Zvicër/Një histori e bukur nga politika, i la të gjitha për festën e maturës së vajzës së tij

Analizë Opinion

Nga Enver Robelli

Më 20 tetor në Zvicër do të mbahen zgjedhjet parlamentare. Fushata tashmë ka filluar, e majta kritikon pabarazinë sociale dhe kapitalizmin, e djathta mbron kapitalizmin dhe akuzon të majtën se dëshiron të komplikojë jetën e qytetarëve me sa më shumë rregulla e ligje.

Por edhe në prag të zgjedhjeve në politikën zvicerane ndodhin episode të mrekullueshme ndërnjerëzore, përtej hendeqeve partiake. Një episod të tillë e ka rrëfyer gazeta «Neue Zürcher Zeitung». Në një të enjte në fund të qershorit anëtarët e Komisionit për Ekonomi të Dhomës së Ulët të parlamentit (këshillit të kantoneve) shkuan në komunën Kriegstetten për të realizuar vizitën tradicionale në kantonin prej nga vjen kryetari i Komisionit, Pirmin Bischoff. Kriegstetten gjendet në kantonin Solothurn, për kosovarët i njohur si kantoni i Azem Sylës.

Ndërsa deputetët zviceranë po hanin darkë me ftesë të qeverisë së kantonit të Solothurnit, deputeti Christian Levrat, i cili është edhe kryetar i Partisë Socialdemokrate të Zvicrës, u tregoi kolegëve të tij se të nesërmen vajza e tij kishte festën e maturës, në Zvicër një ndër ngjarjet më të rëndësishme në jetën e një të riu apo të reje dhe të familjes. «E ti nuk do të shkosh në këtë festë?», e pyesin kolegët Christian Levratin. Ky thotë jo, sepse mbledhja e Komisionit për Ekonomi është shumë e rëndësishme. Levrat u shpjegon kolegëve se ka folur për këtë me vajzën e tij dhe ajo – edhe vetë politikane e re – e ka parë si të arsyeshme që i ati i saj të vazhdojë betejën politike. Komisioni do të diskutojë ligjin për kontratat e sigurimeve, një ligj shumë i rëndësishëm për jetën e çdo zvicerani.

Konrad Graber, deputet i Partisë Demokristiane (CVP), i cili gjatë darkës ka qëlluar të jetë i ulur afër Christian Levratit, nuk mund të besojë atë që dëgjon. Graber thotë se nuk mund ta kuptojë që Levrat nuk do të marrë pjesë në një ngjarje aq të rëndësishme për familjen e tij. «Nuk guxon ta bësh këtë», i thotë ai kolegut Levrat. Pastaj Graber i bën një ofertë Levratit: shko ti në festën e maturës të vajzës tënde, ndërsa unë, Konrad Graber, në mbledhjen e nesërme, kur të bëhet fjalë për sigurimet, do të votoj siç do të votojë kolegu yt i Partisë Socialdemokrate.

Levrat i thotë se do të mendojë për ofertën, pastaj fle dhe kur zgjohet në mëngjes i thotë kolegut demokristian Graber: në rregull, po e pranoj ofertën. Pra, Graber pranon të votojë për interesin e kundërshtarit të tij politik, ndonëse vetë është i afërt me kompanitë e sigurimeve dhe do të votonte kundër, në kushte normale, pra po të mos ishte ajo festa e maturës. Graber e ka të qartë se vota e tij nuk do të jetë vendimtare, por ai luan rolin e zëvendësit të kolegut Levrat për t’ia mundësuar atij të shkojë në festën e maturës së vajzës. Në vend të 10 me 2 deputetët votojnë 9 me 3 kundër propozimeve të socialdemokratëve. Vota e tretë është e Konrad Graber.

Para se të nisej për të shkuar në festën e maturës Levrat kishte alarmuar kolegët: nuk po e gjente çelësin e veturës. Ndërkohë në Kriegstetten kishte ardhur ministri i Financave dhe presidenti i radhës i Zvicrës, Ueli Maurer. Ai është anëtar i Partisë Popullore të Zvicrës (SVP), e cila është si të thuash armiku kryesor i socialdemokratëve. Kur Maurer dëgjoi se Levrat nuk po e gjente çelësin e veturës, ai merr një vendim të menjëhershëm: e urdhëron shoferin e tij që deputetin Levrat ta çojë në festën e maturës. Kështu shefi i socialdemokratëve shkon në festën e maturës të vajzës së tij me limuzinën e ministrit – dhe mbërrin atje me kohë.

Pak orë më vonë, pas kthimit në Kriegstetten, ku po mbahej mbledhja e Komisionit për Ekonomi, shoferi i ministrit Maurer e gjen çelësin e veturës së Christian Levrat: socialdemokrati pak mendjehumbur e kishte harruar çelësin në veturë. Dhe nuk i kishte shkuar kurrë mendja se e kishte harruar bash aty. Pas një debati se çfarë të bëhet tash me çelësin dhe para së gjithash me veturën e Christian Levratit, ministri Maurer sërish merr vendim: thotë se ai vetë do ta kthente në Bernë veturën e shefit të socialdemokratëve.

E thënë, e bërë. Pas mbledhjes Ueli Maurer merr veturën e Levrat dhe niset për në kryeqytet. Para Maurerit ecën me veturë zyrtare shoferi i tij. Disa deputetë thonë se gjendja në brendinë e veturës së Levratit ishte kaotike, Levrat demanton. Sidoqoftë, kjo ndodhi tregon se përkundër mospajtimeve politike, deputetët zviceranë arrijnë të ndajnë çështjen nga personi. Me këtë ndodhi kultura politike e Zvicrës është pasuruar edhe më shumë. Ku mund të gjesh një shtet, ku kolegu yt deputet, ndonëse kundërshtar yti, voton për ty – dhe presidenti ta kthen veturën në kryeqytet?

Share: