Për meritat le të flasin të tjerët…

Analizë Opinion

…e për të ardhmen ata që vërtet e duan të ardhmen! Disa shënime për ditën e çlirimit.

Nga Enver Robelli

Heroi i vërtetë nuk flet për meritat e tij as në luftë, as në paqe. Heroi i rrejshëm flet përherë për meritat e tij në luftë dhe në paqe, sepse heroi i rrejshëm e di që rrëfimeve të tij nuk i beson gati askush, përveç një grushti përfituesish nga pushteti i tij. Ku vërehet dallimi mes heroit të rrejshëm dhe atij të vërtetë? Një shembull nga historia amerikane: në vitin 1954 u shënua 10-vjetori i zbarkimit të trupave amerikane në Normandi, me ç’rast filloi çlirimi i Europës nga nazizmi. Komandanti i trupave amerikane Dwight D. Eisenhower, i cili më 1954 ishte president i SHBA-ve, atë përvjetor e kaloi i tërhequr në jetën private. Në një deklaratë të shkurtër ai me asnjë fjalë nuk i përmendi meritat e tij.

Ka edhe pushtetarë të tjerë, që pasi kanë shtypur vendin, injorojnë realitetin. Më 1969, një vit pas rrëzimit nga pushteti, ish-diktatori portugez Antonio Salazar nuk e dinte se koha e tij kishte perënduar. Senili Salazar thërriste mbledhje të qeverisë dhe askush nga besnikët e tij të vjetër nuk guxonte t’i tregonte se dikush tjetër e ka marrë postin e tij. Politikanët që refuzojnë të kuptojnë se u ka ikur koha, janë të dëmshëm dhe të rrezikshëm: nuk duan të largohen pa shkaktuar tragjedi dhe pa lënë pasoja për vendin.

Diçka për përmendoret, sepse në çdo përvjetor hapet edhe kjo çështje në Kosovë: në Bruksel është një bust i Carit rus Pjetri i Madh. Ai bust nuk është zbuluar për ndonjë vepër heroike të carit rus. Busti përkujton se në atë vend cari rus ka vjellë në vitin 1717. Arsyetimi: me vjelljen e tij cari e paskësh fisnikëruar ujin. Sa heronj të Kosovës do të pështynin sot përmendoret e tyre që ua kanë ndërtuar pushtetarët? I kanë ndërtuar jo për t’i nderuar, por për t’i poshtëruar!

Në rastin e Kosovës mund të pyesim: në cilin pus do të villnin sot Ibrahim Rugova e Adem Jashari, Agim Ramadani e Sali Çekaj, Smajl Hajdaraj e Adrian Krasniqi, Zahir Pajaziti e shumë e shumë shpirtra sakrifikues dhe vizionarë të projektit për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës? Me emrat e tyre sot manipulohet egërsisht. Emrat e tyre keqpërdoren për të shtrembëruar të kaluarën dhe për të mos menduar për të ardhmen, madje për ta mjegulluar atë. Sepse manipuluesit e historisë një gjë nuk i shqetëson: si do të jetë e ardhmja e qytetarëve. Atyre u intereson vetëm si do të jetë e ardhmja e tyre personale dhe klanore. E ardhmja e pasurisë që kanë krijuar paligjshëm dhe të cilën synojnë ta mbrojnë me çdo mjet.

Kjo mendësi diktatoriale të kujton François Duvalierin (ose Papa Doc-un) e Haitit, i cili ndryshoi lutjen “Ati ynë” në mënyrë që haitianët t’i luten jo zotit, por sunduesit. Edhe në Kosovë klasa e korruptuar politike kërkon nga qytetarët që t’i luten atyre dhe jo të kërkojnë shtigje për të dalë nga qorrsokaku politik e drejt mirëqenies ekonomike.

Manipulimi më i madh bëhet në përvjetorë. Përmenden njerëz që nuk mund të flasin më, shpalosen përmendore pa asnjë shije estetike, bëjnë zhurmë lahutarë të vjetër të nëntokës politike. Një përkujtim pa emra do të kishte po ashtu mjaft vlerë. Ose me disa emra që shoqëria harron t’i kujtojë. 12 qershori mund të ishte dita e Valmir Deliut dhe Mihane Gashanit. Civilë të vrarë nga shteti serb. Sepse lirinë Kosovës ia kanë sjellë sidomos viktimat civile. Në luftë dhe në paqe bajraktarët shqiptarë nuk janë marrë vesh për asgjë. Siç nuk po merren vesh as në vitin 2020. Sepse në thelbin e mosmarrëveshjeve qëndron ndarja e madhe shoqërore: mes atyre që e bënë luftën për liri pa interesa personale dhe atyre që luftën e shohin ende si tender. 10 për qind. 20 për qind. 30 për qind… “Mshoj gjanarski jarani jem”. Gati të gjithëve mund t’u kujtohet kjo parullë e mafisë “çlirimtare”.

Share: