A mund të emërojë SHBA një opozitë tjetër?

Analizë Opinion

Nga Dritan Hila

Eduard Lutvak në librin e tij “Rizgjimi i dragoit”, trajton sjelljet e fuqive të mëdha dhe moskuptimin që kanë ata ndaj të vegjëlve dhe anasjelltas idetë e gabuara që kanë të vegjlit sesi veprimet e tyre kuptohen nga fuqitë e mëdha. Këtë simptomë e quan me termin “autizmi i fuqive të mëdha” duke sjellë si shembull Pearl Harborin. Ai shkruan se në strategjinë japoneze ishte si objektiv që ta trembnin duke e bërë më të dëgjueshme SHBA që të hiqte embargon e karburanteve dhe disa lëndëve strategjike. Në Tokio pavarësisht se të fandaksur, nuk ishin aq të çmendur sa të ëndëronin mundjen e një gjigandi me popullsi dhe prodhim disafish më të madh se Japonia. Ndodhi e kundërta, sepse SHBA e mori si sfidë. Fundi dihet.

Le të kthehemi në humbëtirën tonë. Sot Ambasada e SHBA ka bërë një deklaratë që është më shumë se paralajmërim për shtetasit e vet në raste mitingjesh.

Ajo është treguar e kujdesshme të nënvizojë rishtas që nuk e miraton tërheqjen nga parlamenti të opozitës.

Duke pasur parasysh që në ambasadë ka mbetur stafi teknik i i cili nuk ka iniciativë të formulojë mendim autonom apo politik, mbetet qe miratimi është nga Departamenti i Shtetit.

Ndërkohë ngjan se opozita me intrasigjencën e saj shpreson në një lodhje të pushtetit dhe ndërkombëtarëve dhe këta ta detyrojnë Ramën të ulet në negociata. Kurse Rama nuk duket se dëgjon nga ai vesh.

Është e natyrshme që bisedimet nuk do bëhen nesër apo muajin që vjen. Secila nga palët ka nevojë për kohën e vet: opozita të tregojë që është serioze në nisnën e saj dhe pushteti që nuk trembet.

Sesa do të zgjasë, mbetet të shikohet, por me siguri përcaktues do të jetë faktori amerikan.  Gjithmonë nëse amerikanët kanë nerva të durojnë.

Nderkohë ka një faktor që ndryshon në këtë histori 29 vjeçare: PD ka marrë një veprim ekstrem i cili nuk ka për të pasur mirëkuptim. Miratimin për iniciativa të tilla SHBA i jep vetëm kur do të përmbysë një rregjim. Por për gustot amerikane Rama është ende “maskarai i tyre” dhe nuk ka ndërmend ta ndërrojë. Aq më pak me një opozitë që po i tregon që nuk i bindet. Të paktën Berisha duhet ta kujtojë që në pushtet në vitin 2005 nuk e solli korrupsioni i Nanos por garancitë që dha në Uashington. Ndaj është e mira që Basha përveç miratimit nga militantët e tij të dëgjojë edhe këshillat e Uashingtonit. Sepse Soreka edhe mund të anashkalohet por në Uashington nuk e kanë fare ndjenjën e humorit kur flitet për sfida.

Dhe këtu duhet të rikujtojmë pikërisht shembullin e hyrjes. Historia nuk është kurrë një mësues i mirë por të vetmen gjë që na mëson është irracionaliteti njerëzor. I cili është një instikt që të vegjëlit gjithmonë i penalizon.

Ndaj opozita duhet të jetë ende e kënaqur që konsiderohet e tillë nga Uashingtoni por nuk duhet të lëshojë mesazhe sfide. Sepse SHBA mund të emërojë një opozitë tjetër. Dhe në PD e dinë që mund ta bëjnë./dritare.net

Share: