Viti i ri akademik 2019-2020 i gjen universitetet publike thuajse të gjitha me programe të paakredituara, një proces që duhej të ishte përmbyllur, por që në fakt as ka nisur.
Sa kushton akreditimi i degëve
Për universitetet private nuk mund të thuhet e njëjta gjë. Në këtë drejtim, ata janë treguar më të devotshëm për t’u dhënë atyre që iu besojnë të ardhmen një diplomë ligjërisht të vlefshme në tregun vendës dhe atë të huaj. Ky është konkluzioni i dalë nga një vëzhgim vertikal i listës së programeve të akredituara nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë.
Nga 225 vendime për akreditim programesh studimi, plot 224 prej tyre bëjnë fjalë për 23 universitete e kolegje private, ndërsa vetëm një prej tyre është shtetëror. Bëhet fjalë për Universitetin e Sporteve të Tiranës, masterin profesional “Menaxhim në sport dhe turizëm”, që ka përfunduar procesin e akreditimit dhe ka ngelur po aty, duke mos u shtrirë në profile të tjera, qoftë bachelor apo master.
Kjo shihet qartë në tabelën bashkëngjitur shkrimit, ku listohen të gjitha universitetet e përkrah tyre numri i programeve të akredituara, që variojnë nga 1 deri në 36 të tilla. Sot është dita e fundit e aplikimeve në universitete publike e private, ku kanë aplikuar mbi 20 mijë të rinj. Sakaq, nga IAL-të shtetërore janë diplomuar dhe presin në këtë tetor të marrin diplomën e një programi të pacertifikuar.
FONDET PËR AKREDITIM
Fill pas përfundimit të procesit të akreditimit të universiteteve, përpara dy vitesh u përfol që në të njëjtën sitë do të kalonin edhe programet e studimit. Bashkë me vendimin për akreditim u publikuan edhe kostot përkatëse për vlerësimin, që kryhet nga ekspertët e huaj në bashkëpunim me vendësit. Të parët që iu drejtuan certifikimit të cilësisë, dukshëm ishin privatët. Ndërsa universitetet shtetërore kthyen sytë nga qeveria për t’u alokuar fonde për të nisur procesin. Madje, në kulmin e debateve për shkarkim, rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, gjeti kohë për t’i nisur një kërkesë ministres së Arsimit, Besa Shahini, ku i kërkonte që në kuadër të financimeve për arsimin e lartë, të mbulonte koston e fondeve në detyrim të ASCAL për akreditimin periodik të programeve mësimore të ciklit të parë dhe të dytë.
Se si vijoi rrjedha e raportit midis dy palëve, tashmë dihet. Tregues për këtë është tabela që gjendet lehtësisht në faqen e ASCAL, ku universiteti më i madh në vend që pret çdo vit vetëm në bachelor mbi 5 mijë studentë, nuk ofron programe të certifikuara. Në të njëjtën situatë ndodhen edhe Universiteti i Mjekësisë dhe ai i Politeknikut, që kanë një numër të lartë studentësh e degësh. Ndërsa Universiteti Bujqësor bashkë me disa në rrethe kanë aplikuar, por ende nuk kanë përmbyllur procesin për t’i listuar në rendin e universiteteve me programe të akredituara.