Djegia nga dielli shkakton dëmtim dhe vdekje të qelizave të epidermës. Janë rrezet UVB që prekin vetëm sipërfaqen e lëkurës të cilat e shkaktojnë ngjyrosjen e saj, por edhe njollat kafe. Në rastet kur djegia është më e fortë dhe prek shtresën e dytë të lëkurës, ku gjenden enët e gjakut, atëherë fillon të çlirohet në sipërfaqen midis, dhe kështu formohen flluskat e ujit. Kjo lloj djegie duhet mjekuar pasi mund të formojë edhe infeksione, sidomos nëse flluskat çahen në det e futen bakterie që mund të bllokohen nën lëkurë. E duke qenë se enët e gjakut janë përreth mund të krijojë infeksione shumë lehtë. Djegia nga dielli varet nga lëkura e individit, dhe vendi ku jeton. Njerëzit që jetojnë në vende malore dhe janë shumë pak të ekspozuar ndaj diellit gjatë gjithë kohës, kanë lëkurë të bardhë dhe kështu digjen shumë shpejt nga dielli nëse nuk përdorin mbrojtjen e duhur. Ndërsa njerëzit që jetojnë në zonat afër detit, ose në vende me të ngrohta ekspozohen më shumë ndaj diellit dhe lëkura e tyre është ‘e mësuar’ me rrezatimin diellor. Këta individë kanë ngjyrë më të errët të lëkurës, dhe gjithashtu marrin ngjyrë shumë shpejt.
Mbrojtja e parë që ka organizmi ndaj shumë agjentëve dëmtues është lëkura e përbërë nga shtresa me trashësi të ndryshme. Rrezet UVB nuk mund të depërtojnë më thellë se shtresa e parë e lëkurës. Mbrojtja e dytë është prodhimi i pigmentit ngjyrues, melaninës, i cili ngjyros lëkurën dhe kështu nuk digjemi apo dëmtohemi njësoj si një individ me lëkurë të bardhë. Pigmenti i shton trashësinë lëkurës dhe e bën akoma më të vështirë për diellin që të depërtojnë më thellë e të dëmtojë lëkurën. Mbrojtja e tretë është mbrojtje më specifike dhe shumë e saktë. Në bërthamën e qelizave ndodhen mekanizmat mbrojtëse të AND-së. Por rrezet e diellit prishin ADN kur janë shumë të forta, dhe mekanizmat mbrojtëse e rregullojnë prishjen e saj. Kur këto dëmtime në ADN janë shumë të mëdha dhe nuk rregullohen dot, krijohen sëmundjet e lëkurës si kanceri i lëkurës. Prandaj është shumë e rëndësishme të mbrohemi ndaj rrezeve të diellit.
Trajtimi pas djegies
Hapi i parë i mbrojtjes nëse jeni skuqur shumë, është të largoheni menjëherë nga rrezet e diellit. Një dush me ujë të ftohtë ndihmon që të ndalohet vazhdimi i djegies së lëkurës në thellësi. Pas kësaj lyhet lëkura me një xhel aloe vera të përgatitur kështu: Merren 2 lugë gjelle aloe vera, 10 pika vaj rozmarine; 10 pika vaj sherebele; 1 lugë gjelle vaj basani si dhe 2 kapsula me vitaminë E. Përzierja hidhet në një kuti të vogël dhe tundet për 2-3 minuta. Ngjyra e përzierjes do të bëhet e bardhë, e atëherë është gati për tu përdorur. Lyhet pjesa e djegur me këtë maskë 3-4 herë në ditë. Ndërkohë në mungesë të xhelit të aloe verës mund të përdorni vazelinë. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe këshillohet të pini çaj jeshil, i cili ndihmon në rigjenerimin e lëkurës. Konsumimi i ujit është i rëndësishëm për të zëvendësuar humbjen e ujit në organizëm. Përdorni krem mbrojtës SPF 60-70 gjatë gjithë kohës kur dilni nga shtëpia për të mos e vazhduar djegien në shtresat e tjera të lëkurës. Nëse keni djegie të thellë që krijon temperaturë dhe marrje mendsh mund të përdoren edhe bimë të tjera medicinale. Përgatitni dy çajra të veçantë: një do të përdoret për shpëlarjen e trupit dhe tjetri do të përdoret për tu pirë.
Çaji për t’u pirë: Hidhen 1.5 litra ujë në një tenxhere, e kur fillon të valojë uji, hidhet 1 lugë gjelle çaj i gjelbër dhe 3 lugë gjelle çaj me fruta pylli. Lihet të valojë për 2-3 minuta, mbulohet çaji me kapak derisa të ftohet, kullohet dhe ruhet në frigorifer. Konsumohen 3 herë nga 1 gotë në ditë para ose pas ushqimi, e mund të ëmbëlsohet sipas dëshirës.
Çaji për shpëlarje të trupit në raste djegie të shkallës së tretë: Hidhen 2 litra ujë në një tenxhere, e kur të valojë shtohet 1 dorë me lëvore vidhi dhe një dorë me lëvore mimoze, lihet të ziejë 7-8 minuta. Kullohet pas 20 minutash, e në këtë kohë përzierja bëhet kremoze. Me çajin bëhet shpëlarja e trupit 2 herë në ditë. Ndërkohë edhe kremi antirrudhë ka veti të fuqishme rigjeneruese nga prania e tujonit dhe e përbërësve të tjerë kimikë, kështu që rekomandohet ta përdorni mbi lëkurën e djegur.