Nga profesor Qemal Murati
Fjala Akademi (gr. akademia rrjedh nga emri personal Akádēmos, pronar i kopshtit për të cilin është fjala), dikur kishte këto kuptime:
1) kopsht në afërsi të Athinës ku Platoni jepte mësime të filozofisë së tij;
2) shkolla e Platonit, filozofia e Platonit;
- shkollë e lartë për shkencë dhe art;
- emërtim i institucionit më të lartë të shkencave dhe arteve;
- veprimtari festive për nder të një ngjarje të rëndësishme apo ndonjë personaliteti të rëndësishëm.
Më vonë, fjala Akademi mori kuptimin “institucion i lartë shkencor shtetëror dijetarësh e njerëzish të kulturës, që merret me organizimin e drejtimin e punës shkencore dhe me kërkime e me studime për zhvillimin e shkencave e të arteve”.
Ndërkaq, sot kjo fjalë për Akademinë në disa vende të Ballkanit ka marrë kuptime të tjera degraduese, që do të thotë institucion i grupeve të interesit, institucion “i xanun” (kapur) nga ”Akademikhiçët”, nga njerëz pa begraund shkencor e me botime triviale, joshkencore, institucion i mumifikuar, i sklerotizuar etj. Ndonjëherë akademitë në Ballkan janë quajtur dhe “Çerdhe e gjarpërinjve”, me referencë për Akademinë Serbe nga vetë serbët.
“Anëtar i Akademisë” – dikur kishte kuptimin njeri i ditur dhe me integritet të spikatur shkencor, kurse sot ka marrë kuptim tjetër të përkundërt, njeri jo domosdoshmërisht i ditur e pa integritet shkencor, që bëhet “akademik” falë influencave gjithfarëshe, lobimeve ala-partiake, fisnore e klanore, që zgjidhet, natyrisht, konform procedurave të votimeve “demokratike” por që s’kanë të bëjnë aspak me shkencën.
Tipin më eklatant të Akademisë së degraduar, ta zëmë, e paraqesin: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Maqedonisë (MANU), Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK), por jo vetëm.
Akademia Malazeze e Shkencave dhe e Arteve (CANU) me ”shkencën” e saj i paraqet shqiptarët si “agresorë dhe okupatorë”.
Në Fjalorin e Akademisë malazeze të Shkencave dhe Arteve (CANU- Crnogorska Akademija Nauka, i Umjetnosti), në mes tjerash shkruan se Shqiptarët janë agresorë, okupatorë dhe se kulturën e gjuhën përmes agresionit ua imponojnë të tjerëve me qëllime për t’i “albanizuar”.
Po këtë mendësi kanë dhe akademikët maqedonas, të cilët deri dhe Nën Terezën e paraqesin se nuk është shqiptare!
Misioni i akademikëve dhe i akademive në botën perëndimore është përkushtimi shkencor, institucional dhe njerëzor në shërbim të arritjeve të reja shkencore, t’i shërbejnë vendit të vet, por edhe shkencës rajonale e botërore, me pasion dhe me të vërtetën. Specifikisht, edhe të shkencës dhe kërkimit shkencor në Ballkan, në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni. Porse, Akademitë në hapësirat shqiptare dhe në ato ballkanike janë bërë si të thuash Akademistan, që asocion me emrat e shteteve të kaosit aziatik me –stan si Afganistan, Pakistan, Turkmenistan, akademi të honxhobonxhove, akademi pa ndonjë vlerë morale e shkencore.
Për MANU-n dhe ASHAK-un do të thuhen disa fjalë më poshtë.
MANU – NJË AKADEMI E MUMIFIKUAR
MANU (ASHAM) ka mbetur në vitin kur edhe është krijuar (1967) – jeton akoma në tregues e parametra mesjetarë
Akademia Maqedonase e Shkencave dhe e Arteve (ASHAM, maq. MANU) si në të kaluarën dhe si tash tregon se është institucion i lartë shkencor shtetëror, që merret me organizimin e drejtimin e punës shkencore dhe me kërkime e me studime për zhvillimin e shkencave e të arteve kryesisht vetëm për interesin e popullit maqedonas dhe për maqedonistikën. Ajo është ekskluzivisht Akademi e një komuniteti etnik – atij maqedonas, siç e tregon dhe përcaktori “Makedonska Akademija” (Akademia Maqedonase), e jo siç do të duhej të ishte në realitet – Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Maqedonisë, e ku do të duhet të realizohen edhe interesat e etnive të tjera, sidomos të asaj shqiptare.
Që nga themelimi i saj e deri më sot, MANU ka pasur gjithsej 154 anëtarë dhe pesë Seksione:
– Seksioni i shkencave gjuhësore dhe letrare
– Seksioni i shkencave shoqërore
– Seksioni i shkencave matematikore dhe teknologjike
– Seksioni i shkencave biologjike dhe mjekësore
– Seksioni i Arteve
Nga 48 akademikë maqedonas (anëtarë të rregullt) sa ka tani, vetëm 3 janë shqiptarë, ndërsa nga 48 anëtarë të asociuar, 2 janë shqiptarë po të merret shqiptar dhe nobelisti me prejardhje shqiptare, Ferid Murad (http://www.manu.edu.mk/about/members). Kjo dëshmon qartë se “ora” politike dhe shkencore e MANU ka mbetur në vitin kur edhe është krijuar (23 shkurt 1967). Pra, MANU jeton akoma në tregues e parametra mesjetarë.
Akademia e Shkencave dhe e Arteve duhet të jetë diç shumë serioze, shumë e rëndësishme dhe hijerëndë, pasi dihet që Akademia merret me punën shkencore hulumtuese të lirë, të hapur e të paanshme pa u përcaktuar për ndonjë kahe politike. Kurse MANU ka mbetur pronë vetëm e kombit maqedonas dhe është krejtësisht e politizuar dhe e ngarkuar me bagazhin pseudoshkencor e antishqiptare. Të kihet parasysh këtu vetëm botimi i ”Enciklopedisë së Maqedonisë” (2009), e veshur me racizëm primitiv antishqiptar e me falsicitete ordinere. Ngaqë vetë maqedonasit kanë vuajtur nga racizmi, tani ata ushqehen me racizëm dhe ngrenë pretendimin e madh që sllavët e Maqedonisë së sotme na qenkan pasardhës të maqedonasve antikë (!), e shqiptarët të ardhur në këto vise vonë nga malet. Ky është jo vetëm një trillim i pastër, por një kthim kokëposhtë i së vërtetës historike, një përdorim i pastër politik, që nuk përfill ligjin numër një të historisë: verifikimin e fakteve. Fakti që disa fise të sllavëve të jugut, të ardhur në vitin 548 në Iliri, kanë pasur fatin të jetonin në një tokë që mbajti maqedonasit e dikurshëm antikë, në të cilën kanë kaluar me furi pushtimet shekullore romake, gotët, hunët, avarët, protobullgarët, sllavët, kryqtarët, e së fundmi turqit, nuk u jep të drejtë të vetëquajturve “maqedonas” të ngrenë pretendimin e madh se këta na qenkan pinjollë të Filipit e të Aleksandrit të Maqedonisë. Në specifikën e mentalitetit ballkanik, e sidomos të atij sllav, e huaja lehtë përvetësohet dhe bëhet si vetjake. Në cilat enciklopedi botërore mbështeten autorët e “Enciklopedisë Maqedonase” për të dëshmuar etnicitetin a prejardhjen e tyre nga maqedonasit antikë? Në asnjërën, sepse dëshmi të tilla nuk mund të gjenden kurrkund, përveçse në mendjet e tyre të prapambetura sterile.
MANU (ASHAM) – me mendësi e doktrinë antigjuhë e antishqiptare
Kjo ASHAM edhe sot e kësaj dite promovon në mënyrë bizare unifikimin gjuhësor në Maqedoni dhe diskursin antigjuhë e anticivilizim kundër përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe. Kjo doktrinë e Katica Qullafkovës për unifikim njëgjuhësor e njëkulturor maqedonas në Maqedoninë shumetnike, shumëgjuhëshe e shumëkulturore paraqet hyrje në konceptin fashizoid, i cili dihet se si ka përfunduar. Me këto koncepte retrograde linguisticide tashmë nuk mund të flitet as në Afrikë, sepse edhe atje ka një demokraci linguistike. Në Maqedoni nuk sundon “pakica” shqiptare mbi “shumicën” maqedonase, vetëm pse ajo kërkon të realizojë të drejtat e saj të ligjshme e demokratike gjuhësore, kulturore, ekonomike, sociale etj., por në fakt është e sunduar një shumicë e përfillshme shqiptare nga ajo maqedonase si në asnjë vend tjetër të rajonit dhe të Europës.
Për ndjesinë ndaj gjuhës së tjetrit mjafton t’ia kujtojmë Katica Qullafkovës këtë fakt relevant:
Konfederata zvicerane në aspektin e politikave linguistike është një “aparat i çuditshëm: ”shtatë milionë banorë flasin 4 gjuhë të ndryshme, me status të barabartë zyrtar: gjermanisht, frëngjisht, italisht dhe retoromanisht. Madje, dhe për emërtimin e vendit përdoret latinishtja Confoederatio Helvetica, në mënyrë që t’i iket favorizimit të njërës prej katër gjuhëve zyrtare të Zvicrës.
“Akademikja” Katica Qulafkova thekson se asnjëherë gjuha shqipe nuk mund të mësohet nga maqedonasit nëpër çerdhe, shkolla fillore dhe ato të mesme të Maqedonisë:
“Askush nuk ka të drejtë maqedonasit t`i obligoj të mësojnë gjuhën shqipe. Ky është krim kulturor të detyrohen maqedonasit të obligohen të përdorin një gjuhë tjetër. Sot shumë lehtë premtojmë masa ekstreme radikale të cilat e kërcënojnë në tërësi pasqyrën identitare të shtetit maqedonas”.
Për konceptet e tilla linguistike do t’ia kishte zili edhe gjenerali Franko dhe diktatorë të tjerë si ai në kohën e fashizmit. Kurse sot jemi në vitin 2017.
Edhe në Ligjin e ri të gjuhëve të propozuar nga Qeveria e Maqedonisë e kryeministrit Zoran Zaev, ku parashihen politika pak më të avancuara të përdorimit zyrtar të shqipes, por jo zyrtarizim i plotë dhe i barabartë i shqipes kundruall maqedonishtes, ja si shprehet një opinionist maqedonas Oliver Andonov:
“Ligji i propozuar për gjuhët është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë. Shumë ekspertë nga fusha e drejtësisë e kanë elaboruar këtë në detaje. Për propozimin nuk kanë mendim pozitiv as anëtarët e Akademisë të Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë të cilët konsiderohen si mbështetës të afërt të Zoran Zaevit dhe LSDM-së” (Oliver Andonov, Propozimi i Zaevit, politikë ditore, Gazeta “Express, 24.8.2017).
Nga ky artikulim i mësipërm dalin në pah dy çështje thelbësore:
1) “Ligji i propozuar për gjuhët është ne kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë”. Nëse qenka kështu, atëherë të ndryshohet Kushtetuta apo të ndryshohen (asimilohen) shqiptarët, që ata të ndërrojnë gjuhën e tyre e të mos flasin shqip?! Pra, sigurisht duhet ndryshuar Kushtetuta, sepse nuk mund të ndryshohet populli. Ndryshe, shqiptarët kanë të drejtë të mos e njohin atë Kushtetutë.
2) “Për propozimin nuk kanë mendim pozitiv as anëtarët e Akademisë të Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë të cilët konsiderohen si mbështetës të afërt të Zoran Zaevit dhe LSDM-së”. Po, përse do të duhej të kenë mendim pozitiv ose negativ “akademikët” maqedonas për zyrtarizimin e gjuhës shqipe? Mos vallë ata i kanë ligjet e Zotit në dorë dhe mund të vendosin edhe për çështjen e gjuhës shqipe dhe për të drejtat politike, kulturore e shkencore të shqiptarëve?! Ajme! Kjo flet vetë se për çfarë Akademia është fjala!
Për një Akademi Shqiptare të Shkencave dhe të Arteve në Maqedoni (ASHSHAM)
Në MANU pranohen vetëm anëtarë të proveniencave politike, partiake e klanore, të sojit që kanë hartuar “Enciklopedinë Maqedonase”, – veprën model antishkencore, – që jo domosdoshmërish duhet të kenë bagazh shkencor. Edhe anëtarët shqiptarë akademikët maqedonas i pranojnë jo sipas bagazhit të veprave, por sipas kutit të tyre. Kjo shtron nevojën e patjetërsueshme që ose brenda Akademisë ekzistuese të hapet një Sektor i veçantë i Albanologjisë ose të formohet një Akademi e re: Akademia Shqiptare e Shkencave dhe e Arteve. Zgjidhja më e drejtë do të ishte kjo e dyta.
Ekzistenca paralele e dy Akademive, a dëmton?
Ekzistenca paralele e dy Akademive, ASHSHAM dhe MANU, veçse ndihmon, e nuk dëmton. Ashtu sikurse dhe ekzistenca paralele e disa instituteve dhe universiteteve nuk dëmton, por veçse ndihmon. Kjo sepse shton konkurrencën e vlerave. ASHSHAM nuk krijohet si opozitë e MANU, por si nevojë reale për hulumtime shkencore në radhë të parë në fushën e albanologjisë. Me 4-5 anëtarë shqiptarë në MANU, kryesisht të fushës së letërsisë dhe të ekonomisë, të zgjedhur ashtu siç janë zgjedhur, shkencat albanologjike: gjuhësia, historia, etnologjia, muzikologjia, realisht kanë mbetur të papërfaqësuara me kuadër të mirëfilltë shqiptar.
Faktori politik shqiptar në Maqedoni duhet të angazhohet maksimalisht që ta realizojë këtë të drejtë të patjetërsueshme të shqiptarëve sa më parë, jo si karshillëk ndaj Akademisë Maqedonase (MANU), por si e drejtë dhe nevojë reale që edhe shqiptarët fatin e shkencës së tyre ta marrin vetë në dorë. Por, Akademia shqiptare pastaj të mos bëhet çerdhe partiake.
ASHAK – NJË GJASMEAKADEMI TRIBALE*
ASHAK, ashtu siç është katandisur, është thjesht një fermë e çoroditur e të paditurve se sa një akademi. Ndaj, më shumë të bën nder të mos jesh aty se sa të jesh anëtar i atij Klani semianalfabetësh e pazarxhinjsh meskinë
Fjala Akademi në disa vende, në thelbin e saj, do të thotë institucioni qendror që bashkon studiues të shquar shkencorë dhe artistë, drejton projekte shkencore hulumtuese dhe të ngjashme. Ndërkaq, fjala Akademi tek ne do të thotë institucion që bashkon persona e grupe të interesit jo domosdoshmërisht që shquhen për arritje shkencore, por që kanë devotshmëri ndaj Klanit.
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) p.sh. është larg të qenit të emërtimit që mban. Në thelb është e kundërta e saj. Një Akademi tipike bashibozukësh, ku sundon arbitrariteti dhe absurditeti e jo shkenca. Aty pranimi i anëtarëve të rinj bëhet jo sipas meritave shkencore e artistike, siç detyron Ligji për Akademinë dhe kodeksi moral e profesional, por sipas meritokracisë të rishtarëve që do t’i shërbejnë Klanit. Aty nuk mund të pranohet kandidati me bagazh shkencor, që ka shkruar dhe botuar deri dhe 40 vepra, që ka kontribuar për shkencën tonë. Por mund të hyjë dikush që ka shkruar vetëm një vepër ose që s’ka shkruar asnjë. Kulla e Errët e quajtur ASHAK është bërë si “Ferma…” e Oruellit, ku çdo gjë funksion sipas logjikës absurde të diktatit. Aty vendosin dy-tre veta, nëpër të ashtuquajturat seksione, me gishtat e don kishotëve, se kush mund ta kalojë rrethin e parë të hyjë në “Shtëpinë e të “Pavdekshmëve” (të vdekur) e kush jo. Më përpara ndonjë kandidat mund të marrë edhe Çmimin Nobel ose të shkojë në Hënë se sa të pranohet në ASHAK. Sepse në Kullën e Errët funksionojnë ligje të tjera, jo ato të shkruarat. Por ligje të pashkruara, të xhunglës. Në ASHAK, si në Big Brother, për gjithçka vendos Vëllai i Madh, Gjuhëtari i Madh dhe Letrari i Madh. Ata ia kanë ndërruar edhe kuptimin e mirëfilltë termit “akademik” që ka nëpër fjalorë dhe e kanë bërë këtë term për asgjë, ama bash pa asnjë kuptim. E kanë bërë term fyes, të gërditshëm.
Me këtë mendësi të egër e primitive që sundon sot në ASHAK, aty sot e një mijë vjet nuk do të pranohej, ta zëmë, as intelektuali dhe filozofi i madh francez Zhan Pol Satr. As themeluesi i gjuhësisë strukturaliste Ferdinand de Sosyr – thoshte Agim Vinca. Aty nuk do të pranohej as Noam Çomski, as Eqrem Çabej. Aty sot nuk do të pranoheshin as Idriz Ajeti dhe Rexhep Qosja, që nuk janë me mendësinë e Klanit. Sepse Klanit a klaneve u intereson jo shkenca, por vetja e tyre, se kush do të vijë nesër aty nga rrethi i familjes biologjike të tyre apo nga rrethi i familjes partiake, fisnore, nga shpura e tyre, që t’ua punësojë të afërmit e vet.
Në Kullën e Errët, siç thotë populli “S’ninë për zhupan” – s’i japin llogari askujt, vendosin si duan vetë. Sepse zhupanët e mëdhenj i kanë brenda. Kanë bërë akademikë ministra e kryeministra, deputetë e gjysmanalfabetë, që disa i quajnë “Akademykë” (të mykur), edhe pa asnjë vepër.
Po të botohen CV-itë e kandidatëve në një libërth më vete dhe të bëhen publike, do të mund të shihet se çka po zihet në ASHAK, qesharakësia e don kishotëve, që për veten e tyre kanë pushtuar nga dy-tri akademi pa asnjë meritë, pa ndonjë vepër për të qenë, kurse të tjerët që janë shumë më të aftë se ata nuk i lënë të qasen aty fare.
Cilësimet për gjasmeakademinë e quajtur ASHAK
Opinionisti Jusuf Thaçi ASHAK-un e quante “Akademia që vret” (që e vret të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës).
Kurse intelektualë të tjerë e kanë quajtur me emërtimet:
Akademia Mahallore e Kosovës,
Klubi i Azilit të Pleqve,
Akademi Private,
Akademi Qesharake,
Akademi e Plagjiaturave,
Akademi e Talljeve Shkencore,
Akademi e spërkatjeve politike,
Akademi e hiçit,
Akademia ku janë grumbulluar të gjithë averazhët e LKJ- LDK-ë,
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës si institucion i LDK-së e PDK-së,
Akademia e një klani zhvatës,
Akademia e Turpit,
Gjasmeakademi,
MosqoftëAkademi e uzurpuar nga një grup klanor palopartiak,
Akademi e nënbishteve të oligarkisë politike,
Akademia e kalbur e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës,
Akademia e Preshevës,
e si jo tjetër, sepse aty e dinë edhe zogjtë e malit se kush mund të bëhet anëtar i Akademisë, natyrisht pa kontribute, por me devotshmëri ndaj tribusë e Klanit.
Qysh një muaj përpara se të shpalleshin rezultatet e zgjedhjeve në ASHAK, për (mos)pranimin në Kullën e Errët analisti Jusuf Thaçi shkruante:
“ASHAK është (do duhej të ishte) institucioni ku përfaqësohen vlerat më të larta të vendit tonë në fushën e shkencës, teknologjisë, artit, kulturës, etj. Fatkeqësisht, ASHAK kurrë nuk ka qenë e tillë! Edhe më fatkeqësisht, as që pritet të bëhet e tillë!
(Mos)pranimi në ASHAK varet nga vendimet arbitrare të anëtarëve ekzistues të ASHAK-ut dhe nga ndërhyrjet politike, ndaj dhe nuk ka fare rëndësi rezultati përfundimtar i konkursit. Personalisht ndiej keqardhje që disa persona me vlera të mirëfillta, të dëshmuar në nivel ndërkombëtar, kanë pranuar që të kandidojnë për t’u bërë pjesë e ASHAK-ut.
Kjo tregon se në çfarë niveli ka degjeneruar institucioni më i lartë dhe më i rëndësishëm i vendit për fushën e shkencës, të artit, etj. Pra, kjo Akademi, në vend që të ndërtojë të ardhme për këtë vend e për këtë shoqëri, ajo e vret këtë të ardhme” (Jusuf Thaçi, Mbi-shteti që “fal” dhe akademia që vret!, Gazeta Express, e mërkurë, 23 Nëntor 2016).
Në “Akademinë që vret” elita akademike po e zbaton demokracinë totalitare në mënyrë feudale, despotike dhe orientale, krahinore e fisnore. Akademikët e tipit ASHAK janë produkti më i pavlerë që ka Kosova sot.
ASHAK u dërgon institucioneve “Qarkoren për propozimin e kandidatëve për zgjedhjen e anëtarëve të Akademisë”, në të cilën precizohet që me rastin e dhënies së propozimeve është e domosdoshme të merren parasysh posaçërisht këto momente:
- “Anëtar korrespondent i Akademisë mund të zgjidhet punonjësi i shkencës ose i artit i cili ka krijuar vepra shkencore ose artistike të një rëndësie të veçantë”.
Por, ama, zaptuesit e Akademisë këtë paragraf e kanë vetëm sa për formalitet, sepse i detyron Ligji, porse ata nuk respektojnë asgjë nga kjo dispozitë ligjore!
Në “Akademinë që vret”, autori i këtyre radhëve (me 35 vepra të botuara dhe 5 vepra të gatshme për botim) e quan veten të nderuar që nuk është bërë pjesë e atij soji e sorollopi, e atij vulgu. Kur ajo kotillë e donkishotëve ka guximin të mohojë edhe 40 vepra të
kandidatit të këtyre radhëve – që është pothuajse sa produkti i gjithë ASHAK-ut, atëherë shihet se çfarë akademie është kjo.
Për të qenë një Akademi e mirëfilltë e shkencave dhe e arteve, kandidaturat e anëtarëve të rinj për në ASHAK duhet të vlerësohen nga komisione të jashtme ndërkombëtare. Kështu siç është kjo Akademi, të gërditet titulli akademik.
Një anëtar i Komisionit vlerësues të kandidaturës sime (në përbërje: Prof. dr. Rami Memushaj, Prof. dr. Halit Halimi, prof. dr. Kujtim Kapllani dhe Prof. dr. Ragip Mulaku) më pati thënë: “E kam veçse një droje që nuk mund të pranohesh në ASHAK, për shkak se ke botuar 35 vepra. Ata nuk mund ta pranojnë lehtë këtë, sepse e gjithë Akademia nuk e ka bagazhin e atyre veprave”. ASHAK-u nuk ia fal tjetrit suksesin që nuk e ka vetë!
Në ASHAK unë nuk mund të zgjidhem anëtar – po e lë anësh modestinë – sepse me veprat e mia jo vetëm që e mbuloj gjithë “Akademinë”, por edhe sepse me orientimet e mia kam rënë ndesh me Platformën a me “Orientimet” e famshme të kësaj Akademie tribale për ndryshime arbitrare në standardin e shqipes, të Këshillit ndërakademik, që mëton të krijojë standarde krahinore! E, midis mbrojtjes së shqipes standarde dhe të qenit anëtar i ASHAK, më shumë më bën nder të mos jem në ASHAK se sa të mbroj krijimin e standardeve të përçarjes kombëtare në gjuhë.
Në ASHAK ka më shumë njerëz pa vepra të cilët nuk e kuptojnë çdo të thotë as titulli “Akademik”, sesa studiues të mirëfilltë me vepra, më shumë pazare se kush mund të hyjë në atë çerdhe se sa mendim shkencor, më shumë intriga e klane se sa produkt shkencor që do të mund t’i shërbente shoqërisë sonë. ASHAK, ashtu siç është katandisur, është thjesht një fermë e çoroditur e të paditurve se sa një akademi. Ndaj, më shumë të bën nder të mos jesh aty se sa të jesh anëtar i atij soji e sorollopi, semianalfabetësh e pazarxhinjsh meskinë.
Akademia e “akademikëve” pa vepra
III. ASHAK-ut, si thotë populli: I ka plasur delli i marres – s’kanë turp për asgjë se kë pranojnë aty. Në ASHAK ka grupe njerëzish që mendojnë se interesat e tyre private janë më të rëndësishme se interesat e Akademisë, se interesi kombëtar.
Gjuhëtari i njohur Rami Memushaj, njëri nga anëtarët e Komisionit për kandidimin tim për në ASHAK, për pranimin e anëtarëve të rinj në ASHAK (Dhjetor 2016), më shkruante, post festum:
“Po shoh se cilët janë zgjedhur anëtarë të ASHAK-ut. Mjerë shkenca e Kosovës dhe mjerë ai popull kë paguan si akademik. Turp i vërtetë!
Për mua, prof. R. Qosja, I. Ajeti dhe kush është vërtet shkencëtar në atë Akademi, duhet të shpallnin publikisht largimin prej saj.
Por, prej atyre akademikëve pa vepra, nuk mund të prisje tjetër vlerësim. Si mund të jeni akademikë ju që botoni nga një-dy libra në vjet?! Akademikët shqiptarë duhet të jenë kokëbosh, pa vepra dhe, kryesorja, besnikë ndaj kapove të klanit”.
Ndërkaq, një tjetër anëtar i Komisionit për vlerësimin tim për anëtar të Akademisë, Kujtim Kapllani, më dërgonte (mua dhe Shefkije Islamajt) këtë mesazh:
“Të dashur miq, mos u dëshpëroni aspak, se nuk ia vlen të shqetësohesh në një hapësirë, ku të gjithë çinovnikët luftojnë njerëzit e aftë dhe të ndershëm. Vërtet qenka tepër e vështirë të jetosh në mënyrë të ndershme. Mos u trishtoni. Vetëm për një gjë duhet të trishtohemi: nuk paska askënd që të mund ta vlejë trishtimin. Duket shumë e kohës thënia e Bajronit:
“Sër Çajld, nuk më tremb deti me tallaz/ rreziku që më vjen,/ Por qaj se nuk lë pas asnjë që lotin e vlen“! Nderime, K. Kapllani.
Kapot e ASHAK-ut e konsiderojnë Akademinë si arën e tyre, në të cilën mund të mbjellin çka të duan e kur të duan e si të duan.
“Akademikët” që kujtojnë se janë Akademikë!
Akademia e Shkencave në pranimin e anëtarëve të rinj harmonizon meritën shkencore me kërkimin shkencor të kandidatit, pranimi në të bëhet me shumë “flitra” të vlerësimit të kredencialeve shkencore. Po cili në ASHAK është pranuar për meritë shkencore? Pothuajse askush. Historiani dhe filozofi britanik Arnold Toinbe thoshte: “Qytetërimet nuk i vret kush, por vetëvriten.” Ngjashëm mund të thuhet dhe për ASHAK-u, një Akademi tribale që po vetëvritet.
Në kohën kur po formohej Akademia e Shkencave e Shqipërisë (1972), – siç më pati treguar leksikologu me kontribute të shquara gjuhësore i ndjeri Avdyl Sula një rrëfim që e kishte dëgjuar edhe ai vetë, – meqë nuk kishte kuadro të mirëfillta për t’u themeluar ai institucion më i lartë shkencor, disa njerëz të pushtetit shkojnë te Prof. Aleks Buda dhe i thonë: Profesor, ua jep nja dy-tre vetave titullin “Akademik” sa për ta themeluar Akademinë. Por Profesori Buda me urtësinë e tij dhe me qëndrimin e rreptë intelektual prej historiani të mirëfilltë, njeri i pakompromis, natyrisht refuzon ta bëjë një gjë të tillë. “Për shtetin dy-tri rroga më shumë apo më pak nuk do të thotë asgjë, por kur ia jep dikujt titullin “akademik” ai pastaj kujton se është i tillë” – u pati thënë prof. Buda. Njerëz të tillë të racës me vetëdije të lartë njerëzore dhe me potenciale të jashtëzakonshme intelektuale që mbajnë titullin “Akademik”, me qëndrime dhe me parime të larta, si: Aleks Buda, Eqrem Çabej, Mahir Domi, Shaban Demiraj, Idriz Ajeti, Rexhep Qosja, Ali Hadri, Gazmend Zajmi nuk kemi më në Akademitë tona. Natyrisht ne nuk mund të kërkojmë sot personalitete të tilla që mbajnë titullin “Akademik” si ata të përmendur më sipër, sepse ajo racë është e papërsëritshme, por mund të kërkojmë dhe duhet të kërkojmë që ata që mbajnë titullin “Akademik” të kenë së paku një vepër modeste dhe një dinjitet njerëzor. Sot në Akademinë tonë mjerisht janë instaluar vulgu, joshkenca, pazaret e pazarxhinjtë, skuthat. Hiq Idriz Ajetin e Rexhep Qosjen, vështirë se mund të gjesh pak veta që do ta meritonin titullin “Akademik”.
Si funksionojnë akademitë e tjera rajonale? Akademiku u njohur Aleksandar Beliç, asokohe kryetar i Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve, paguante një njeri që ta kritikonte punën e tij, me kusht që kritikat t’i merrte e t’i vendoste në sirtarët e Akademisë dhe të mos i kthente përgjigje fare por të mësonte nga kritika. Kurse akademikët e ASHAK-ut ofrojnë rreth vetes njerëz vetëm t’i lëvdojnë dhe t’u shkruajnë “Festschrifte”, botime jubilare e të fryra me panegjerizëm, duke e çuar një ordiner re më re. Eh, kush bëhet akademik te ne, të të gërditet Akademia dhe mjerë Albanologjia!
Për gjithë sa u tha më sipër e që dihet botërisht, ASHAK është bërë një “Akademi e leshtë”, sepse nuk i ngjan titullit që mban.
Për ta mbyllur, duam të fokusojmë edhe një herë këto çështje:
- Zgjedhjet e anëtarëve të rinj në ASHAK tashmë janë një komedi zgjedhore, një farsë stupide e qesharake, që nuk u shihet fundi;
- ASHAK udhëhiqet këmbë e krye nga një politikë klienteliste, nepotike, partiake e krahinariste;
- Titulli “Akademik” jepet si dhuratë për persona të afërt me padronët e ASHAK dhe me partitë politike, e jo për vepra a veprimtari shkencore.
- Institucioni më i lartë shkencor në Kosovë që quhet ASHAK, drejtohet nga persona që abuzojnë me pozitën e tyre në Akademi, sidomos nga dy veta të Seksionit të Gjuhësisë e të Letërsisë, dhe kjo ka bërë që ajo Akademi të katandiset në një gjendje të mjerueshme, apatike, të jetë një ngrehinë e kotë, as e gjallë as e varrosur.
- Për ta kthyer në funksionin që i takon, kjo Akademi do një reformë rrënjësore nga ana e shtetit që të jetë një qendër e mirëfilltë shkencore dhe jo një qendër e punësimit të dadove; ata (dadot) në Akademi rrinë “si macja nën tryezë” (pa bërë asnjë zë) përpara padronëve.
- ASHAK duhet ringjallur, duhet ribërë, duhet ringritur, ku shkencën ta bëjnë shkencëtarët dhe ku autoritet të jetë produkti shkencor e jo Klani.
- Status quo-ja e ASHAK-ut ku vendosin vetëm dy-tre veta sipas qejfit dhe interesit të tyre nuk duhet të lejohet më. Ajo Akademi ose duhet të reformohet radikalisht, ose duhet të mos ekzistojë. Duhen reforma të thella për ta vënë në shinat e mendimit shkencor.
- Banalitetet që ka prodhuar e po prodhon ASHAK-u me këtë korrupsion akademik na bën të pyesim se a na duhet vërtet kjo Akademi? Përgjigjja mund të ishte: Jo domosdoshmërisht. Dhe ja p.sh., “SHBA është një vend i madh që nuk ka Akademi Shkencash, por ka mijëra shkencëtarë, kurse ne jemi vend i vogël që kemi Akademi, por nuk kemi shkencëtarë” (Mero Baze, referuar për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, e cila i ngjan si veza vezës asaj të ASHAK-ut). Pra, më mirë pa “Akademi” se sa me “Akademi” të hiçave.
- “Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës” nga një kryeinstitucion i formatit kombëtar për shkencat dhe sidomos për albanologjinë, me një egërsi dhe tribalizëm të stimuluar, të shumë prapaskenave, të qëllimeve të mbrapshta është shndërruar në një Akademi me njerëz klientelistë politikë, pa vepra, pa autoritet shkencor, që quhen ironikisht si gjoja “akademikë” (pra që nuk janë akademikë). Atë që thoshte Moikom Zeqo për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, ngjan plotësisht dhe me simotrën e saj ASHAK-un: “Shikoni si u “pllenuan nga hiçi“ personalitete të rreme, profesorë të rremë, akademikë të rremë, qëllimisht për të arritur tek ideja e mbrapshtë e anulimit dhe mohimi publik urbi et orbi i Akademisë së Shkencave” (M. Zeqo, Për Qeverinë, Akademinë dhe Skënderbeun, Gazeta “Dita”, 9.9.2017).
Poeti dhe intelektuali i spikatur i mendimit Azem Shkreli, thoshte:
Koha e ligë është koha e mediokërve. Shfaqja e mediokërve bëhet shpejt, vërshuese, pushtuese dhe pastaj sunduese”. Edhe Faik Konica, një intelektual i papërsëritshëm edhe në ditët e sotme, pjellën e mediokërve e stigmatizonte kësisoj: “Koha kur rrojmë është koha e reklamës, dhe nuk duhet të çuditemi kur shohim mediokritetet e vëndit t’onë të hidhen përpara, dhe përpara, dhe përpara, duke mos bërë vënt përveç për shokë në shkallë (të caktuar) mëndore të tyre.”
Pikërisht kjo kohë sundon sot në ASHAK falë koxhobashëve që e kanë pushtuar këtë institucion. Shikoni sa mediokër e kallpe ka sot në ASHAK! Siç shprehej dikush, na kanë mbytur kallpet me tituj shkencorë e akademikë (akademykë)!