Nga Ben Andoni
Shqipëria duhet të reformohet si evropiane në Shqipëri, e duhet ta harrojë Brukselin. Një gjë të tillë i duhet ta bëjë dhe Maqedonia në ditët në vazhdim. Anglia i dha një mësim të mirë kontinentit dhe paçka arsyeve na mësoi se pakti evropian ku ne kemi zhvendosur të gjithë energjitë tona ka humbur. Presidenti Macron në këtë sens ka deridiku të drejtë sepse i duhet të reformojë një institucion për të cilin vendi i tij dhe Gjermania kanë peshën kryesore.
Por Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet të mendojnë tashmë e tutje për identitetin e tyre në këtë kohë të vështirë dhe strategjinë e të ardhmes. Jo se hapja e negociatave ka ndryshuar si objektiv apo do të ndryshojë diçka, porse familja e madhe evropiane nuk është aq shumë e dashur. Ka vend për Serbinë dhe Malin e Zi, por jo për vendet tona, ky është më shumë se paradoks, kur kujton atë që i bëri bashkimi i këtyre dy vendeve kontinentit vetëm pak vite më parë.
Por, ky do të ishte skenari pozitiv pas asaj që ndodhi, ndërsa e shëmtuar është ekspertiza e Opozitave shqiptare dhe maqedone, që megjithë të drejtat e tyre, nuk duhet të harrojnë se janë në këtë rast në një varkë. E çuditshme sesi opozitarët maqedonas e shqiptarë e kanë përjetuar, kurse deklaratat në Shqipëri e Maqedoni të opozitave nuk ndryshojnë. E ndërsa në masë në Bruksel, Macron është treguar me gisht, Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, tha se Franca nuk është fajtore për mos marrjen e datës, por krimi dhe korrupsioni, ashtu si njerëzit e Opozitës tonë, që edhe kur përfaqësonin vendin, nuk linin gjë pa thënë. Ngazëllimi për lajmin ka qenë pakufi në vendet tona, paçka mënyrës sësi mbulohet.
Të gjithë flasin për krimin dhe korrupsionin sikur ai të ketë lindur tani e të gjithë harrojnë se atë e keni prodhuar të gjithësi politikanë me politikat tuaja. Ndaj, të vjen pak ndohtë kur dëgjon shumë njerëz kaq të kënaqur. Kuptohet, që në masë janë ata që i kanë punët e tyre mirë dhe që nuk e identifikojnë veten me shqiptarët e maqedonët e thjeshtë.
Dhe, me sa duket, tashmë fillojnë protestat dhe kuptohet nga fillimi rruga për në Bruksel për të dy vendet, nëse energjia do të jetë e njëjtë. Opozitat shqiptare në të dy vendet mezi e pritën dështimin për të vazhduar udhën e tyre me anë të protestave, rrëmujave dhe jo vetëm kaq, për të treguar se vizioni i tyre është gjithsesi më i madh për integrimin. Miopia nuk e sheh dot që Evropa është një portë e mbyllur për ne, ndaj ne duhet të bëhemi evropianë në vendet tona, sikur të mos ekzistojë fare Brukseli. (Javanews)