Roli i Gjermanisë së ribashkuar dhe Kosova

Analizë Opinion

Nga Dr. Sylë Ukshini

Përfundimi i Luftës së Ftohtë nuk solli në Europë vetëm rënien e murit të Berlinit dhe të perandorisë sovjetike, e me këtë edhe lirinë dhe demokracinë për popujt e Europës Lindore, por edhe në juglindje të kontinentit tonë, në ish-Jugosllavi, ishte rikthyer lufta. Dhe ky zhvillim ndryshoi në mënyrë thelbësore politikën gjermane.

 


 

 Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Gjermania, për shkak të përgjegjësisë dhe barrën që trashëgoi,  për një periudhë u bë komb pa shtet, shteti gjerman u fut nën administrimin e katër fuqitë fitimtare/çliruese- Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Franca dhe Bashkimi Sovjetik. Ndërsa, nga viti 1949 u krijuan dy shtete të ndryshme, në zonat perëndimore u krijua Republika Federale e Gjermanisë dhe në zonat e kontrolluara nga sovjetikët u krijua Republika Demokratike e Gjermanisë. Që nga atëherë e deri me rënien e Murit të Berlinit në politikën gjermane perëndimore kishte tri orientime strategjike për përballjen me këtë ndarje në dy shtete: Marrëdhëniet e veçanta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Lidhja përhershme me Perëndimin dhe krijimi i besueshmërisë tek fqinjët.  Natyrisht, aspirata për ribashkim të gjermanëve u afishua edhe përmes Kushtetutës së Republikës Federale të Gjermanisë.

Për më tepër, ky orientime e ankoroi politikën gjermane në multiletarizëm dhe në politikën e njohur si “fuqi civile”, që nënkuptonte shmangien e përdorimit të forcës ushtarake për zgjidhjen e problemeve rajonale dhe ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, Gjermania Federale u tregua shumë e kujdesshme për të mos marrë rol prijës në politikën europiane apo ndërkombëtare, në rend të parë për shkak të trashëgimisë dhe nga Lufta e Dytë Botërore.

Gjermanët nga të dy anët e kufirit nuk hoqën dorë nga ëndrra e tyre për ribashkim në një shtet, edhe pse kjo dukej thjesht një ëndërr në kohën e ashpërsimit të Luftës së Ftohtë, e cila kulmoi me ngritjen e Murit të Berlinit në vitin 1961. Për tridhjetë vjet u ky mur u bë sinonim i ndarjes së kombit gjerman, por për Berlinin u bë sinonim i dështimit të politikës sovjetike dhe sovjetizimit të  Gjermanisë Lindore. Megjithatë, Henry Kissinger me të drejtë thotë se kriza e Berlinit shënoi një kthesë në Luftën e Ftohtë, ndonëse ajo nuk u perceptua si e tillë në atë kohë.

Pika e kthesës arriti më 6 dhe 7 tetor, kur në mbarë RDGJ që kontrollohej dhe komandohej nga Moska sovjetike ishin planifikuar të bëheshin festime të mëdha me rastin e dyzetvjetorit të themelimit të regjimit komunist. Pas festimeve të bëra, në të njëjtën ditë në mbarë Gjermaninë Lindore filluan demonstratat antiqeveritare, në të cilat kërkohej reformimi i sistemit politik, zgjedhjet e lira, liria e fjalës, liria e lëvizjes dhe kërkesa të tjera politike. Vendosmëria gjermane ishte e madhe, ndërsa regjimi komunist i Honekerit po lëkundej drejt vdekjes. Katër javë më pas, më 9 nëntor 1989 Muri i Berlinit ra krejt papritur dhe paqësisht, sepse gjermano-lindorët nuk dëshironin të qëndronin të ngujuar si në kafaz në shtetin komunist të RDGJ-së. Ndodhi ajo që pak kush e kishte pritur dhe planifikuar: rënia e Murit të Berlinit, i cili për afro 30 vjet me radhë kishte ndarë më dysh qytetin e Berlinit dhe kombin gjerman, përkatësisht Gjermaninë Perëndimore(kapitaliste) dhe Gjermaninë Lindore (komuniste).

Kjo kthesë kaq e papritur historike, edhe sot nuk është sqaruar deri në fund.

Më 9 nëntor 1989, një lajm konfuz i shpërndarë nga media mobilizoi masat dhe kështu u bë realitet – rënia e Murit të Berlinit.  Kjo ngjarje, mbase nga  një gabim historik, hapi shtegun për unitetin gjerman. A ishte copëza e famshme e “letrës” konfuze e Günter Shabovskit ( ai thotë se dikush nga prapa ia vendosi në tavolinë dhe ai pa e analizuar vetëm e lexoi) një rastësi gjatë konferencës së tij për shtyp? A ishte KGB apo shërbimet e tjera të inteligjencës pas tij? A u organizua konferenca për shtyp? Ngjarjet e tilla politike të shekullit kanë qenë gjithmonë një objekt të preferuar të bërjes së mitit. Dhe, kështu nuk është aspak e habitshme që edhe për këtë ngjarje janë thurur legjenda të shumta rreth rënies së murit. Vetë Shabovski disa herë e ka pranuar se ajo copëz letre i erdhi në tavolinë dhe ai vetëm e lexoi pa ditur të jap shpjegimet të hollësishme. Pra, rënia e murit nuk ishte menduar as nga udhëheqja e SED dhe as nuk u njoftua nga Günter Schabowski. Anëtari i Politbyrosë në një transmetim të drejtpërdrejtë në konferencën për shtyp të televizionit RDGJ-së po njoftonte vetëm për një rregullore të re të udhëtimit për qytetarët gjermano-lindorë, e cila synonte të  lehtësonte presionin e publikut: Qindra mijëra njerëz kërkuan zgjedhje të lira, pranimin e grupeve të opozitës dhe, mbi të gjitha, lirinë e lëvizjes në demonstrata në të gjithë RDGJ.

Njoftimi i parakohshëm dhe konfuz i Shabovskit, interpretimi i tij nga media perëndimore dhe procesi mobilizues që rezultoi, përmbysi të gjitha këto qëllime të udhëheqjes së SED (pasardhëse e kësaj partie është PDS e Grigor Gyzit, që gjatë luftës ës Kosovës doli në përkrahje të Milosheviqit). Prandaj, mendohet komunikimet e Shabovskit nuk çuan në një mësymjet spontane dhe të menjëhershëm të gjermano-lindorëve në vendkalimet kufitare të Berlinit, por raportimet e medieve perëndimore, të cilat me apo pa qëllim interpretuan dekretin burokratik si një hapje të pakushtëzuar dhe të menjëhershme të kufirit. Kështu që AP raportoi në orën 19:05: “DDR hap kufirin”. Pak para fillimit të ARD “Tagesschau”, në orën 19.41, agjencia DPA e tejkaloi mesazhin AP, prezantoi njoftimin e Shabovskit si fakt tashmë të përfunduar, dhe shpalli “sensacional”: “Kufiri i RDGJ me Republikën Federale dhe Berlinin Perëndimor e hapur.“ Në këtë rrethanë, kur qindra mijë qytetarë gjermano-lindorë  kishin arritur tek vendkalimet me Berlinit Perëndimor, udhëheqja e Gjermanisë Lindore u dorëzua, ajo hapi portat pasi mungoi edhe mbështetja nga Moska e Gorbaçovit. Në këtë mënyrë, konsiderohet se rënia e Murit të Berlinit është ngjarja e parë botërore-historike që ndodhi si rezultat i shpalljes së parakohshme nga agjencitë e shtypit, televizionit dhe radios.

 

Bashkimi i Gjermanisë-fundi i Luftës së Ftohtë

Këto zhvillime të shpejta dhe dramatike duken si një ëndërr, por që në realitet ato ndryshuan zhvillimet e ardhshme në arenën ndërkombëtare dhe i dhanë fund Luftës së Ftohtë dhe konfrontimit Lindje- Perëndim. Rënia e murit të Berlinit, hapi perspektiva për një kalim në një etapë paqësore të historisë botërore. Për këtë arsye, 9 nëntorin e vitit 1989 nuk e festojnë vetëm gjermanët, por  të gjithë evropianët dhe njerëzit në botë. Me nënshkrimin në Moskë të Marrëveshjes “Dy-plus-katër” nga gjashtë ministra të jashtëm (dy ministrat e jashtëm të shteteve gjermane dhe ministrat e jashtëm të katër fuqive fituese të Luftës së Dytë Botërore) dhanë pëlqimin për bashkimin e Gjermanisë, që më pas u fuqizua edhe përmes ratifikimit të marrëveshjes për bashkim me 3 tetor nga ana e Bundestagu-t (Bon) dhe Kuvendit popullor (Berlini Lindor), kjo e fundi u shpërbë me 2 tetor, ndërsa me 3 tetor RDGJ edhe formalisht iu bashkua Republikës Federale të Gjermanisë. Bashkimi i Gjermanisë me 3 tetor u bë realitet përmes vendimeve demokratike dhe marrëveshjeve paqësore ndërkombëtare. Në këtë ditë kancelari i atëhershëm gjerman Helmut Kohl, në një mesazh drejtuar të gjitha qeverive të botës, thoshte: “Vendi ynë me rifitimin e bashkimit do t´i shërbejë paqes botërore dhe do të shpie përpara Bashkimin Europian”.

Rënia e Murit të Berlinit dhe bashkimi i shtetit gjerman ishte një triumf i lirisë, jo vetëm për kombin gjerman, por dhe për popujt tjerë të kontinentit.

Përfundimi i Luftës së Ftohtë nuk solli në Europë vetëm rënien e murit të Berlinit dhe të perandorisë sovjetike, e me këtë edhe lirinë dhe demokracinë për popujt e Evropës Lindore, por kjo ngjarje ishte gjithsesi një frymëzuese dhe shpresëdhënëse edhe për shqiptarët e Kosovës, të cilët prej shumë dekadash po bënin përpjekje të çliroheshin nga dominimi i Beogradit dhe të jetësonin ëndrrën e tyre për një shtet të pavarur. Po ashtu përfundimi i Luftës ës Ftohtë edhe në juglindje të kontinentit tonë, në ish-Jugosllavi, solli luftërat e përgjakshme ndëretnike. Dhe ky zhvillim ndryshoi në mënyrë thelbësore politikën gjermane. Formula e vjetër federative republikane “i majtë-paqësor” nuk do të përballonte këtë sfidë. Ishte politikani i njohur gjerman nga radhët e të gjelbërve Dany Cohn-Bendit ai i cili në vitin 1993 për herë të parë u shpreh për intervenimin ushtarak të Perëndimit, e me këtë edhe të Gjermanisë në Bosnjë. Kthimi i luftës në Jugosllavi dhe ringjallja e politikës nacionaliste të dhunës, tronditën në mënyrë radikale pikëpamjet e të majtës gjermane për botën dhe sistemin e vlerave. Për herë të parë pas Luftës ës Dytë Botërore dhe riarmatosjes së Gjermanisë Perëndimore, tani duhej të merrej një vendim konkret ndërmjet dy parimeve “Kurrë më luftë” dhe “Kurrë më gjenocid dhe kurrë më Auschwitz”, dhe atë në favor të parimit të dytë.

 

Diplomacia gjermane dhe Kosova

 

Pas ribashkimit natyrshëm ndryshoi edhe pesha dhe roli i Gjermanisë në skenën politike evropiane dhe ndërkombëtare. Kur Hans-Dietrich Genscher, atëherë ministër i Jashtëm i Gjermanisë,  kishte shtyrë përpara njohjen e Kroacisë dhe Sllovenisë, gjermanët ishin akuzuar te kenë motive të larta, madje duke përhapur frikën “se shprehitë e vjetra të Großdeutschland nuk kanë vdekur” (Woodward). Ky keqkuptim i pathemeltë shpejt ishte eliminuar. Luftërat e vazhdueshme në ish-Jugosllavi, shkatërrimet dhe masakrat, veçanërisht ato të kryera nga ushtarët serb, dhe masa e refugjatëve, qindra mijëra prej të cilëve kërkuan strehim jashtë, jo vetëm që vunë në pikëpyetje themelet morale dhe vlerat politike të komunitetit euro-atlantik, por ato demonstruan se interesi i përbashkët evropian dhe amerikan në zgjidhjen paqësore të konfliktit dhe në sjelljen e stabilitetit të qëndrueshëm në regjion i lehtësoi miqësitë tradicionale dhe interesat e nacionale. Pas tmerreve të shekullit njëzet, Evropa nuk mundej të toleronte më tej një politikë të cinizmit jo-human dhe barbarinë. Ata që ndiqnin një politikë të tillë duhej të ballafaqoheshin me një kundërshtim të vendosur. Ky është një mësim, dhe do të jetë, i rëndësishëm si në Evropë ashtu edhe më gjerë.

Për dallim nga shtetet tjera, Gjermania njohu më herët natyrën potencialisht eksplozive të problemit kosovar. Që në vitin 1992 diplomacia gjermane përkrahu dërgimin e vëzhguesve të OSBE (në atë kohë KSBE) në Kosovë. Këta vëzhgues, të cilët ishin pjesë të Misionit Afatgjatë në Kosovë, Sanxhak dhe Vojvodinë, duhej të promovonin dialogun në mes shqiptarëve të Kosovës, etnive tjera në Sanxhak dhe në Vojvodinë dhe qeverisë së Beogradit, të mbledhin informata për shkeljet e të drejtave të njeriut dhe të ndihmonin në draftimin e legjislacionit mbi të drejtat e minoriteteve, lirinë e medieve dhe zgjedhjet demokratike. Ministri i Jashtëm gjerman, Hans Ditrich Genscher, në një fjalim para parlamentit shqiptar në prill 1992, vinte në duke  se asnjë popull tjetër nuk ka m shumë arsye për të respektuar të drejtën e popujve për vetëvendosje sesa populli gjerman, duke shtuar se me udhëzimin e tij, Komisioni i KSBE-së, në janar të vitit 1992 kishte raportuar për gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe e vlerësoi këtë gjendje jashtëzakonisht të pakënaqshme në shumë aspekt.

Por, meqë, Gjermania barte pa të drejtë mbi supe hipotekën e fajësisë për njohjen e shpejt të Sllovenisë dhe Kroacisë, në rastin e Kosovës ajo u tregua përherë më e përmbajtur, bile shpesh qëndroi në periferi të vendimmarrjes ndërkombëtare. Por, duhet pohuar se roli aktiv brenda Grupit të Kontaktit për Ballkanin, që ishte themeluar në prill të vitit 1994, i dha peshë të veçantë politikës gjermane, e cila përherë amortizoi dallimet në relacionet ndërmjet SHBA-së dhe Rusisë në rastin e Kosovës. Siç e ka pranuar publikisht edhe ambasadori Wolfgang Ishinger, në Konferencën e Dejtonit gjermanët ishin më të zëshmit për hapjen e dosjes së Kosovës, por asokohe në rend të parë ishte paqëtimi i Bosnjë-Hercegovinës dhe ishte rivaliteti i disa vendeve evropiane që për shkak të rastit të Sllovenisë dhe Kroacisë, nuk dëshiron që njohja e Jugosllavisë së mbetur të kushtëzohej e zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Vitet 90-të të shekullit 20 ishin një periudhë thelbësore për Gjermaninë, pasi pas Luftës së Ftohtë ky shtet u etablua si një aktor shumëpalësh dhe aleat i besueshëm transatlantik. Doktrina e politikës së jashtme gjermane e pas luftës u përqendrua në qasje “kurrë më luftë”, një referencë jo vetëm për Holokaustin dhe krimet gjermane të luftës, por edhe për politikë e jashtme e njëanshme dhe agresive të atij regjimi. Por, gjatë luftërave në Jugosllavi politikëbërësit gjermanë e konsideruan regjimin e Millosheviqit si agresorin kryesor. Nën tjetër, shqiptarët e Kosovës kundër masave shtypëse të Serbisë reaguan me rezistencë paqësore, me një bojkot të institucioneve publike dhe kulturore të kontrolluara nga Beogradi dhe me krijimin e strukturave të veta paralele.  Në të vërtetë, siç thotë ish-ministri i jashtëm gjerman, Joshka Fisher, reagimi pa dhunë i shqiptarëve ishte në përputhje me idealet paqësore të pjesës më të madhe të së majtës gjermane.  Dhe kush e di se si do të kishte rrjedhur historia, po të kishin përkrahur me solidaritet e majta evropiane dhe të gjelbrit qysh atëherë rezistencën e drejtë dhe paqësore të kosovarëve.  Por, kjo mundësi nuk u shfrytëzua asnjëherë në periudhën e pas vitit 1989, thotë ai.

Kërkesat e shqiptarëve të Kosovës u radikalizuan, sidomos pas konferencës së Dejtonit, pasi kjo konferencë nuk përfshiu Kosovën. Pasi UÇK zgjeroi radhët, Beogradi vazhdoi fushatën e spastrimit etnik sipas modelit të Bosnjë dhe Kroacisë. Me këtë rast pati sulme brutale kundër popullatës shqiptare. “Jo kundër UÇK-së, por para së gjithash terrorizmi dhe dëbimi i popullatës shqiptare ishin qëllimi i vërtetë i luftës. Ngase përbërja etnike në Kosovë duhej të ndryshohej përgjithmonë dhe kjo mund të bëhej vetëm me përdorimin e dhunës brutale dhe terrorit. Ishin këto synime kriminale të luftës, por pikërisht këtë e parashihte programi serbomadh”, pohon Fischer, një nga politikanët më të angazhuar gjerman në luftën e Kosovës.

Sjellja e qeverisë gjermane në vjeshtën e vitit 1998 tregon se dëshira për të qëndruar së bashku me aleatët e saj ishte konsiderata e parë e Bonnit dhe më kryesorja.

Megjithatë, është e dyshimtë nëse solidariteti vetëm me anëtarët e tjerë të NATO-s do të kishte qenë i mjaftueshëm për të mbajtur koalicionin e luftës të bashkuar. Kjo ndodhi, në mënyrë kritike, nga  një motivim i  dytë  i fuqishëm: objektivi humanitar i dhënies fund të thertores, terrorit , spastrimit etnik në Kosovë. Neveri, me një përzierje të ndjenjës së fajit,  faji për të kaluarën më të largët naziste, si dhe dështimi perëndimor i fundit  në Bosnjë, dhanë një arsye të fuqishme për të avokuar përdorimin e forcës

Angazhimi gjerman fitoi profil veçanërisht  gjatë Konferencës së Rambujesë (shkurt-mars 199), kur Fisher i dha ton jo vetëm diplomacisë gjermane, por edhe koordinimit të diplomacisë gjermane dhe amerikane lidhur me zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Dueti Albright-Fischer ishte një simfoni që i jepte tonë qëndrimeve për Kosovën  brenda Grupit të Kontaktit, G-8 dhe vendeve të quintit. Por, Gjermania qëllimisht nuk mori rol kryesues në Konferencën e Rambouillet për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, meqë në këtë mënyrë dëshirohej të evitohej keqpërdorimi i këtij roli nga propaganda nacionaliste në Serbi.

Pas dështimit paraprak shumëvjeçar të bashkësisë ndërkombëtare në Bosnjë, gjë që u kushtoi me jetë rreth 200 mijë njerëzve, SHBA-ja ishte e vendosur që të vepronte ushtarakisht kundër Millosheviçit, në rast nevoje edhe pa vendimin e Këshillit të Sigurimit, nëse ai nuk do të hiqte dorë nga fushat e vrasjeve dhe e dëbimit të civilëve shqiptarë. Ky intervenim ushtarak duhej të ndërmerrej duke u bazuar ne vendimin e Këshillit të NATO-s, pjesë e të cilit ishte edhe Gjermania. Në këtë mënyrë, shteti gjerman, por përfshihej në marrjen e vendimit të mundshëm dhe në udhëheqjen e luftës nga NATO-ja në Kosovë pikërisht në kohën e ndërrimit të qeverisë, të largimit të kancelarit Helm Kohl dhe ardhjes në pushtet të qendrës së majtë, koalicionit kuq-gjelbër të Shrëderi dhe Fisherit. Ishte e qartë se Gjermania nuk mund të qëndronte më anash dhe të rrezikonte përçarjen e aleancës. Angazhimi ushtarak në luftën e Kosovës më 24 mars 1999 ishte një vendim historik, ngase për herë të parë që nga përfundimi i Luftës ës Dytë Botërore, shteti gjerman merrte pjesë në një operacion ushtarak jashtë hapësirës së NATO-s. Në këtë fazë politikanët gjermanë, kancelari Gerhard Shrëder,  ministri i Jashtëm Joshka Fisher dhe ministri i Mbrojtjes Rudolf Sharping për angazhimin ushtrisë gjermane në luftën e Kosovës përdorën edhe argumentin moral. Është e njohur thënia lapidare e  Fisherit: “Kurrë më Aushvic”, “Kurrë më gjenocid”. Veç kësaj, Gjatë krizës së Kosovës, koalicioni qeverisës  kuq /gjelbër kaloi dy pragjet kritike

në lidhje me përdorimin e forcës. Së pari, Bonni pranoi nevojën për pjesëmarrjen në Bundeswehr në Sulmet ajrore të NATO-s, kështu për herë të parë përfshiu ushtarët gjermanë në misione luftarake. Së dyti, qeveria ra dakord për ta bërë këtë në mungesë të një mandati nga ana e Këshillit  të Sigurimit të OKB- që është, pa ndonjë legjitimitet të dyshimtë, në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Ky qëndrim dëshmonte se në fokus të angazhimit gjerman ishte mbrojtja vlerave humane përballë terrorit të Beogradit dhe jo e interesave  nacionale.

Për më tepër, lufta e Kosovës shënoi rikthimin e fuqishëm të Gjermanisë në parketin e diplomacisë ndërkombëtar dhe rritjen e rolit të sa në Ballkan, respektivisht ishte fillimi i asaj, çfarë më vonë kancelari Gerhard Shrëder e quante “detabuizimi” ushtarak. Ky angazhim në intervenimin humanitar në Kosovë ishte një hap vendimtar në procesin e zhvillimit të një roli të ri gjerman në Ballkan. Ky vendim njëkohësisht ishte edhe shkëputje me rregullin e vazhdimësisë, që deri atëherë kishte qenë në fuqi për politikën e jashtme gjermane.

Në të njëjtën kohë, lufta e Kosovës gjithashtu ka shënuar një pikë kthyese në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kjo nuk ishte një luftë e fuqive gjeopolitike, të cilat kishin lënduar aq thellë Evropën Jug-Lindore në të kaluarën, por ishte më tepër një nevojë për të shmangur një katastrofë humanitare. Në vend të interesave nacionale, komuniteti ndërkombëtar përcolli qëllimin e implementimit të parimeve themelore të ligjit dhe humanitetit.

Joshka Fisher, në veçanti, solli në kujtesë thënien  shpesh të përqeshur të Helmut Kohl se Integrimi evropian ishte një çështje e luftës ose e paqes, duke argumentuar se lufta e Kosovës përfaqësonte një kërcënim për arritjet e integrimit evropian perëndimor. Në të gjitha këto aspekte, sjellja Gjermane i përgjigjej ngushtë konceptit të rolit të aktorit kolektiv dhe partnerit të mirë. Gjermania ishte në ballë të kërkimit të një alternativa politike në periudhën kur po vazhdonte fushata ajrore e NATO-s, që shënon kalimin nga “diplomacy backed by force” në “force backed by diplomacy”. Kështu , pas disa mospërfilljeve fillestare të të dërguarit të posaçëm Rusisë Viktor Chernomyrdin, Boni me të ashtquajturin “Plani Fischer « i hapi rrugën rikthimit të Rusisë në procesin diplomatik , dhe gjithashtu krijoi mundësinë për përfshirjen e KS të OKB-së dhe në fund edhe miratimit të Rezolutës 1244 të KS të OKB-së. Ky angazhim gjerman çoi në arritjen e një konsensusi edhe brenda vendeve të G-8, i cili në themelet e një zgjidhjeje politike përfshinte edhe tërheqjen e plotë të forcave ushtarake dhe policore serbe. Por, në fund të një lufte qëndron sfida për një fillim të ri. Vera e vitit 1999 gjeti ushtarët gjerman në misionin ushtarak në Kosovë, i cili nuk ishte mision përkrahës i vijës së dytë, siç ishte rasti në  Kamboxhë, Somali, apo edhe gjatë misionit IFOR në Bosnje, por ushtarët gjerman kishin marrë pjesë aktivisht në një operacion ushtarak të udhëhequr nga NATO, me qëllime ushtarake—tërheqjen e trupave serbe nga Kosova. Gjermania po angazhohej për herë të parë  Kjo sinjalizon shumë qartë se Gjermania e ri-bashkuar kishte vullnet të marrë më shumë përgjegjësi dhe se aleatët dhe partnerët e Gjermanisë janë të gatshëm të pranojnë këtë rol të ri të tyre në mbrojtjen e paqes dhe stabilitetit në Evropë.

Pesha e veçantë e diplomacisë gjermane u evidentua edhe në çështjen e definimit të statusit të Kosovës. Ishte Berlini që në vitin 2003 inicioi riaktivizimin e Grupit të Kontaktit,  një instrument i diplomacisë ad hoc ndërkombëtar që ravijëzoi parimet bazë për adresimin e statusit të Kosovës dhe i hapi rrugën procesit negociues të Vjenës nën drejtimin e ish-presidentit finlandez Martti Ahtisaari. Po ashtu, përmes pranisë së saj në kryes të institucioneve kryesore ndërkombëtare në Kosovë; Joachim Ryker në krye të UNMIK-ut, Wolfgang Ishinger, figura kyçe e përfaqësuese e politikës së jashtme gjermane në negociatat shtesë 120 ditore në gjysmës së dytë të vitit 2007. Berlini zyrtar gjithashtu kishte një detyrë të ndjeshme që në koordinim me Washingtonin dhe Brukselin që të përgatis terrenit diplomatik për shpalljen dhe njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.

Për të theksuar dëshirën e saj për stabiliteti rajonal, Gjermania i dha përparësi përgatitjeve për vendosjen e Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit për Kosovën (EULEX). Ndërsa, kur Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008, Gjermania ishte një nga vendet e para që e njohur shtetësinë e vendit tonë. Sidoqoftë, ministri i Jashtëm i Gjermanisë Frank-Walter

Steinmeier do të përdorte gjuhë të kujdesshme. Në kontrast me Presidentin Bush, i cili

e quajti shpalljen e pavarësisë një “çlirim”, Steinmeier pranoi se deklarata e pavarësisë  ndodhi pas bisedimeve të shumta multilaterale të dështuara, duke shtuar se njohja ishte e vetmja mundësi për të siguruar stabilitet në rajon.

Për Gjermaninë ishte me rëndësi të mbrohej edhe ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës,  pasi Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara kishte dërguar në këtë gjykatë kërkesën e Serbisë nëse pavarësia Kosovës ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare?  Gjermania, së bashku me anëtarët e saj quintit, mori një rol udhëheqës në duke iu përgjigjur iniciativës. Berlini ishte i angazhuar që mendimi i GJND-së

Të ishte në favor të Kosovës, pasi kjo do të përjashtonte çdo pretendim të Serbisë për rihapjen e bisedime të mëtejshme për statusin të udhëhequra nga KB. Pas kësaj, Gjermania mori pjesë në diskutimet në GJND-së, duke argumentuar ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Kështu funksionoi ngushtë me partnerët e saj për koordinimin e argumenteve ligjore dhe në diskurs Berlini përherë kishte deklarata koherente. Pika kryesore e Gjermanisë ishte përshkrimi i rastit të Kosovës si një rast sui generis, që negociatat shumëpalëshe kishin shteruar të gjitha rrugët e mundshme dhe se pavarësia e Kosovës do të çonte në një stabilitet më të madh të rajon. Përfaqësuesja e Gjermanisë në këtë gjykatë hodhi poshtë pretendimin se pavarësia ishte i paligjshëm me arsyetimin se ligji ndërkombëtar hesht për rastin e ndarjes dhe se rezolutë e OKB 1244 nuk ndalonte shpalljen e pavarësisë.

do të dëmtonte status quo-në e sapo arritur. Sidoqoftë, nuk mund të ishte

Momenti tjetër i rëndësishëm i angazhimit të politikës gjermane në raport me Kosovën ishte qëndrimi i vendosur dhe i qartë i Kancelares Angela Merkel, e cila gjatë takimit me Vuçiç në Beograd në të vitit 2011 qartas deklaroi se Beogradi duhet të shpërbënte strukturat ilegale serbe në veri të Kosovës, si dhe duhej të fillonte dialogun me fqinjin e saj, Kosovë. Një vit më vonë, në emër të fraksionit CDU/CSU, Andreas Schokenhoffen, prezantoi platformën shtatë pikëshe  si shtatë kushtet gjermane për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore Kosovë-Serbi. Nëpërmes këtij dokumenti Gjermania pa dyshim fuqizoi pozicionin e Kosovës si dhe i dha dinamikë të re dialogut në mes dy shteteve të rajonit të Evropës Juglindore. Ky kushtëzim gjerman mes tjerash parashihte që Serbia në fund të procesit për anëtarësim  në BE duhej të nënshkruante me Kosovën një marrëveshje ndërkombëtare juridikisht obliguese për normalizimin e raporteve fqinjësore.

Pas këtyre zhvillimeve, bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor mori një drejtim të duhur sidomos me Procesin e Berlinit, i cili startoi me më 28 gusht 2014, në përvjetorin e 100 të Luftës së Parë Botërore më 28 gusht 2014. Ky proces nën vulën e Kancelares Merkel  përbënte një momentum të ri politik për vendet e rajonit në kuptimin e bashkëpunimit rajonal dhe të integrimit evropian. Pas Samitit të BE-së në Selanik 2004, Samiti i Berlinit është takimi më i rëndësishëm politik lidhur me problematikën dhe të ardhmen e Ballkanit Perëndimor. Por, veçantia e tij lidhet me shndërrimin e problematikës rajonale të Ballkanit Perëndimor në politikë prioritare evropiane dhe me rikthimin e rajonit në agjendën e politikë së jashtme gjermane, e cila mbetet më me ndikim në formulimin edhe të politikave të BE-së karshi rajonit.

Edhe tani kur pritet marrëveshja finale ndërmjet Kosovë dhe Beogradit, roli i Gjermanisë mbetet thelbësor si në paqëtimin e rajonit dhe vendimtar në procesin e integrimit europian. Ky nuk është vetëm një rol i ri i Gjermaninë, por edhe është edhe një përgjegjësi e re ndërkombëtare që ka marrë përsipër, dhe që po i kërkohet nga evropianët, siç do të thoshte  Henry Kisinger. Po ashtu, një qëllim strategjik i vazhdueshëm për politikëbërësit gjermanë është një integrim i suksesshëm dhe paqësor i Kosova në rajon dhe në BE. Në këtë mënyrë, Kosova e sheh Gjermania, jo vetëm si një adresë e rëndësishme politike në Evropë, por edhe si një nga shtetet kryesore të BE-së që angazhohet në drejtim të promovimit dhe të integrimit e plotë të shtetit të Kosovës në sistemin ndërkombëtar.

 

[1] Ky artikull është shkëputur nga libri në dorëshkrim “Diplomacia gjermane dhe çështja e Kosovës 1990-2008”.

Share: