Nga Rubens Shima
Bulevardi, Stadiumi, tani Teatri Kombëtar, më pas Universiteti i Arteve… Një seri shkatërrimesh dhe rindërtimesh veprash të rëndësishme, me gjurmë në arkitekturën dhe urbanistikën e qytetit të Tiranës.
Studiuesi dhe kritiku i artit, Rubens Shima, nxitur nga ngjarjet më të fundit lidhur me Teatrin Kombëtar, hedh një vështrim mbi atë çka po ndodh në Tiranë, valën e shkatërrimeve dhe rindërtimeve, shuarjen e shenjave historike, në këmbim të përfitimit, të fshehur pas modernes dhe kushteve më të mira.
Ai merr me radhë objektet dhe qasjen drejt shembjes së tyre. Të gjithë këtë që po ndodh në Tiranë ai e quan thjesht: Urbicid.
Tirana dhe politika e shkatërrimit urban
RUBENS SHIMA
Fizikanët e kanë përcaktuar kohën si progresion të ngjarjeve nga e kaluara, në të tashme drejt së ardhmes. E shkuara, e tashmja, gjerësisht pranohen si konvencione shkencore, që përfytyrojnë kohën si një lumë që rrjedh pa ndërprerje. Ky koncept universal vlen për njeriun, qytetin, qytetërimet e gjalla dhe të vdekura. Vlen përmbi të gjitha për artin, arkitekturën, kopshtet dhe parqet, për ndërtesat që mbërthejnë brenda vetes besimin, ideologjitë, idetë revolucionare- vetë kohën, në të cilat u ndërtuan. Ndaj, prej qindra vitesh, në vendet e civilizuara, sheshet, rrugët, monumentet, ndërtesat historike ruhen dhe mbrohen me fanatizëm qytetar, si trashëgimi dhe pasuri e përbashkët. Projektet e reja zhvillimore nuk shkatërrojnë të vjetrën, historiken. E vjetra, edhe kur dëmtohet nga fatkeqësi natyrore, si tërmeti apo zjarri, rindërtohet përsëri nga e para, tullë pas tulle, me kujdes dhe durim të madh. Kujdesi ndaj së shkuarës është filli që ndan qytetërimin nga injoranca, civilizimin nga barbaria. Qendrat dhe ndërtesat historike, konsiderohen ishuj të së shkuarës në botën e së tashmes, në dialektikë të përhershme me qytetin bashkëkohor, që tenton të zgjerohet vazhdimisht. Ato janë identiteti dhe përkatësia e përbashkët e një vendi, e një populli, historia dhe kultura e tij. Dëshmitarë stoikë të lumit të kohës pa kthim. Arti, arkitektura, na bëjnë të vetëdijshëm për mënyrën e vjetër të jetesës si diçka të humbur. Diçka që mund të ruhet vetëm në këtë formë estetike. Nuk mund të ketë dhe nuk do të ketë asnjë vlerë nëse ruajmë mënyrën e jetës së të parëve tanë vetëm si një ide apo rrëfim, e ndërkaq asgjësojmë vazhdimisht realitetin e pranisë së tyre në botë. Për ta thënë thjesht: kultura bëhet objekt ruajtjeje vetëm kur ajo tashmë është e humbur, kur i përket së shkuarës. Kjo mendësi qytetare, së bashku me politikat mbrojtëse qeveritare dhe planet rregulluese, ia ka dalë të mbajë në këmbë kryeqytetet e vjetra të kontinentit të pacenuar prej qindra vjetësh nga nevojat në rritje të shoqërisë konsumiste, duke projektuar zgjerimin e tyre drejt periferive.
Por, me sa duket, Shqipëria është rast përjashtimor nga kjo përvojë e çmuar qytetërimi.
Vitet e fundit, Tirana po i nënshtrohet një zhvillimi urban agresiv, që ka për synim vetëm qendrën e qytetit dhe jo periferinë. Alternuar shpeshherë me përvetësimin e pronës publike, ky “zhvillim” sjell përfitime të shpejta financiare për protagonistët e tij, ku më të spikaturit janë pa dyshim politikanët. Kjo marrëzi ndërtimesh po shoqërohet me një valë prishjesh masive; vila, lagje, sheshe, lulishte, kinema, fusha sporti, stadiume, janë shembur përtokë në pak vite nga qeveria e “rilindjes urbane” dhe bashkisë së drejtuar prej saj. Duke tejkaluar kështu edhe vetë shkatërrimet e mëdha të ndodhura gjatë sistemit diktatorial. Bllok pas blloku, godinë pas godine, Tirana e vjetër po rrafshohet për t’i hapur rrugë ndërtimit të kullave dhe pallateve, duke transformuar qytetin në një makth arkitektonik të pashembullt për nga shëmtia. E shplanifikuar, pa plan urbanistik, pa ide dhe koncept zhvillimi, Tirana ndodhet nën agresion konstant. Interesa klienteliste, përfitime korruptive, para të dyshimta në sinkroni me politikanë dhe studio arkitekture të huaja me lidhje të nëndheshme me pushtetin, po zbatojnë një politikë të shkatërrimit urban të kryeqytetit. I njohur si urbicid, kjo dhunë e planifikuar dhe e ushtruar sistematikisht në vite ka zhbërë strukturën historike të qytetit, endjen e tij. Shkatërrimi i stadiumit, copëzimi bulevardit, zhdukja e lulishtes në sheshin “Skënderbej”, vendimi për shembjen e Teatrit Kombëtar, janë rastet më përfaqësuese të urbicidit që po i ndodh Tiranës.
Ndryshimet e mëdha demografike, kryesisht të ndodhura pas viteve 90’, heterogjenizuan dhe përmbysën kokëposhtë strukturën e popullatës së qytetit të Tiranës. Si me shkop magjik, fshatari i hinterlandit shqiptar u transformua në qytetarin e ri të kryeqytetit. Ky qytetar bazik e ka të pamundur për ta parë dhe kuptuar qytetin si trashëgimi dhe përkatësi të përbashkët. Ai, në të shumtën e rasteve, shfaqet sot i pazë, i pandjeshëm, neglizhent dhe indiferent. Një sehirxhi pa kujtesë historike, që sodit shkatërrimin e qytetit të vet pa emocion dhe pa bjerrje ndërgjegjeje. Në këto rrethana, kontributore e së cilës është gjithë politika 20- vjeçare en bloc, në kombinim fatal me makutërinë dhe babëzinë e politikanëve hajdutë, u krijuan kushtet ideale për asgjësimin pothuajse tërësor të historikut dhe kulturës së kryeqytetit, karakteristikave, mënyrës së jetesës dhe ndërtesave të tij historike. Duke kryer në mes të Europës të parin dhe të fundit urbicid në kohë paqeje. Më lejoni t’i marr me radhë për aq sa mundëson një artikull gazete:
BULEVARDI I TIRANËS
Plani rregullues i qytetit të Tiranës ishte pjesë e synimit të Zogut, për t’i dhënë frymë perëndimore kryeqytetit, i cili duhet të ishte i dallueshëm nga bërthama e vjetër e tij orientale. I pajtuar nga Mbreti i Shqiptarëve, Armando Brasini, një nder emrat më influentë të arkitekturës italiane, konceptoi planin rregullues të viteve 1926-‘27, pjesë kryesore e të cilit ishte krijimi i aksit Veri-Jug, njohur sot si Bulevardi i Tiranës. Ky aks fillonte në Veri tek ish-Stacioni i Trenit dhe përfundonte në Jug te kompleksi universitar. Më pas, Florestano Di Fausto, një tjetër arkitekt i shkëlqyer italian, duke ndjekur aksin Brasini, ndërtoi Bulevardin, sheshin “Skënderbej” dhe kompleksin e ministrive, pothuajse i pandryshuar gjer më sot. Gjatë sistemit diktatorial, sheshi do të pësonte shumë transformime të dhunshme, ku më i parikuperueshmi ishte shkatërrimi i godinës së Bashkisë, në vitin 1980. Por gjithsesi, aksi i Bulevardit, gjurma e Brasinit mbijetoi deri më 2016. Më pas, me rikonceptimin e sheshit “Skënderbej”, këtë herë nga arkitekt Edi Rama, gjurma 90-vjeçare e Bulevardit, konceptuar nga Armando Brasini, u zhduk. Bulevardi i Tiranës, me një ndërhyrje të paprecedent në historinë e arkitekturës botërore, u nda më dysh, për t’i lenë vend një sheshi sa absurd, aq edhe afunksional. I rrethuar me driza dhe ferra, reklamuar me propagandë banale nacionaliste shkurresh dhe gurësh, sjellë dhe mbjellë nga të gjitha trevat shqiptare, rikonceptimi i sheshit “Skënderbej” rezultoi një ndërmarrje fatale për Bulevardin historik të kryeqytetit. Një ndërhyrje kitsch sa e pakuptimtë, aq edhe e shëmtuar, e cila është kthyer në një makth lëvizjeje për jetën e banorëve të qytetit. Kostot e para të sheshit të ri i pagoi Biblioteka Kombëtare. Uji vërshoi nga të katër anët, qindra e mijëra tituj librash e gazetash pluskonin mbi ujërat e zeza e të bardha, duke nxjerrë në dritë infrastrukturën nëntokësore të një qyteti të braktisur. Skenë apokaliptike. Një çnderim kombëtar. Pamje që do të skuqnin nga turpi çdo qenie, që ecën mbi dy këmbë. Në të njëjtën kohë u shkatërrua edhe lulishtja historike, projektuar nga arkitekti Giulio Berté. E përfunduar në vitin 1936, ajo ishte ndërhyrja e fundit që arkitektët italianë do të bënin në Bulevardin e Tiranës. U konceptua si sheshvrojtim, një lloj iluzioni optik, që u mundësonte fasadave të kompleksit të ministrive, të fitonin lartësi dhe një shkallë monumentaliteti. Sot, pjesa veriore e Bulevardit është kthyer në një apendiks pa formë dhe funksion. Mbi aksin e dikurshëm të Brasinit, janë krijuar dy entitete arkitektonike të shkëputura nga njëra-tjetra. Kjo është bërë me qëllim për t’i zhvilluar këto dy njësi si fragmente të ndryshme akomunikuese. Zhvillim, në këtë rast, nënkupton ndërtime kullash të reja.
STADIUMI OLIMPIK (ISH-STADIUMI “QEMAL STAFA”)
Vepër e arkitektit Gherardo Bosio, ishte pjesë e ansamblit arkitektonik monumental neoimperial, që mbyllte nga ana jugore Bulevardin e Tiranës. Trashëgimia që la Bosio në Tiranë është një kapërcim kulturor i arkitekturës së Brasinit dhe Di Faustos. U ndërtua pothuajse i plotë, por u përurua vetëm në 1946 për Lojërat Olimpike Ballkanike. Deri në 2015 gëzonte statusin e “Monumentit të kulturës kombëtare”, të kategorisë së dytë, si gjithë ansambli përreth. Shembur në 2016 nga qeveria socialiste e Edi Ramës. Shkatërrimi stadiumit të vjetër olimpik është humbja më e madha për historinë e qytetit, e njëjtë me shembjen e bashkisë së vjetër të vitit 1980, pas së cilës sheshi “Skënderbej” nuk mundi të rikuperohet më. Edhe rrafshimi i stadiumit të vjetër ka përçudnuar dhe dëmtuar rëndë dhe pa kthim tërë ansamblin arkitektonik të ndërtesave të Bosios. Me ballinën e dikurshme, ndërtuar me gurë të skalitur, elementë të një figuracioni tradicional mesjetar, sot fasada e stadiumit të vjetër ekspozohet si repert arkeologjik, si provë historike e shkatërrimit përfundimtar të Tiranës, kryer gjatë “Renesancës së fundit Europiane” në kontinent. Stadiumi i vjetër i Bosios u zëvendësua me një të ri, projektuar prej studios së arkitektit Marco Casamonti. Dhe kështu, si në përrallën e llambës së Aladinit, ku xhindi plotëson çdo kërkesë të padronit, një godinë e stërmadhe u ngrit. E shproporcionuar me sheshin dhe gjithçka tjetër rreth tij, veshur me elemente banale të parafabrikuara kuqezi, të sjell ndërmend sapo e sheh thënien e Samuel Jonson: “Patriotizmi është streha e fundit e zuzarit”.
Zgjeruar pa kriter dhe pa respektuar asnjë normë hapësinore, stadiumi i ri ka pushtuar gjithë horizontin e ansamblit historik, duke i bërë godinat e vjetra ekzistuese të duken si lego fëmijësh. Një strukturë gjigante, që nuk ndjek as formë e as funksion, por vetëm një qëllim: Hapësira, sa më shumë hapësira. Hapësirë do të thotë para. Fitim. Forma ndjek paranë. Dhe kështu, godina zgjerohet e zgjerohet sa duket sikur nga momenti në moment do të pëlcasë. Një tmerr arkitektonik, që mbërthen brenda vetes stadium, hotel me kullë, qendër tregtare, zyra biznesi, bare, restorante, palestra. Ky është simboli i zhvillimit të Tiranës, stilema e saj. Para pak ditësh, kryetari ngazëllyer i bashkisë së kryeqytetit prezantoi para një grushti zyrtarësh të administratës publike edhe projektin e Kampusit të ri të Universitetit të Arteve. Projekti i bërë vullnetarisht ishte përsëri i Marco Casamontit. Nuk mund të ndodhte ndryshe! Si dashnor i simetrisë se pamëshirshme, projektideja e ofruar falas propozonte pak a shumë të njëjtën zgjidhje si në rastin e stadiumit. Godina e dikurshme e Selisë Qendrore të Dopolavoros, Universiteti i Arteve sot, ruhej. Por pas saj do të ndërtohej një volum i stërmadh shumëkatësh në formë patkoi, që rrethonte nga të tria anët godinën ekzistuese. Mos dhëntë Perëndia të jetë dhe ky kuqezi! Nuk besoj që dikush të ketë gabuar shkallën e përgatitjes së moduleve të projektit. As të dhënat e videos plot imazhe renderuese, që u shfaq gjithë ngjyrë dhe gjelbërim si reklamë komerciale biznesi. Ndoshta ndonjë biznesmen tjetër, bujar i madh dhe dashamirës i artit, është shfaqur në horizont. Në këmbim të pronës së Arteve dhe shembjes së godinave ekzistuese pas saj do të ndërtojë “falas” klasat dhe sallat e reja për studentët. Pa harruar paketën e zakonshme për veten dhe miqtë: apartamente, hotele, restorante, kafé etj..
TEATRI KOMBËTAR
Ish-Rrethi Italo-Shqiptar “Scanderbeg”, vepër e arkitektit Giulio Berté, ndërtuar nga firma “Pater”, u inaugurua në gusht të vitit 1939. Është godina e parë moderniste e kësaj ndërmarrjeje në Shqipëri, njëkohësisht unike për teknologjinë e përdorur të ndërtimit; pllaka të parafabrikuara çimentoje & tallashi dhe kompozite të tjera. Në një tjetër vend, vetëm për këto cilësi, pa përmendur vlerat historike, godina do të ishte konservuar dhe restauruar, me gjasë disa herë.
