Gjatë 8 muajve të këtij viti janë paguar rreth 30 milionë euro dëme. Shifrat janë bërë të ditura nga Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe rezulton se në total, dëmet e paguara kapin vlerën 3.939 milionë lekë, ose 9.99% më shumë se në periudhën janar-gusht 2018. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 2,241 milionë lekë, apo 56.90% të totalit të dëmeve të paguara bruto. Lidhur me ecurinë e përgjithshme të tregut, AMF raportoi se të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-gusht kapën vlerën mbi 11.364 milionë lekë, ose 2.33% më shumë se në periudhën janar-gusht 2018. “Gjatë periudhës janar-gusht 2019, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 885.298 me një rritje 4.72% krahasuar me periudhën janar-gusht 2018.
Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar te sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 92.41% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë përkatësisht sigurimet e Jetës me 7.25% dhe veprimtarinë e risigurimit me 0.34%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 36.86% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 63.14% të totalit të tregut”, vlerëson AMF. Pjesën dominuese të tregut e përbëjnë sigurimet e detyrueshme dhe zgjerimi i kësaj pjese ka vijuar edhe në 8 muajt e këtij viti. Sipas AMF-së, primet e sigurimit të detyrueshëm motorik gjatë periudhës janar-gusht 2019 arritën rreth 7.176 milionë lekë, ose 4.75% më shumë se në periudhën janar-gusht 2018. “Produkti MTPL e brendshme në periudhën janar-gusht pati një rritje prej 5.17% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 5.82% krahasuar me periudhën janar-gusht 2018. Produkti ‘Karton Jeshil’ në periudhën janar-gusht pati një rritje prej 7.97% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një rritje e numrit të kontratave prej 28.91% krahasuar me periudhën janar-gusht 2018.