Edhe pse është Holanda më e zëshme në kundërshtimin që po tregon për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Reuters thekson se çdo gjë është në dorë të Emmanuel Macron, president i Francës.
“Duke lënë pjesën për Maqedoninë e Veriut të pandryshuar (hapje negociatash), (drafti i deklaratës së ministrave të BE) nuk jep datë për konferencën e parë ndërqeveritare me Shqipërinë, por propozon një listë me shumë reforma që Tirana duhet të realizojë përpara se ky takim të realizohet”, shkruan Gabriela Baczynska për Reuters, duke iu referuar draftit të deklaratës që pritet të miratohet nga ministrat e BE-së në takimin e 15 tetorit.
Por Reuters thekson se nëse ministrat e BE-së nuk arrijnë një marrëveshje, kancelarja gjermane, Angela Merkel, mund të kërkojë ndihmë nga Macron, për të arritur kompromisin.
Sa i përket Maqedonisë së Veriut, shtetet e BE-së janë të gatshme të hapin negociatat dhe takimi i parë ndërqeveritar pritet të zhvillohet në fund të këtij viti.