E quaj të pavend të tregoj historinë e kësaj ndërtese të jashtëzakonshme, pasi do të bie në përsëritje të vetvetes dhe të shumë kolegëve dhe miqve që kanë shkruar për të, por dua të sjell në vëmendjen e lexuesit vetëm përshkrimin e gazetarit dhe historianit Indro Montanelli në librin e tij, “Albania una e mille”, botuar në vitin 1939, ku shkruan:
“..Rrethi Italo-Shqiptar që po ngrihet, monumental, ndoshta ca si tepër monumental, në anë të Pallatit të vjetër Mbretëror do të mbushë boshllëkun, bashkë me pishinën, fushave të mbuluara të tenisit dhe të restorantit luksoz. Është një sipërmarrje kolosale, e rritur si një kërpudhë në harkun e pak muajve, në sajë të Paterit, magjistarit italian, që ndërton në gjithë botën… Dhe kështu, ky klub Skënderbej, i lindur nën moton e marrëveshjes kulturore Italo-Shqiptare, do t’i japë dorën e fundit mobilimit perëndimor të Tiranës dhe do t’u lejojë jo vetëm studiuesve, por edhe njerëzve që merren me sport, vendës dhe të huaj që të kenë më pak zili e t’u shëmbëllejnë më shumë atyre të Romës dhe të Londrës”
Por pavarësisht ç’thonë dokumentet historike, marrëveshjet e lidhura mes dy vendeve në vitin 1938, pavarësisht ç’thonë periodikët e kohës dhe pavarësisht se çfarë shkruan Indro Montanelli, Kryeministri i Shqipërisë e ka marrë vendimin për ta shembur. Shkatërrimi i saj është thjesht çështje momenti. Një kronikë e paralajmëruar që në fillim të viteve 2000. Por në ndryshim nga rrafshimi i stadiumit dhe gjymtimi bulevardit, aksioni për shembjen e Teatrit filloi me një fushatë të ulët propagandistike, ku publikut nuk i munguan as rrëfenjat me kurva dhe ushtarë. Vetë Kryeministri in personam, bashkë me kryetarin e Bashkisë, ishin të etur për të na shpjeguar se sa e padobishme dhe e pasigurt është kjo ndërtesë. Ana tjetër e medaljes në këtë histori të shëmtuar është mënyra si qeveria trajton popullin e saj. Duke fabrikuar gënjeshtra e më pas përhapur ato nëpërmjet instrumenteve të saj të propagandës, kryesisht mediat e blera, që çorodisin dhe përçajnë opinionin publik. Pa dyshim, suksesi i vetëm i kësaj qeverie është përdorimi në shkallë industriale i propagandës dhe mashtrimit. Fillimisht denigrohet vlera arkitekturore dhe historike e ndërtesës. Më pas shfaqen personazhet e “njohura” të qytetit, të cilët një e nga një, në rresht shprehen pro shembjes së saj.
Duhet të pickosh veten për të kuptuar se në ç’regjim jetojmë!
Vendimi i Kryeministrit për shembjen e Teatrit Kombëtar është ikona më përfaqësuese e urbicidit që po ndodh në Shqipëri. Me asgjësimin e kësaj ndërtese dhe ndërtimin e kullave të planifikuara, zona historike e kryeqytetit nuk do të ekzistojë më. Horizonti do të pushtohet nga gjashtë përbindësha shumëkatësh. Ndërtesat e ministrive të Di Faustos do të ngjajnë si lodra fëmijësh. Edhe vetë pamja e malit të Dajtit do të jetë një kujtim që do t’i përkasë së shkuarës.
Bulevardi, Stadiumi, Teatri, së bashku me qindra vila dhe shtëpi të borgjezisë tiranase janë shembur sistematikisht këto vitet e fundit në kryeqytet, për të hapur sheshe ndërtimi për pallate dhe kulla. Vulgariteti arkitektonik dominon sot vijën e horizontit të qytetit. Tirana është kthyer në një qytet të pajetueshëm, afunksional, antiestetik, ndërtuar pa zhvillim racional, pa plan dhe të parregulluar me ligj, shëmbëlltyrë e pastër e drejtuesve të saj në vite.
Urbicid Tirana së shpejti do të trajtohet si rast studimi në botë. Do t’i referohen si shembull unik, ku sistemi politik i korruptuar, tensionet e brendshme, interesat financiare, apatia shoqërore dhe kultura rudimentare e një shoqërie shembën përdhe një qytet të tërë, historinë dhe identitetin e tij. Varshava, Vukovari, Sarajeva, Alepo janë pranuar gjerësisht si urbicide të luftës, me gjasë Tirana do të shënjojë të parin urbicid në kohë paqeje.
“Pas prishjes primitive historike vjen katastrofa moderne historike. Dhe atëherë, plaçkat në krahë dhe mbeç t’u mirë o Vatan!” – shkruante Branko Merxhani te “Përpjekja Shqiptare” në vitin 1937.
E provuam një herë!/ Panorama