Përrallat holandeze, krimi shqiptar dhe Notre-Dame

Analizë Opinion

Nga Skënder Minxhozi

“Kriminelët s’kanë vuajtur ndonjëherë për viza”. Ky konstatim sa i thjeshtë, aq edhe i vërtetë, i ka ardhur ndërmend shumëkujt që ka parë sesa parlamenti holandez ka shpërfillur shifrat dhe realitetin tre ditë më parë, duke votuar një nismë për rikthimin e sistemit të vizave evropiane për shqiptarët për shkak të “krimit shqiptar”. Megjithëse kanë pasur në dorë shifrat krejtësisht simbolike të numrit të të dyshuarve shqiptarë për krime në vendin e tyre (vetëm 0.2%), deputetët holandezë janë ndjerë ngrohtë në uniformat e tyre elektorale dhe kanë votuar me gishtin e madh poshtë.

Në kohë fushate specia e politikanit bëhet e paparashikueshme. I ikën realitetit dhe të vërtetës, madje preferon t’i krijojë vetë ato. Fenomen global, i njëjtë dhe identik në çdo cep të botës. Europa e Bashkuar ndodhet në prag zgjedhjesh për të rinovuar institucionet e saj. Dhe në këto kohë kur britanikët po tentojnë me çdo kusht të ikin nga tryeza dhe kur nga Jugu i kontinentit vijon beteja me prurjet masive të emigracionit, politikanët e një vendi thellësisht skeptik ndaj gjithë sa më sipër, Holandës, gjejnë një “prê” krejtësisht pa lidhje: shqiptarët.

Eshtë rasti klasik kur gënjeshtra e gatuar me copa të vërtete, serviret si standart dhe si aksiomë që nuk ka nevojë as për shifra dhe as për logjikë e racionalitet. Shqiptarët janë kriminelë, ata trafikojnë drogë (pak e çuditshme për një vend ku hashashi konsumohet lirshëm nëpër kafene), si dhe merren me xhiron e klandestinëve e prostitucionit (edhe kjo e habitshme, kur sheh si shitet mishi i bardhë nëpër vitrinat e Amsterdamit).

Nuk janë shqiptarët delja e zezë e Evropës. Edhe po të duan, numerikisht e kanë të pamundur, përballë “hordhive” të emigrantëve polakë, bullgarë e rumunë. Ata as mund të krahasohen me mafian ruse dhe organizatat kriminale lindore që gjallojnë në të gjitha metropolet e Perëndimit. Parlamenti holandez ka dashur të japë një mesazh të vogël dhe hileqar fushate, për të gjithë ata zgjedhës në vendin e tyre, që sot kanë frikë nga gjithçka. Edhe nga agonia qesharake e Brexit-it britanik, deri edhe nga djegia e Notre Dame!

Frika është një produkt shumë i kërkuar në tregun e sotëm evropian. Unioni po kalon ditët e tij më të këqia në memorjen e brezit aktual. Rritja e frymës së nacionalizmeve dhe ksenofobisë, kërcënimi i Le Pen, Salvinit dhe Orbanit mbi Evropën e sotme të Bashkuar, lëkundjet sizmike të lëvizjeve populiste si jelekët e verdhë dhe pasiguria ekonomike, kanë shërbyer të gjitha për të krijuar gogolin diku të vërtetë e diku të sajuar të emigrantit kriminel, përdhunues etjetj.

Ky ushqim propogandistik qëndron në themelin e votës së padrejtë dhe hipokrite të parlamentit holandez. Një votë që ka shpërfillur statistikat dhe arsyen e thjeshtë të shifrave të publikuara nga burimet zyrtare holandeze. Një votë që ka krijuar një alibi të padrejtë mbi një popull që sot vijon të mbetet në shumicë dërrmuese i dashuruar me ëndrrën e integrimit evropian. Dhe që s’e meriton të përdoret në kryqëzime shpatash, nga parti politike që kërkojnë një vend më tepër në Strasburg.

Sa për kriminelët, ata kanë egzistuar dhe do të egzistojnë gjithmonë. Shihni Britaninë, ku vizat janë më të forta se kurrë dhe ku asnjë delinkuent shqiptar, rus, pakistanez apo afrikan, s’e ka aspak të vështirë të gjejë një mënyrë për të hyrë nëpër doganat dhe pikat kufitare të ishullit dhe për të bërë aty çfarë i do zemra. Rikthimi i vizave pengon njeriun e thjeshtë, krimineli e gjen gjithmonë shtegun. Edhe në Holandë!/javanews.al

Share: