Nga Çapajev Gjokutaj
U festua 77 vjetori i Konferencës së Pezës. Ata që s’qenë të pranishëm, por u informuan nga mediat, vështirë se kanë arritur të marrin vesh gjë konkrete për kremtimet, pa le më të kenë patur mundësi të bëjnë qoftë dhe alfën e asaj që bëhet në festime ngjarjesh historike: të jenë nxitur të kujtojnë protagonistët e dikurshëm. Edhe më të vështirë do ta kenë pasur të meditonin sadokudo për mesazhet që kjo ngjarje historike i përcjell kohës sonë apo të synonin një opinion vetjak mes vlerësimeve dhe zhvlerësimeve, glorifikimeve dhe demonizimeve me të cilat e kanë përcjellë këtë ngjarje ligjërimi ynë shkencor dhe ai publik në dekada.
Mediat e vunë theksin gjetkë. Vërtetë përkujtohej një ngjarje e luftës që bënë baballarët dhe gjyshërit tanë treçerek shekulli më parë, por në plan të parë doli një betejë e ditëve tona, betejë shumë më… epike, po qe se i merr seriozisht titujt me të cilët mediat përcollën kremtimet.
Shumica e njoftimeve bënin fjalë për ndeshje, a më saktë cicmice tribunash, mes maxhorancës dhe presidentit. ‘Peza: Presidenti veshi kostumin e liderit të opozitës’, njoftonte njera nga mediat. ‘Thumbi i Veliajt për Metën: Pluralizëm në tryezë, por edhe në betejë’ ia hidhte tjetra. ‘Braçe përmend tradhtarët e vjetër dhe ata të rinj të rreshtuar sot kundra përëndimit’, ia kthente tjetra.
Tonet komiko-dramatike dolën më në reliev gjatë përkujtimit të 76 vjetorit të betejës së Gërhotit. Ceremonia nga akt përkujtimi, nderimi e meditimi për 36 të rënë, u kthye në grindje e sharje që fqinjëruan me përplasjen fizike. Të gjitha këto nuk u bënë për hir të dëshmorëve të kësaj beteje, por për interesa krerësh të fraksioneve të sotme balliste.
Përkujtimi i kesaj beteje duhej të kishte shërbyer si moment reflektimi për gjyshërit dhe baballarët e vrarë dhe, ca më shumë, për të tërhequr vëmendjen tek një figurë që i flet të sotmes. Fjala është për Hysni Lepenicën, pjesëmarrës i luftës së Vlorës, antimonarkist nga fillimi në fund, nacionalist e socialdemokrat i kohës, një nga figurat e moderuara të Ballit Kombëtar, me kontribute konkrete në luftën kundër pushtuesve italianë, madje edhe me episode bashkëpunimi me çetat partizane.
Pasqyrimi mediatik i kremtimeve të tilla nxjerr në pah një handikap të madh: politika e ditës, apo më saktë lufta për pushtet, ka prirje për ekspasion, synon jo vetëm të zerë vendin e kreut në ligjërimin publik e mediatik, por edhe të shtyjë në periferi, të zbehë e të përjashtojë problematika të tjera, shumë të rëndësishme për shëndetin dhe mbarëvajtjen e një shoqërie.
Përdorimi i ngjarjeve historike si kobure për interesat e palëve të sotme politike mund të duket e justifikuar. Historia gjithnjë përdoret për t’i folur aktualitetit dhe lufta që këto palë bëjnë për pushtet është luftë për alternim qeverisjesh, në thelb luftë për demokraci.
Por në rastet e mësipërme dhe në shumë të tjera kemi të bëjmë jo me përdorim të historisë për t’i folur të sotmes, por me banalizim e karikaturizim të saj. Mesazhet që përcjell historia në të sotmen funksionalizohen e vihen në dobi të shoqërisë kur veprojnë në spektër të gjerë, kur shërbejnë edhe për të shprehur respekt ndaj të parëve, edhe për të nxjerrë në pah vlera të përbashkëta që duhen forcuar e zhvilluar, edhe për të patur përfytyrim më esëll për identitetin tonë, edhe për balancime e korrigjime.
Parë kështu kemi të bëjme me një spektër përdorimi mjaft të gjerë, sa të rëndësishëm, aq edhe të çmuar. T’i përdorësh ngjarjet historike dhe, më gjerë, historinë vetëm për t’u shërbyer palëve të sotme politike është si të përdorësh topat e kalibrit për të gjuajtur dhelpra.
2.
Partitë politike kanë një prirje marramëndëse për të zaptuar çdo hapësirë, për të instrumentalizuar çdo ngjarje e çdo problem, duke e ngushtuar dhe katandisur në luftë dhe vetëm luftë për pushtet. Këtë prije e mishëron në trajtë thuajse ikonike odiseja ala shqiptare e dosjes 184.
Siç e dinë shumica e lexuesve dosja 184 ka si objekt përgjimet që pat bërë prokuroria e krimeve të rënda në shtator 2016, nisur nga kallzimi i PD-së se titullarë lokalë e qendrorë të PS-së po përpiqeshin të blinin vota dhe të ndikonin rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme për kryebashkiakun e Dibrës. Përgjimet janë bërë para tri vjetësh, por dosja ‘fjeti’ sirtarëve të prokurorëve dhe doli në publik vetëm qershorin që shkoi nëpërmjet ‘Bild’. Sot e kësaj dite kjo dosje ushqen thashethemnajën e propagandës, por nuk është çuar në gjykatë.
Një burim i besueshëm nga udhëheqja e mëparshme e PD-së ka deklaruar se lideri i kësaj partie ishte në dijeni të dosjes qysh gjatë protestave të çadrës, që paraprinë zgjedhjet e përgjithshme të 2017-ës. Zoti Basha e përmendi dosjen më qartas vetëm në fillim të marsit që shkoi, pra pas dy vjetësh. Në vijim, mediat e zhurmuan dhe përfolën, pa shtuar thuajse asnjë fakt konkret për tre muaj rresht, deri në javët e para të qershorit, kur cd-të e prokurorisë shqiptare u publikuan nga gjermanja ‘Bild’.
Në çdo vend normal, mbështetur mbi përgjime të tilla, prokuroria do të kishte nisur në çast padi penale për personat e implikuar dhe gjykata do t’i kishte ndëshkuar sipas ligjit. Njëkohësisht opinioni dhe media do të kishin shtuar trysninë mbi politikën dhe, në këtë klimë, organet ligjvënëse do të kishin ndërmarrë ndryshime ligjore për t’u prerë rrugën krimeve të ngjashme zgjedhore, që mund të përsëriteshin në zgjedhjet e 2017-ës dhe më pas.
Por me sa duket kemi një prirje të parezistueshme që gjithçka, edhe krimin, ta shndërrojmë në instrument të luftës politike. Dhe shumicën e herëve këtë nuk e bëjmë as për të ndëshkuar fajtorët, as për të marrë masa parandaluese, por thjesht për të ushqyer luftën mes dy dinosaurve të politikës.
Parë kështu, më shumë sesa një vendi normal, që zhvillohet e vetëkorrigjohet, i ngjajmë një punishteje që prodhon barut për armët e klasës politike.
3.
PD-ja ishte në të drejtën e saj t’i mbante fshehur për një kohë të gjatë përgjimet e dosjes 184 ose, thënë me një metaforë, t’i bënte pastërma që t’i përdorte në stinën e zgjedhjeve për t’u shërbyer interesave të veta. Por është e pafalshme që mediat përtypën dhe ripërtypën muaj të tërë vetëm informacionet pastërma që përcillte opozita, pa arritur të investigonin e të publikonin fakte shtesë. Në raste të tilla më shumë se me gazetari që i shërben interesit publik, kemi të bëjmë me altoparlantë që thjesht amplifikojnë propagandat partiake.
Prirja, që çdo gjë të bluhet në mullirin e propagandës dhe të përdoret vetëm e vetëm në shërbim të politikës duke sfumuar e injoruar elementët socialë, nuk ushqehet vetëm nga partitë politike, as vetëm nga mediat, por edhe nga gjithë ligjërimi publik, përfshirë dhe zhaurimën e rjeteve sociale, madje edhe gërmërin e kafeneve.
Një nga rastet që e nxori dukshëm në pah këtë ves komun ishte protesta e studentëve fundvitin e shkuar, protestë që elektrizoi opinionin si rrallë ndonjë ngjarje e mëparshme. Dhe kjo ishte e natyrshme, një masë e stërmadhe të rinjsh dolën në rrugë duke ua venë kufirin tek thana partive politike, që u përpoqën të bënin zanatin: ta përdornin protestën rinore për interesa pushteti.
Megjithatë, shumica e zërave dhe zhaurimave publike synuan të njëjtën gjë, politizimin e protestës, kthimin e saj në një lëvizje politike që, me gjasë do të sillte në skenë një forcë të re, e cila do të thyente monopolin PS – PD. Gjatë ditëve të protestës shumë burime mediatike rritën pritshmëritë se protesta studentore do ecte kësaj hullie. Kaq e fortë qe kjo prirje sa që ato ditë disa nga talkshow-t shtuan qasjet didaktike dhe morën trajtën e auditorëve, ku analistë politikë këshillonin grupe studentësh se si mund t’ia dilnin.
Fundi i fabulës dihet. Studentët, si arritën të zgjidhnin hallin që i kishte bërë bashkë dhe i kishte nxjerrë në rrugë, u kthyen në auditore. Një pjesë e mirë e opinionit sot e kësaj dite artikulohet e zhgënjyer dhe i quan protestat të çuara thuajse dëm, të përdorura për të zgjidhur nevoja grupi dhe jo një për të kurorëzuar një kauzë që do të shënonte kthesë në jetën e gjithë shoqërisë.
Po t’i shohësh nga një optikë tjetër ato protesta rinore shënojnë një model që do ruajtur, shumuar dhe zhvilluar nëpërmjet përsëritjes në përditësi nga komunitete të tjera.
4.
Natyrisht sot kemi nevoja të ngutshme për ndryshime thelbësore në sistemin politik, duke filluar nga ligji zgjedhor e duke ardhur tek kontrolli i pushtetit të pakufizuar që kanë aktualisht kryetarët e partive. E megjithatë ndryshime të tilla do të zgjidhnin një pjesë të mirë të problemit, por nuk do të jepnin kurrsesi garanci për funksionimin e demokracisë apo më saktë thelbit të saj: vënien e qeverisjes dhe, më gjerë, të klasës politike në shërbim të qytetarëve.
Një ditë mund t’ia arrijmë që loja politike të demokratizohet, partitë të mos mbeten bashkësi tribale dhe autoritariste që komandohen nga një dorë, por të funksionojnë në bazë të ligjit, meritokracisë, transparencës, dhenies së llogarisë etj. Mund t’ia arrijmë gjithashtu që të organizojmë zgjedhje të lira, të ndershme e të gjithëpranuara. Por kjo do të zgjidhte gjysmën e hallit, atë të alternimit të pushtetit.
Problemi është se pushteti kudo e kurdoherë ka prirje të shtyjë në ngasje, të kompromentojë e korruptojë ata që e ushtrojnë. Demokracitë liberale ia kanë dalë ta zbusin sadokudo këtë efekt kompromentues kryesisht në dy rrugë: kontroll dhe balancë përmes ndarjes së pushteteve dhe, e dyta, rritjes së trysnisë qytetare, qoftë përmes votës, qoftë përmes protestave dhe formave të tjera të aktivizmit social. Këto të fundit kanë vlerën e madhe se shërbejnë si serë për të kultivuar e rritur qytetarinë dhe frymën civile.
Mes kusureve të mëdha që ka shoqëria jonë e sotme, fryma e zbehtë qytetare ze një nga vendet e kreut, ndaj protestat e studentëve mbeten kujtim i bukur dhe njëkohësisht ëndërr grishëse. Ditën kur do të kemi një numër të konsiderueshem komunitetesh, që bëhen bashkë qoftë edhe përkohësisht, veprojnë mbi bazën e një halli a interesi të përbashkët dhe kërkojnë zgjidhje duke mbrojtur e bërë të zëshme interesat e tyre, duke ushtruar trysni, duke protestuar etj, – e pra atë ditë, demokracia jonë rakitike do nisë të çapitet në viset e një demokracie të shëndoshë e funksionale.
Pas gjasash fryma dhe lëvizjet qytetare nuk do ta kenë të lehtë të mëkëmben për sa kohë politika, media, opinioni publik, të gjithë ne ndërhyjmë brutalisht në hapësirat qytetare, instrumentalizojmë dhe tjetërsojmë lëvizjet e mirëfillta qytetare, i ngushtojmë ato në luftë për pushtet. Për më tepër se tek ne pushteti alternohet mes dy partive e gjysmë, që u ka dalë e po u del boja përditë e më shumë, duke bërë që një pjesë përherë e më e madhe qytetarësh të ndihen të papërfaqësuar.