Kush i mbledh copëzat e rendit botëror të thyer? Kësaj pyetjeje vendimtare Angela Merkel i dha përgjigje në Konferencën e Sigurisë që përfundoi në Mynih. Por ajo nuk tha të gjithë të vërtetën, mendon Christian F. Trippe.
Si në të gjitha fjalimet e mëdha politike me vazhdë të gjatë ndikimi, ishte momenti ai që i dha rëndësi fjalimit të Merkelit. Ajo lloj përzierje e momentit dhe vëmendjes nga publiku, e fjalëve me vend dhe tonit të përshtatshëm. Që para Konferencës së Sigurisë në Mynih, (15.-17.02) ishte një moment i tillë për Angela Merkelin. Kush e lexon fjalimin e saj më pas e kupton mirë pse pati ovacione të gjata për kancelaren gjermane.
Gjuhë e qartë për mikun dhe armikun
Asgjë nuk ishte e re në mendimet e Merkelit, gjithçka ishte thënë kështu pak a shumë më parë. Por mbështetja e saj e mëparshme për multilateralizmin shprehej me një gjuhë të ngurtë, të paafrueshme. Ndërsa kësaj here ishte pikërisht kjo lloj energjie, ky ligjërim i drejtpërdrejt i saj, që vuri gjërave emër. Edhe tek publiku fjalët e saj kishin efekt çlirues, ato ishin në kontrast të madh me fjalimin e zëvendëspresidentit amerikan, Mike Pence. Merkel ushtroi me humor autokritikë për mangësitë e politikës së jashtme gjermane. Pence nga ana e tij demonstroi me një stil jo të gdhendur mirë se çfarë do të thotë në praktikë politika “America First”. Merkel foli plot pasion për qëndrimet e saj. Pence jepte mesazhe ndërmjet rreshtave, nganjëherë me ton komandues.
Kontrasti i këtyre dy fjalimeve e bëri të qartë, se sa e vështirë është bërë momentalisht marrëdhënia transatlantike. Por në një kohë që Merkel tundi sallën, duke shkaktuar një valë globale gëzimi në twitter, provinca protestoi. Princër lindorë të CDU-së nisën një diskutim mendjengushtë, duhet apo nuk duhet ta lejojnë të flasë në fushatën zgjedhore të landeve kancelaren e tyre me përmasa botërore. Imazhi i Merkelit në lindje të Elbës është aq i dëmtuar, saqë kjo mund të rrezikojë edhe suksesin e CDU-së në zgjedhjet e landeve.
Pasuesja bën përgatitje
Në shtëpinë e saj me probleme, jashtë Gjermanisë e ngritur lart: Merkeli e ndan këtë fat me disa kancelarë të pasluftës – Sa më shumë fitonin prestigj e respekt si personalitete me format botëror, aq më shumë rrëzohej autoriteti në politikën e brendshme. Qoftë Adenauer, Brandt, Schmidt apo Kohl – të gjithë ata e humbën mbështetjen në radhët e tyre, disa madje u përzunë nga njerëzit e tyre, në një kohë që prestigji i tyre në botë u rrit. Merkel e ka dorëzuar ndërkohë postin e kryetares së partisë tek kandidatja e saj e dëshiruar Annegret Kramp-Karrenbauer. Ajo e përdori Konferencën e Sigurisë në Mynih për t’u prezantuar para rrjeteve të ndryshme botërore të politikës së jashtme. Kësaj iu shtua një intervistë e gjatë e Kramp-Karrenbauers për temat e politikës së jashtme. Pasuesja po përgatitet, jo thjesht vetëm për postin e kryetares së partisë.
Por kush i mbledh copëzat, kush e krijon sërish rebusin e botës? Përgjigja e Angela Merkelit në Mynih ishte e qartë – ne jemi të thirrur të gjithë e duhet të veprojmë. Por një gjë Merkel e la pa përmendur – faktin që ajo vetë nuk do të angazhohet më pas pas mandatit si kancelare. Megjithatë amaneti i saj për politikën e jashtme dihet pas Konferencës së Sigurisë në Mynih.