Shansi i dytë i Gjermanisë për të unifikuar BE-në në njohje të Kosovës

Analizë Opinion

Nga Agustin Palokaj

Nëse Gjermania dëshiron sukses të vërtetë në dialogun Kosovë-Serbi, pos thirrjeve palëve që të punojnë me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së, Lajçak, duhet të angazhohen edhe në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga të gjitha shtetet e BE-së, liberalizimin e vizave për Kosovën dhe avancimin e procesit të zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit. Kur e ka vullnetin, Gjermania ka edhe fuqinë edhe kapacitetin për të krijuar unitetin e BE-së. Në vitin 2007, Gjermania si kryesuese e radhës e BE-së, kishte dështuar të ndërtojë unitetin e të gjitha vendeve anëtare për mbështetjen e Pakos së Ahtisaarit. Kjo hapi rrugën për ndarjen e BE-së edhe rreth njohjes së pavarësinë një vit më vonë gjatë Kryesimit Slloven të BE-së. Tash, kur Gjermania përgatitet të kryesojë BE-në, në një moment shumë historik ka shansin e dytë të unifikojë BE-në për njohjen e Kosovës

Bashkimi Evropian po përballet me mungesë serioze të unitetit rreth çështjeve jetike siç janë Fondi për rimëkëmbje pas krizës së Korona virusit në vlerë prej 750 miliardë eurosh dhe Korina shumëvjeçare financiare për periudhën 2021-2027 në vlerë prej 1,1 trilion eurosh.

Shtetet anëtare janë shumë larg edhe rreth kritereve të mobilizimit të këtyre mjeteve financiare edhe rreth atyre se si të përdoren. Pozicionet janë aq të kundërta, sa Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, e ka quajtur këtë si një “klimë e mosbesimit të thellë mes vendeve të BE-së”, siç e kanë cituar disa burime nga një takim i mbyllur në Parlamentin Evropian.

Ndasitë për këto dy gjëra janë aq të rrezikshme, sa që mund të lëkundin vetë themelet e BE-së. Sepse ato themele janë mbi parimet e solidaritetit dhe unitetit. E kur themelet nuk janë të forta dhe lëkundën, i tërë konstruksioni është në rrezik.

Në fund të kësaj jave do të ketë një tentim për të afruar pozicionet. Por, nuk ka gjasa të ketë sukses. Shanset më të mëdha për krijimin e unitetit, e me këtë edhe shpëtimin e BE-së, do të jenë kur kryesimin do ta marrë Gjermania nga 1 korriku. Menjëherë do të zhvillohen së paku dy samite të liderëve, dhe atë me praninë e tyre fizike në Bruksel. Sepse nëse Gjermania nuk mundet, atëherë nuk mundet askush tjetër ta unifikojë BE-në. Prandaj edhe asnjë Presidencë e deritashme e BE-së nuk e ka pasur rëndësinë e asaj që ka kjo e tashme, e cila e ka marrë tashmë emërtimin e “Corona Presidencës”.

Ndasitë për buxhetin shumëvjeçarë dhe fondin për rimëkëmbje pas krizës së pandemisë janë aq të mëdha dhe të thella në BE, saqë ato rreth statusit të Kosovës duken hajgare. Por, edhe pse nuk janë të peshës së njëjtë, për BE-në edhe ndasitë rreth Kosovës janë të rënda. Janë dëshmi se BE nuk mund të flasë me një zë as për një problem në oborrin e saj. Është një argument kundër forcës së BE-së në politikën e jashtme. Është një dëshmi për mungesën e guximit dhe unitetit të BE-së. E për dëmin që kjo tashmë i ka bërë Kosovës, nuk ka nevojë të flitet fare, sepse këtë po e ndiejnë qytetarët e saj.

Nëse Gjermania dëshiron sukses të vërtetë në dialogun Kosovë-Serbi, pos thirrjeve palëve që të punojnë me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së Lajçak, duhet të angazhohen edhe në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga të gjitha shtetet e BE-së, liberalizimin e vizave për Kosovën dhe avancimin e procesit të zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit. Kur e ka vullnetin, Gjermania ka edhe fuqinë edhe kapacitetin për të krijuar unitetin e BE-së. Në vitin 2007, Gjermania si kryesuese e radhës e BE-së, kishte dështuar të ndërtojë unitetin e të gjitha vendeve anëtare për mbështetjen e Pakos së Ahtisaarit. Kjo hapi rrugën për ndarjen e BE-së edhe rreth njohjes së pavarësinë një vit më vonë gjatë Kryesimit Slloven të BE-së. Tash kur Gjermania përgatitet të kryesojë BE-në në një moment shumë historik, ka shansin e dytë të unifikojë BE-në për njohjen e Kosovës.

Lajçaku mund të ketë ambicie, plan dhe vullnet. Ka pa dyshim edhe njohuri për problemin dhe përvojë për rajonin. Por, suksesi i tij në dialogun për normalizimin “gjithëpërfshirës” të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të varet nga kjo. Do të varet vetëm nga vendosmëria e Gjermanisë dhe Francës, para se gjithash Gjermanisë, që të përmbyllet me sukses ky dialog. E të gjithë, edhe ata që nuk e njohin Kosovën si shtet, e dinë se nuk mund të përmbyllet ndryshe, pos me njohjen e Kosovës edhe nga ana e Serbisë. E në këtë drejtim, uniteti i BE-së dhe njohja nga të gjitha shtetet e BE-së do të ndihmonte. Sepse edhe Serbia do ta kishte më lehtë sikur të gjitha shtetet e BE-së ta njohin Kosovën, që ta pranonin këtë si realitet i cili nuk mund të kthehet prapa.

Të dyshosh në fuqinë e Gjermanisë për ta unifikuar BE-në në një çështje të rëndësishme, është sikur të dyshosh në tërë BE-në.

Ishte pranvera e vitit 2007, vetëm disa ditë pasi ishte bërë publike e ashtuquajtura “Pakoja e Ahtisaarit”, në formën e Propozimi gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës. Në qytetin e bukur Gjerman Bremen, ishin mbledhur në një takim joformal ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, i cili në atë kohë kishte 27 anëtarë (koincidencë që prapë Gjermania do ta drejtojë një BE me 27 anëtarë, sepse ndërkohë në BE është anëtarësuar Kroacia dhe është larguar Britania e Madhe). Pritej që me kryesimin e ministrit të atëhershëm gjerman, Frank Walter Steinmayer, sot President i Gjermanisë, me rolin aktiv të Përfaqësuesit të lartë Javier Solana, këto shtete të dëshmojnë unitet lidhur me problemin i cili e mundonte aq shumë Evropën dhe zgjidhja e të cilit do të përmbyllte fazën e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.

Në Bremen të Gjermanisë më 30 mars 2007 pritej që BE-ja qoftë dhe nga një takim joformal i njohur me emërtimin “Gymnich”, të shprehë unitet lidhur me Kosovën dhe të mbështesë propozimin që e kishte bërë ish-Presidenti i Finlandës Ahtisaari, mes tjerash edhe duke ndjekur interesat e BE-së. Por, kjo nuk ndodhi. BE-ja edhe atëherë, sikur që mundohet edhe sot, luante me fjalë për të manipuluar opinionin. Dolën në konferencë për shtyp Presidenti i sotëm i Gjermanisë, Steinmayer, krahas Javier Solanës, dhe u thanë gazetarëve se kanë pasur një diskutim të “hapur, konstruktiv dhe të frytshëm”. Dhe, si konkluzion i tyre ishte se “të gjitha vendet e BE-së janë unike në mbështetje të përpjekjeve të Marti Ahtisaarit”. Ku ishte manipulimi? Ishte te fjala “përpjekje”. Sepse Ahtisaari nuk bënte më “përpjekje”. Ai i kishte kryer ato dhe puna e tij kishte përfunduar me publikimin e pakos e tij me propozimin për pavarësinë e Kosovës nën mbikëqyrje ndërkombëtare.

Pra BE-ja pritej të deklarohej se është unike në mbështetje të propozimit të Ahtisaarit, e jo të shpëtojnë fytyrën duke mbështetur “përpjekjet e tij”.

Të vërtetën që kishte ndodhur në takim, gazetarëve ua kishte zbuluar një ministër i Jashtëm i një vendi të vogël, i cili kishte dalë nga takimi para se ai të përfundonte për të folur për media. Dhe ai ministër u kishte thënë gazetarëve se në takim nuk ka pasur unitet, se shumica e shteteve mbështesin propozimin e Ahtisaarit për pavarësinë e Kosovës ndërkombëtarisht të mbikëqyrur, por se ka shtete si Sllovakia, Greqia, Qipro dhe Rumania që mbështesin më shumë Rusinë në interpretimet e tyre sesa shumicën e madhe të BE-së.

Ndasitë kishin dalë në shesh edhe më qartë një ditë pasi Kosova shpalli pavarësinë. Sllovenia, e cila vetë ishte pavarësuar duke shpallur “njëanshëm” pavarësinë, pa e pyetur Beogradin për leje, mbështeste pavarësinë e Kosovës, por nuk e kishte fuqinë që disa vende të BE-së të pajtohen. Ministri i Jashtëm i Spanjës, Miguel Moratinos, duke shkelur një marrëveshje mes shteteve që askush të mos dalë me deklarata publike pa u miratuar “deklarata e përbashkët e Këshillit të BE-së” erdhi më herët në ndërtesën e Këshillit në Bruksel dhe gazetarëve u tha se “shpallja e pavarësisë së Kosovës është shkelje drastike e së drejtës ndërkombëtare” dhe pastaj vazhdoi ta krahasojë atë me ndërhyrjen Amerikane në Irak dhe kështu prishi tërë atmosferën edhe para se të niste takimi. Deklarata e përbashkët doli si diçka krejt e paqartë, siç janë të paqarta edhe komunikatat e BE-së edhe sot kur bëhet fjalë për Kosovën. BE-ja nuk pati qëndrim të përbashkët fare për statusin e Kosovës. Madje edhe në pjesën e deklaratës ku i referohet faktit se Kuvendi i Kosovës ka shpallur Rezolutën për pavarësi, nuk “merr në dijeni” shpalljen e pavarësinë, por “merr në dijeni” obligimet që ka marrë Kosova për të mbrojtur pakicat dhe për prani ndërkombëtare.

Për dallim nga deklaratat në rastet e tjera kur ndonjë shtet ka shpallur pavarësi, si në rastin e Malit të Zi, ku u bëhet ftesë vendeve anëtare që me shtetin e ri të “vendosin raporte si me shtetet sovrane sipas ligjeve nacionale dhe ndërkombëtare”, një thirrje e tillë për Kosovën mungoi. Rasti i Malit të Zi e bën të pasaktë argumentin që tash përmendet Përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell se “nuk i takon BE-së të vendosë për njohje të pavarësisë”, sepse BE mund ta marrë një vendim të tillë politik, ndërsa aktin formal, natyrisht, e bëjnë shtetet anëtare.

Njësoj me logjikën e Borrellit do të ishte e saktë të thuhej se “BE-ja nuk vendos për zgjerimin dhe pranimin e anëtarëve të rinj, por këtë e bëjnë shtetet anëtare”. Formalisht kjo do të ishte e vërtetë, sepse kur vetëm një shtet të jetë kundër, asnjë shtet nuk mund të pranohet në BE. Përmendëm rastin e Malit të Zi për të mos u kthyer në 30 vjet prapa për të rikujtuar rastin e Kroacisë, kur vendosmëria gjermane detyroi madje edhe Britaninë dhe Francën që kundër vullnetit të tyre, të pajtohen që BE ta njohë Kroacinë si shtet.

BE në fund në fakt tradhtoi Ahtisaartin, duke mos pasur unitet për të mbështetur propozimin e tij, dhe tradhtoi edhe Kosovën duke mbetur neutrale ndaj statusit. Kosova deri me sot i ka përmbushur obligimet nga Pakoja e Ahtisaarit, ndërsa BE, pos që ka bërë eksperimente me praninë e saj në Kosovë, jo edhe aq të suksesshme, nuk ka lëvizur nga vendi sa u përket obligimeve politike. Në këtë mënyrë, BE nuk ka si të trajtojë Kosovën njësoj sikur shtetet e tjera të rajonit dhe nuk i ndihmon as Serbisë, së cilës ia lë përshtypjen se ende mund të gjejnë një zgjidhje tjetër që nuk është pavarësi e Kosovës. Një paqartësi e tillë vazhdon edhe sot kur Gjermania dhe Franca duan që dialogu të hyjë në fazën finale dhe të rezultojë me një Marrëveshje përfundimtare. Këto dy shtete, sidomos Gjermania, kanë rastin që të ketë ndikimin vendimtar, sepse kjo nuk është një punë që kryhet nga “shërbyesit civilë” apo “diplomatët” në institucionet e BE-së në Bruksel.

Share: