Kryemadhi: Paratë e vjedhura në Rinas do të përdoren për zgjedhje

Aktualitet Politikë

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka paralajmëruar se paratë e grabitura në Rinas do të përdoren për fushatën zgjedhore. Në studion e “A2 CNN”, Kryemadhi ka thënë se Rinasi është një nga hallkat e të gjithë zinxhirit kriminal që sot në Shqipëri është institucionalizuar, ndërsa ka hedhur dyshime edhe për një skemë të paramenduar për të ndryshuar koncesionarin.

“Paratë do të përdoren për zgjedhje? Unë jam e bindur që për këtë është, pasi për mua është një skemë funksionale, e cila është në bashkëpunim me punonjës banke, firmën transportuese dhe Policinë e Shtetit. Rinasi është një nga hallkat e të gjithë zinxhirit kriminal që sot në Shqipëri është institucionalizuar. Paratë i kanë marrë bandat e Edi Ramës. Askush nuk guxon ta bëjë një gjë të tillë pa pasur lidhje me pikën kryesore. Mund të jetë edhe një prapaskenë tjetër. Për të larguar një koncesionar dhe për të sjellë një tjetër. Edhe kjo mund të jetë”, u shpreh Kryemadhi.

Kryetarja e LSI-së ka thënë se shumë shpejt, pasojat e grabitjes do të ndihen edhe te kursi i këmbimit valutor.

“Ajo që të bën më shumë përshtypje është fakti se ky është rasti i përsëritur. Para zgjedhjeve ndodhin këto fenomene, çuditërisht. Do ta shikoni shumë shpejt këmbimi i euros. Euro ka rënë sepse kanë hyrë në treg paratë e grabitura. Policia nuk vazhdon të gjejë paratë, por bën “ciu ciu” në Twitter, duke akuzuar opozitën, sikur ishte faji i saj”, ka thënë Monika Kryemadhi.

 

Share: