34 vjet mbi karrigen me rrota: Rrëfehet Bajram Tirana, si ka evoluar koncepti për aftësinë e kufizuar në Shqipëri?

Sociale

Nga Jolanda Lila

Prej vitit 1985 jeta i tij mori një kthesë të paparashikuar. As në ëndrrat më të këqija, ai nuk e kishte menduar veten të lidhur pazgjidhshmërisht me karrigen me rrota. Askush nuk e di se çfarë i rezervon jeta e fati dhe askush nuk është imun përballë aksidentit, sëmundjes apo fatkeqësive të tjera.

Të jetosh me aftësinë e kufizuar është një sfidë e jashtëzakonshme me veten dhe me mjedisin rrethues. Është si një jetë e dytë, me të cilën duhet të adaptohesh e të përpiqesh të jetosh në mënyrë normale. Po sa e mundur është kjo, në një shoqëri që të ndryshmen e sheh si anormale dhe e stigmatizon si të mundet e ku të mundet? Nga se vjen kjo shtjellë mbizotëruese? Për të marrë një përgjigje, kemi biseduar me Z. Bajram Tirana, i cili për 34 vjet me radhë qëndron mbi karrigen me rrota. Ai përmes rastit të vet, tregon edhe evoluimin e konceptit të shoqërisë shqiptare për aftësinë e kufizuar në përgjithësi.

 

 

 

 

 

Djali i fuqishëm, i gjatë e muskuloz ra në sy të drejtuesve të drejtuesve të Repartit ushtarak në Mamurras dhe pas disa provave në stërvitje ushtarake u caktua menjëherë në sektorin e Ndërhyrjeve Speciale.

Bajram Tirana, i lindur në Milot, por me origjinë nga Shkodra, pati një pasion të jashtëzakonshëm për sportin, nuk e kishte menduar se kryerja e shërbimit ushtarak të detyrueshëm do t’ia ndryshonte katërcipërisht jetën.

Ndryshe nga të rinjtë e tjerë, bashkëmoshatarë të tij, që ushtrinë e kishin tmerr, për shkak të disiplinës së lartë, Bajrami e priti me qetësi këtë ngjarje, i bindur se aktiviteti fizik ishte pika e tij më e fortë. Ai u caktua në repartin Drojë-Kurbin dhe zbatonte me përpikëri të gjitha urdhrat e komandantëve.

Dimri i vitit 1985 solli një valë acari, ngrice e dëbore në të gjithë Shqipërinë. Pikërisht, në mes të këtij acari vjen urdhri nga komandanti që Bajrami bashkë me disa ushtarë të tjerë të bënin vrap nga qendra e tyre stërvitore në Mamurras deri në Malin me Gropa, në afërsi të Tiranës. Terreni i thyer malor, plot shkëmbinj e gurë të thepisur, bëri që në një moment Bajramit t’i rrëshqiste këmba dhe të binte mbrapsht. Në momentin e rënies, shpina iu përplas mbi një gur dhe ai nuk po lëvizte dot. Mali me Gropa, tek i cili ai nuk arriti të mbërrite kurrë, i krijoi një gropë të zezë trupit dhe jetës së tij, gropë e cila nuk do të mbyllej kurrë.

 

 

 

 

Pavarësisht ankesave e dhimbjeve të Bajramit, komandantët nuk e besuan se ai ishte vrarë keq nga një rënie e tillë, prandaj ata insistonin që të vijonin rrugën. Kur e panë se Bajrami e kishte të pamundur të ecte, shokët e transportuan në krahë drejt divizionit, nga ku mori ndihmën e parë mjekësore. Mjekët e divizionit, ashtu si komandantët, ishin në një mendje: ata kujtonin se Bajrami po simulonte, në mënyrë që të bënte pushim, meqenëse ishin në prag të pushimeve para Vitit të Ri. Rënia e tij mbrapsht mbi gur, u pa si një aksident i lehtë për një fizik të fortë si ai i Bajramit, prandaj u mbajt tre ditë me radhë në divizion. Vetëm kur u vu re përkeqësimi i tij, komandantët dhanë leje që ai të merrte ndihmë mjekësore në spitalin rajonal të Laçit.

Në natën e parë të mbërritjes në spitalin e Laçit, ai përjetoi tmerrin më të madh të jetës, teksa humbi ndjeshmërinë e këmbës së majtë, pa e kuptuar as vetë se çfarë po i ndodhte. Ekipi mjekësor e çoi me urgjencë drejt spitalit ushtarak të Tiranës. Në këtë spital brenda pak orësh, ai iu nënshtrua operacionit, i cili nuk shkoi mirë. Për pak ditë, ai humbi ndjeshmërinë edhe për këmbën e djathtë. Spitali u bë shtëpia e tij e dytë, saqë ai theu një rekord të paimagjinueshëm, duke qëndruar 3 vjet e një muaj e gjysmë i shtruar në këtë spital.

Sipas Bajramit, asokohe askush nuk e njihte termin “paralizë”, madje as mjekët. Në spitalin ushtarak ishte vetëm një karrocë me rrota, ndërsa jashtë spitalit as që bëhej fjalë të flitej për një mjet të tillë. Ai kujton natën e errët, në të cilën vendosi të dilte nga spitali. Vëllai dhe të afërmit e morën të mbështjellë me një batanije dhe e transportuan drejt shtëpisë. Ai kishte turp të përballej me njerëzit dhe botën jashtë, prandaj zgjodhi që të dilte natën nga spitali. Ai e konsideroi vdekje për së gjalli fatkeqësinë e tij dhe për shumë kohë ai jetoi ferrin psikologjik e social.

 

7 vjet me radhë jetoi i shtrirë, me një aktivitet jetësor tepër të kufizuar. Ai mes lotësh tregon sesi sajohej me mjete rrethanore për t’i bërë ballë jetesës në kushte të reja. Në mungesë të karriges me rrota gjatë këtyre 7 vjetëve, ai përdorte një karrige të vjetër druri, me të cilën mund të shkonte në tualet. Gozhdët e karriges janë liruar disa herë dhe Bajrami tregon se është rrëzuar dy herë me këtë karrige dhe çuditet sesi ka mbetur gjallë nga mënyra sesi ka rënë me të.

Pas viteve ’90, liberalizimi i jetës në Shqipëri solli edhe karriget me rrota, ku Bajrami pati mundësinë të kishte një të tillë. Jeta e tij filloi të rimëkëmbej e normalizoj, sepse edhe njerëzit filluan të informoheshin për aftësinë e kufizuar. Për fat të keq, numri i personave me aftësi të kufizuar filloi të rritej ndjeshëm në Shqipëri, sa nga aksidentet automobilistike, e sa nga plagosjet e tranzicioni i stërzgjatur e kaotik shqiptar. Sipas cencusit të zhvilluar në vitin 2012, 6.2% e popullsisë në moshë madhore në Shqipëri ka deklaruar se ka të paktën një aftësi të kufizuar.

Kur krahason situatën para viteve ’90 me atë që është sot, Bajrami mendon se janë bërë shumë hapa për lehtësimin e jetës së personave me aftësi të kufizuar, por vendi ynë mbetet ende larg standardeve të vendeve të Bashkimit Europian. Ai mendon se aktualisht nga politika shqiptare po ndiqet një standard i dyfishtë, që tjetër gjë shkruhet në letër, pra në legjislacion dhe tjetër gjë zbatohet në praktikë. Mjedisi shqiptar mbetet ende i paaksesueshëm në shumë aspekte nga një person me aftësi të kufizuara.

Një njeri me aftësi të kufizuara shihet ende si një pacient, apo si “i sëmurë”, dhe jo si një qytetar me të drejta të barabarta me të gjithë të tjerët, prandaj Bajrami mendon se evoluimi për konceptin e aftësisë së kufizuar ka përmirësim, por mbeten shumë sfida përpara.

 

Sot, ai përpiqet të jetë aktiv dhe të gjejë motiv për ta bërë jetën e vet të lumtur, njëlloj si të tjerët, ndonëse ndeshet me shumë vështirësi. E vetmja dritë e jetës së tij është Florinda, bashkëshortja e vet, e cila nuk e braktisi kurrë. Ajo e njohu Bajramin përpara se të aksidentohej dhe e deshi po njëlloj çdo ditë. Sot ajo e shoqëron kudo. Ajo është mbështetësja dhe inkurajuesja e tij më e madhe. Bajrami është një nga mbrojtësit më të zellshëm të të drejtave të aftësisë së kufizuar dhe në këtë kuadër, ka themeluar edhe një shoqatë të posaçme. Ai është ndër aktivistët më aktivë edhe të trajnimit “Jetesa e Pavarur, mbështetja e kauzës duke ofruar Shqipërinë më pranë standardeve të Bashkimit Europian”. Ka organizuar shumë aktivitete dhe është ndër kontribuuesit kryesorë të kuadrit ligjor për personat me aftësi të kufizuar në vendin tonë.

Bajrami është natyrë tepër sociale dhe ka pasion peshkimin dhe sporte të tjera, me të cilat ai ndan shumë kohë me miqtë e tij. Megjithatë, ai shprehet se ka një moment të caktuar që ai shumë nevojë për këmbët.

Askush në këtë botë nuk është i vetëmjaftueshëm, secili ka nevojë për dikë apo për diçka në një moment të caktuar, andaj nëse jemi më solidar me nevojat e njëri-tjetrit, jeta do të jetë për secilin më e lehtë dhe më e bukur.

 

 

 

Share: