Fitore strategjike e NATO-s në Ballkan me nënshkrimin e anëtarësimit të Maqedonisë Veriore

Analizë Kryesore

Nga Augustin Palokaj

Të mërkurën NATO-ja do të nënshkruajë Protokollin e anëtarësimit me Republikën e Maqedonisë Veriore. Siç është shprehur sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg, me këtë akt do të shkruhet edhe historia. Do të jetë ky kalim prej një procesi shumëvjeçar politik me shumë pengesa politike në një proces formal, i cili brenda një periudhe pak a shumë njëvjeçare do të finalizohet me anëtarësimin edhe formal të Maqedonisë si shtet i 30 anëtar i NATO-s. Që nga e mërkura, në statusin e të ashtuquajturit “të ftuarit” Maqedonia do të marrë pjesë në të gjitha takimet e NATO-s, por pa të drejtë të votës derisa protokolli i anëtarësimit të mos ratifikohet nga të gjitha 29 vendet e tashme anëtare.

Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO ka rëndësi të dyanshme edhe për Aleancën, edhe për Maqedoninë. Në kohën kur përsëri ekzistimi i NATO-s vihet në pikëpyetje, kur Rusia rrit, ndërsa Perëndimi zvogëlon ndikimin në skenën ndërkombëtare, për shkak të politikës gjithnjë e më izoluese të presidentit Trump dhe tërheqjes së tij nga shumë angazhime të mëhershme me aleatët evropianë, rritja e numrit të anëtarëve të NATO-s dëshmon se kjo Aleancë jo vetëm se ende mendon të ekzistojë, por u përmbahet zotimeve për politikën e dyerve të hapura.

Për Maqedoninë dhe për rajonin, ky akt ka rëndësi edhe më të madhe. Me këtë Maqedonia po e realizon synimin shumëvjeçar. Edhe pse e para nisi rrugëtimin drejt NATO-s. Edhe para Shqipërisë e Kroacisë, e shumë para Malit të Zi, ajo e fundit po bëhet anëtare e NATO-s. Jo për shkak se nuk i kishte përmbushur kushtet, por për shkak të problemit që kishte me Greqinë rreth emrit. Mbajtja e Maqedonisë në dhomën e pritjes, vetëm për shkak të çështjes së emrit, pati ndikim negativ edhe në situatën e brendshme në këtë shtet e edhe më shumë në rrugëtimin drejt integrimeve edhe në Bashkimin Evropian. Edhe pse integrimi në NATO dhe ai në BE dallojnë për nga procedurat dhe detyrimet që duhet përmbushur, nga aspekti politik është një proces pothuajse i përbashkët, prandaj edhe quhet procesi i integrimeve “evro-atlantike”. Integrimi në NATO ka qenë për të gjitha shtetet e Evropës Lindore dhe Qendrore si hap i cili është pasuar me anëtarësimin në BE më vonë. Edhe pse nuk është kusht i prerë që të jesh në NATO para se të anëtarësohesh në BE, në praktikë kjo rrugë ka qenë e lidhur, sepse anëtarësimi në NATO rrit perceptimin e sigurisë për ato shtete, prandaj ato bëhen edhe më të pranueshme për BE-në. Në anën tjetër, synimi për anëtarësim në NATO dëshmon edhe përkushtimin për aleancë politike me Perëndimin dhe ndarjen e vlerave të përbashkëta. Qiproja dhe Malta janë të vetmet shtete relativisht të reja anëtare të cilat nuk kanë hyrë në NATO para se të hynë në BE. Por për Qipron ka qenë e pamundur, sepse këtë nuk do ta lejonte Turqia.

Nënshkrimi i protokollit për anëtarësim në NATO është një paralajmërim i mirë se gjatë verës Maqedonia, së bashku ndoshta edhe me Shqipërinë, do të nisin edhe negociatat e anëtarësimit në BE. Edhe me këtë do të përmirësohet një padrejtësi ndaj këtij shteti, por do të nisë një rrugë e cila ka qenë deri tash e mbyllur.

Se sa është vonuar Maqedonia në rrugëtimin e saj drejt BE-së mjafton të krahasojmë me Kroacinë. Maqedonia në vitin 2000, kur u zhvillua Samiti i Zagrebit që dha perspektivë evropiane për rajonin, ishte para Kroacisë. Ishte e para që ishte në Programin Phare të B-së dhe e para që arriti Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Diplomatët nga Kroacia pyesnin kolegët nga Maqedonia për këshilla. Kroacia u bë anëtare e BE-së më 1 korrik të vitit 2013 dhe është anëtare tash e gati shtatë vjet. Do ta marrë kryesimin e radhës së BE-së më 1 janar të vitit 2020. Ndërsa Maqedonia ende nuk ka as datë për nisjen e negociatave. Koha e humbur kurrë nuk do të kompensohet. Sepse ndërkohë procesi i zgjerimit ka ndryshuar, është bërë më i vështirë dhe më i gjatë, dhe Maqedonia së paku për 10 deri në 15 vjet nuk do të bëhet anëtare e BE-së. Por megjithatë do të nisë ky proces, sa do që është i vonuar për Maqedoninë.

Në kohën kur flitet për mundësinë e ndarjes së Kosovës, apo ndryshimin e kufijve, që do të mundë të shkaktonte edhe ndarje të Bosnjë-Hercegovinës, anëtarësimi në NATO ka një ndikim të jashtëzakonshëm stabilizues për Maqedoninë.

Me anëtarësimin e Maqedonisë në NATO do të përmbyllet procesi i të gjithë aspirantëve nga rajoni që duan të bëhen anëtar të kësaj Aleance. Në NATO janë Sllovenia, Kroacia, Shqipëria, Mali i Zi dhe do të jetë edhe Maqedonia. Kosova nuk mund të integrohet në NATO pasi NATO-ja nuk e trajton si shtet sovran dhe të pavarur, por NATO-ja është në Kosovë. Serbia nuk do të bëhet anëtare e NATO-s, ndërsa serbët nuk lejojnë as Bosnjë-Hercegovinën që të nisë zyrtarisht rrugëtimin drejt anëtarësimit në NATO.

shtrirje kaq e madhe në Ballkan është një fitore strategjike e NATO-s, e cila duhet të llogaritë që Rusia synon të ketë ndikim në rajon., Dhe tash, sado raporte të mira të ketë NATO-ja me Serbinë, duhet ta ketë parasysh se Serbia mbetet i vetmi partner strategjik i Rusisë në rajon dhe përmes Serbisë dhe serbëve Rusia mban një rol të madh në rajon me ndikim në Serbi, Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë. Kur raportet e BE-së dhe NATO-s janë të mira, apo së paku pa tensione, nuk është problem që ndonjë shtet i rajonit të ketë raporte të mira me Rusinë. Por kur NATO-ja e konsideron Rusinë si rrezik potencial dhe kërcënim të sigurisë, atëherë edhe NATO-ja duhet të ketë kujdes në raportet me Serbinë.

Për Rusinë asnjë zgjerim i NATO-s nuk ka qenë i pranueshëm. Gjithmonë e kanë parë nga Moska këtë proces si një goditje për ta. Madje janë ankuar se me këtë NATO-ja po e shkel një “marrëveshje” sipas së cilës NATO-ja nuk do të zgjerohet në “oborrin e Rusisë”. Por përgjigja në NATO ka qenë se vendet afër Rusisë në Evropën Lindore, si dhe ato nga rajonet ku Rusia do të ketë ndikim dhe rol strategjik në Ballkanin Perëndimor, me vetë dëshirë kanë vendosur si shtete të lira dhe sovrane të anëtarësohen në NATO dhe nuk i ka detyruar NATO-ja me zor, e as për inatin e dikujt tjetër,që të vinë. Pra NATO-ja vetëm ka zbatuar politikën e saj të dyerve të hapura.

Nënshkrimi i Protokollit të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO duhet të shihet si mësim edhe për BE-në, e cila e ka më të vështirë të mbajë premtimet e saj për vazhdimin e procesit të zgjerimit. Pasi zgjerimi nuk është më prioritet i BE-së dhe nuk duan përshpejtim të këtij procesi, mund të ndodhë që të ketë vonesa të reja në BE sa u përket vendimeve formale të nisjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë. NATO-ja po e dëshmon se është kredibile dhe mban premtimet e saj, dhe tash e ka radhën edhe BE-ja.

Share: