmes përdorimit të ndajfoljeve “përsëri”, si shënjuese e pakohësisë dhe ndajfoljes “ngado” si shënjuese e pahapësirshmërisë.
Lokalja si shenjim i universales
Studiues të ndryshëm që janë marrë me poezinë e Agim Vincës (kemi parasysh studiuesit Rexhep Qosja, Sali Bytyçi, Natasha Lako), kanë dritësuar praninë e madhe të emërvendeve apo toponimeve shqiptare në poezinë e tij, por edhe të emërnjerëzve nga sfera të ndryshme shoqërore, kulturore e historike. Gjithë kjo prani referentësh konkretë lidhet para së gjithash me funksionin kryesor që bart lirika e tij, pikërisht qartësinë. Kjo qartësi përvijon trajtën identitare dhe autoktone të shpirtit të njeriut shqiptar, me historinë, dramën dhe ëndrrat e tij.
Në dhjetë vëllime poetike të botuara prej tij përgjatë katër dekadave (disa prej tyre me ribotime poezish të zgjedhura), vihet re se dy prej këtyre vëllimeve shenjohen me titujt toponimik “Buzëdrinas dhe Dri’. Drini nuk është thjesht një vend, por është simboli që udhëheq thelbin e tij poetik. Dy degët e këtij lumi, janë nyja e ndarjes së padrejtë që u janë bërë trojeve shqiptare.
Poeti Sharl Bodleri thotë se, nëse dëshirojmë të kuptojmë shpirtin e një poeti, duhet t’i kërkojmë dhe t’i gjejmë fjalët që hasen më së shpeshti në veprën e tij. Në rastin e Agim Vincës, konstatojmë se shpirti i tij ka qenë gjithnjë në lëvizje, në varësi të zhvillimeve historiko-shoqërore, ai ka jetuar me dramat, gëzimet, shqetësimet e zhgënjimet e vendit të vet. Poezia e tij ka trajtën e ditarit, që shpreh jo vetëm botën e tij të brendshme, por edhe përvojën universale të qenies njerëzore, gjë që arrihet përmes përgjithësimit artistik.
Puna studimore, boshti kryesor i jetës së profesor Agim Vincës
Profesor Agim Vinca, që në vitet e para të jetës së vet universitare filloi të merrej me punë studimore. Të shumta janë kontributet e tij në shkencë, por kontributi më i madh i tij mbetet studimi i poezisë shqipe bashkëkohore dhe vëzhgimi e krahasimi i saj me poezinë evropiane. Si studiues i poezisë, profesori është ngritur mbi shijet personale, duke studiuar, si ata poetë që i takojnë “shkollës” tradicionale, ashtu edhe ata që u përkasin “shkollave” moderne e avangarde, duke i trajtuar njësoj e jo sipas “etiketës” që mund t’i ngjisin reklamuesit e tyre – recensentët a botuesit, por sipas vlerës dhe cilësisë objektive që bartin.
Librat e tij studimorë të shkruara ndër vite janë ribotuar disa herë, për shkak të kërkesave të studentëve, mësuesve dhe studiuesve të fushës së mendimit letrar. Disa nga librat kryesor janë: “Aspekte të kritikës sonë”, “Qasje”, “Orët e poezisë”, “Alternativa letrare shqiptare”, “Kurs i teorive letrare”, “Fija të pakëputura”, “Poetika e fjalës” e deri tek studimi monografik “Struktura e zhvillimit të poezisë shqipe (1945-1980)”, i cili është ribotuar herë pas here dhe është ndër veprat e tij studimore që vijon të qarkullojë gjerësisht.
Që prej vitit 1992, profesor Agim Vinca ka botuar disa libra eseistikë dhe publicistikë, ku përmendim “Populli i ndaluar”, “Shqiptarët mes mitit dhe realitetit”, “Arti i reagimit” etj. Në përmbajtje të këtyre eseve janë probleme jo vetëm të sferës së kulturës, por edhe çështje të politikës e të spektrit social në përgjithësi.
Ngritja e problemeve që kumbojnë thekshëm në shoqërinë shqiptare e ka gjithnjë një haraç nga pas. Profesor Vinca nderohet nga opinioni i gjerë publik, dhe veçanërisht nga njerëz të sferës akademike dhe të kulturës. Por për çudi, pavarësisht se është nominuar disa herë për titullin “akademik”, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës ia ka mbyllur dyert këtij njeriu, që me veprën e tij do t’i bënte nder çdo akademie në botë. Pavarësisht përfshirjes apo jo në Akademi, vepra e shumëfishtë e Profesor Agim Vincës, vijon të lexohet e vlerësohet gjerësisht. Ai mbetet modeli i krijuesit skrupuloz dhe i intelektualit të mirëfilltë shqiptar, i cili me fjalën dhe veprën e tij është i pranishëm në mbarë hapësirën shqiptare, prandaj i urojmë jetë të gjatë dhe krijimtari të mbarë profesorit.