Nga Rezart Prifti
Njihet si paradoksi i diturisë: “sa më shumë mëson, aq më pak mendon se di”, ose e thënë ndryshe sa më shumë mëson, aq më shumë je i ekspozuar drejt asaj që nuk di. Në shoqërinë tonë gjithologjia ka arritur të mbizotërojë për një kohë të gjatë. Madje ekspertiza që deri diku i jep një strukturë debatit kohët e fundit shmanget fare në mënyrë të ndërgjegjshme, sepse shihet si humbje kohe. Ku ka kohë populli të dëgjojë teknikalitete?! Ndaj dhe ke artist që flasin për SPAK-un dhe kushtetuesen, ke arkitektë që nuk flasin fare, ke gazetarë që flasin për ekonominë, ke po gazetarë që të flasin për trashëgimi kulturore, ke kanare që flasin për të gjitha, si dhe derdimenë që flasin një orë e nuk thonë asgjë. Kjo tallava me çdo lloj çështjeje dhe në kohën kur një mesazh bën një argument dhe një thashethem bën një mendim.
Sot që flasim përpos se kryeqyteti ose qyteti simbol i një kombi (se përfaqëson përtej Shqipërisë), është në derexhenë e kohës së kioskave. Them derexhe e kohës së kioskave, sepse është i njëjti princip, gjej cep e fut kullë. Vetëm se sot dëmi është i parikuperueshëm.
Në pikën kur një shoqëri e tërë është nën thundrën e përdhunës me media të kontrolluara fort, me institucione të kopsitura, me një opozitë të tulatur dhe me një arrogancë të paprecedentë të pushtetit po ndërtohet një qytet i së ardhmes si një konvikt i madh. Mendoj se dy pika janë kryesore në diskutim.
E para, duhet të jetë diskutimi se cili është vizioni i këtij qyteti ku po largohen gjithë intelektualët dhe profesionistët dhe po zëvendësohet me një temp të frikshëm me popullsi rurale. Është ngritur një debat publik i impostuar gabim dhe me njerëz të të dy krahëve të keq artikuluar deri në mashtrues. Them të të dy krahëve, sepse në shoqërinë tonë gjithmonë kanë mbizotëruar ekstremet.
Diskutohet për nevojën e teatrit të ri, se a thua ka njeri që nuk do teatër të ri. Të gjithë artëdashësit që kanë qenë në atë godinë të lenë në mënyrë të papërgjegjshme në ato kushte mizerabël ku në dimër pikon dhe ndiqen shfaqet me xhup dhe në verë mban era kos i thartuar e dinë nevojën e një diçkaje të re. Zgjidhe si të duash! Bota i ka bërë të gjitha format ashtu siç mund t’i bëjmë dhe ne. Bota ka patur të vjetrën dhe për efekt të rëndësisë shoqërore e ka ruajtur, e ka rinovuar dhe të renë e ka bërë gjetiu. Po ashtu bota e ka bërë edhe këtë, e ka prishur të vjetrën dhe ka ngritur një perlë mbi të. Asnjë nga këto nuk përjashtohet në shoqëritë e civilizuara, të gjitha janë të pranueshme.
Në shoqërinë tonë fjalët, vizion dhe mision janë si lulet, i hanë gomarët. Ky duhet të ish diskutimi i parë! Ore e ka parë njeri se me çfarë ritmi po ndërtohet në Tiranë? Prap, për ekstremistët po sqaroj se unë nuk jam kundër një industrie, por kundra mashtrimit me të. E ka parë njeri që nën tredhjen publike të shoqërisë civile (kopile), medias dhe pseudo-intelektualëve shkepja e parqeve po quhet rekreacion dhe rikualifikim? Po një na kish mbetur në mes të Tiranës dhe unë me këtë lumëmadhin, që është kryetar bashkie në rininë tonë, protestonim kundër gogolit të kazinosë së Tajvanit atëherë. Mirëpo, i harron tani që janë bërë shokë e shoqe, se ndajnë tava dhe parku u duket si tavë…
Kryeqyteti i kohëve moderne është kthyer në një fjetore të madhe me kulla pa fund, në të cilën mungojnë teatrot, shkollat, kinematë dhe lloje e soje qendrash sociale që mbajnë rininë e një vendi të angazhuar dhe funksionale. Përkundër rrugës që ka marrë rinia sot, rri spatë në bar gjithë ditën dhe është kthyer në përdorues kokaine të paparë më parë në këtë shoqëri. Por kjo është temë tjetër dhe do temena të tjera.
Kryeqyteti i kohëve moderne administrohet me xhevap. Në vizionin e Tiranës së të ardhmes nuk ka vend për trotuare sepse ato janë në letra, ashtu si lejet e ndërtimit që janë afera më e madhe korruptive. Familjet e një kryeqyteti metropol sot janë të detyruar të ecin rresht si rosa me bibat nga mbrapa sepse trotuaret janë nga 20cm.
Kryeqyteti i kohëve moderne është një govatë grabitjeje të gjësë më të dukshme që janë mjediset dhe atyre të padukshme që janë pasuria e njerëzve dhe mbi të gjitha jetët e fëmijëve. Brezi i fundit, ai imi, është rritur në rrugë, ky i sotmi po rritet nëpër qendra tregtare dhe nëpër kopshte në katet e dyta të pallateve. Turp tu vijë prindërve dhe jo këtyre!
E ka pyetur ndonjë prind veten cili është vizioni i Tiranës, se cila do të jetë Tirana e Re? Se ku do rritet fëmija e tij?! Ata që e kuptuan përgjigjen ikën nga ky vend nga sytë këmbët…
Pika e dytë për t’u diskutuar mendoj se është vjedhja për ditën me diell. Kur thashë për arrogancë e kisha fjalën pikërisht për këtë. Këta njerëz e bëjnë hapur fare, në mes të ditës, madje të mbushin dhe mendjen ty që je debil. Nuk mundohen as për sofistikim, as për shkencë, as për mbulim të ndonjë vepre.
Nuk ka buf që nuk e di vlerën tregtare të atij vendi dhe ekuacioni ekonomik është i thjeshtë në këtë aspekt. Qeveria dhe Bashkia kontraktojnë Firmën për të bërë punën dhe të ndajnë lekët e asaj prone. Pra pika e dytë është vjedhja hashiqare e pronës publike në mes të Tiranës për të bërë prap kulla!
Paligjshmëria është aq e lexueshme saqë nga fillimi është menduar një proces perfekt nga esnafët. Sot është një teknikë e re që ku do të bësh diçka kundra ligjit ti nuk thyen ligjin, por ose e ndryshon atë ose bën ligj të ri. E nisën me heqjen nga ansambli i monumenteve të kulturës atë godinë për ta bërë më të kollajshme. E miratuan një ligj për tjetërsimin e pronës publike në formën më të pandershme të mundshme, pa konkurrim, pa transparencë, pa dëgjesa publike, pa…, e pa…, e pa… Grabitje në mes të ditës!!!
Një proces i orkestruar mirë dhe me objektiva të mirëpërcaktuara.
Pra, vizionari më i madh i këtij qyteti nuk i doli në krah qytetit edhe artisti, që u bë kryeministër, nuk u doli në krah artistëve…
Nuk ka për t’u dalë njeri në krah në rast se nuk do t’i dalin në krah vetes. Dhe në krah vetes kanë për ti dalë kur secili të ketë rolin e vet, të flasë për atë që di, madje të flas pak, të mos tregtojë jetën e vet për krunde se la dhe fëmijët krunde, të pyesë më shumë se ç’përgjigjet, të mos bëj llogaritë e tjetrit se kam parë që ka delirantë që bëjnë llogaritë e Firmës duke e nderuar mirë atë.
Si përfundim, thuhet se sëmundja më e keqe nuk është vdekja, por indiferentizmi!