Pse shkruan një shkrimtar?

Kulturë Reportazh / Profil

Nga Bashkim Shehu

Tema e përgjithshme e këtij cikli, siç e tregon edhe titulli, është ajo e raportit ndërmjet ligjërimit letrar artistik dhe ligjërimit filozofik. Të parin e quaj “letrar artistik” për të nxjerrë në pah dallimin e letërsisë nga një pjesë e madhe e asaj që paraqitet dhe botohet si letërsi, por që përbëhet nga libra me qëllime komerciale. Këta të fundit nuk janë objekt i këtyre leksioneve. Për ta vetëm do të thosha se i konsideroj të dëmshëm ngaqë prishin shijen e lexuesve dhe gjithashtu dëmtojnë mjedisin, duke shkaktuar prerje pemësh të shumta në këmbim të prodhimit të antivlerave.

 

 

Mbas këtij sqarimi të shkurtër për titullin, po vazhdoj me një pohim të thjeshtë, me pohimin se letërsia është komunikim. Por çështja vjen e ndërlikohet nëse në lidhje me këtë pohim shtrojmë një sërë pyetjesh.

Pyetja e parë është: kujt i drejtohet ky komunikim? Një legjendë thotë se Jonathan Swift-i, për ta dorëzuar për botim romanin e tij “Udhëtimet e Guliverit”, e futi në një shishe dorëshkrimin, kaloi me një karrocë me shpejtësi të madhe ndanë redaksisë dhe, pa u ndalur, e vërviti shishen brenda në redaksi përmes dritares. Vetë libri “Udhëtimet e Guliverit” fillon me gjetjen një shisheje të nxjerrë diku në një ranishte nga dallgët e detit dhe brenda në këtë shishe ishte dorëshkrimi i “Udhëtimeve të Guliverit”. Vërtet, kur një autor boton një vepër letrare, në njëfarë kuptimi hedh në det një shishe me dorëshkrimin e tij: nuk dihet se në ç’brigje do të dalë dhe kush do ta lexojë, nëse do ta lexojë ndokush. Ndërsa Umberto Eco thotë se autori i një vepre letrare i drejtohet lexuesit ideal.

Pra, lexuesi është një ndërtim mendor i autorit, i cili nuk mund ta dijë kush janë ata që do ta lexojë librin e tij. Në këtë kuptim, të shkruarit e një vepre letrare është diametralisht i kundërt me të shkruarit e një letre që i drejtojmë dikujt. Midis dy ekstremeve kemi forma të tjera komunikimi shkrimor, sikurse për shembull shkrimi akademik apo ai publicistik. Gjithsesi, në vështrimin e autorëve të këtyre lloj shkrimeve ekziston njëfarë horizonti receptiv.

Një historian, apo një filozof, apo një sociolog që shkruan një tekst, ka si referencë për një të tillë horizont botën akademike. Publicistika gjithashtu, dhe përherë e më tepër, synon kategori deri diku të përcaktuara lexuesish. Pra, nëse horizonti receptiv i një filozofi, apo i një shkencëtari, apo i një gazetari është i mjegullt, përsaqë nuk është i personalizuar, horizonti receptiv në komunikimin letrar është, si të thuash, një projeksion i imagjinatës autoriale, njëfarë halucinacioni i autorit. Autori i një vepre letrare është krejt i vetëm në terminalin e tij të procesit komunikativ. Kuptimplotë nga kjo pikëpamje më duket një shaka e Borges-it, kur mësoi se nga libri i tij i parë me tregime, “Historia universale e poshtërsisë”, qenkëshin shitur vetëm tridhjeteshtatë ekzemplarë: aq më mirë, tha, kështu do të kem rastin t’i njoh të gjithë lexuesit e mi.

Kjo shaka vë në dukje largësinë e pamat ndërmjet shkrimtarit dhe lexuesit real, e cila, nga ana tjetër, nuk është thjesht çështje numri. Mund të themi se, për shkrimtarin, lexuesi i tij si lexues ideal është po aq fiktiv sa personazhet e fiksionit që po shkruan. Është një personazh i padukshëm i fiksionit që po shkruan, ashtu sikurse, anasjelltas, autori për lexuesin është një ndërtim mendor, një personazh i padukshëm ndërmjet personazheve të tjera.

Atëherë, pyetja e parë na shpie te një tjetër: pse shkruan një shkrimtar? André Gide, nga romancierët francezë më të njohur të shekullit XX, thotë: shkruaj që të më lexojnë. Diametralisht e kundërt është thënia e Benedetto Croce-s, i cili ka pasur shumë ndikim në estetikën moderne: sipas tij, autori i një vepre letrare synon që me këtë vepër t’i japë mundësi vetes për të soditur objektivimin e fantazmave të veta. Në mënyrë të ngjashme, Maurice Blanchot thotë se shkruajmë librin që do të donim të lexonim. Ndërkaq, autori nuk shkruan për ta lexuar vetë veprën e tij, ndryshe nuk do ta çonte për ta botuar. Kjo, për mendimin tim, ndodh ngaqë ai ka shumë nevojë për feedback, për një konfirmim se fantazmat e tij përnjëmend janë objektivuar, se tashmë ekzistojnë si të tilla pavarësisht prej tij. Do të thosha se krijimtaria letrare si proces dhe si përjetim i brendshëm i autorit i ngjan një mërgimi në shkretëtirë, ndërsa nevoja për tjetrin, tekefundit për diçka që do të mishëronte mohimin e shkretëtirës absolute, është një mirazh që i shfaqet autorit në mes të kësaj shkretëtire ku e ka mërguar veten.

Kësisoj, përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve na kërkojnë që ta nuancojmë apo ta relativizojmë pohimin e thjeshtë fillestar, se letërsia është komunikim. Për këtë do të perifrazoja një thënie të Octavio Paz-it, se letërsia e vë mes thonjëzash funksionin komunikativ të ligjërimit ashtu sikurse erotizmi e vë mes thonjëzash funksionin biologjik të riprodhimit. Dhe këtu lind një pyetje e tretë, që e ndërlikon çështjen edhe më tepër: cili është synimi i komunikimit nëpërmjet letërsisë?

Po mjaftohem të them se nuk është ai i dhënies së informacionit sikurse për shembull në fushën e gazetarisë, apo në shkencat empirike, apo në fushën e teknikës dhe nuk është as ai i argumentimit, sikurse në ligjërimin filozofik apo në ligjërimin teoriko-shkencor. Se çfarë funksioni ka ky lloj specifik i komunikimit, komunikimi nëpërmjet ligjërimit letrar, kjo nuk mund të thuhet me pak fjalë. Kjo është diçka së cilës besoj se mund t’i afrohemi apo t’i japim përgjigje me përafërsi në mbarim të këtij cikli.

Folëm, pra, për emetuesin e mesazhit dhe për skajin tjetër në këtë proces komunikimi, për horizontin receptiv. Tani do të ndalemi te natyra e mesazhit për të cilin e patëm fjalën.

Materiali që përdor autori i një vepre letrare, më saktë i një vepre letrare artistike, është gjuha. Është po ai material që përdoret edhe në ligjërimet e tjera, me funksione të tjera, pra edhe në ligjërimin filozofik. Regjistrat stilistikë të letërsisë janë nga më të ndryshmit: që nga stili i lartë ditirambik, veçanërisht në poezinë klasike, dhe që nga stili i sofistikuar figurativ, i ngarkuar me trope, si në rastin e simbolizmit apo të surrealizmit, e deri te një stil minimalist që i ngjan thjeshtligjërimit në jetën e përditshme, për çka mund të përmendim si shembull prozën më të mirë amerikane të fillimshekullit XX, ose, ndoshta si shembullin më të shquar, Albert Camus.

Në këtë spektër, diku midis dy skajeve të tij, përfshihet edhe ai regjistër stilistik që i ngjan ligjërimit filozofik, siç do ta shohim veçanërisht në leksionin e fundit. Ndërkaq, i njëjti regjistër apo e njëjta tipologji stilistike, të njëjtat fjalë apo fjali në një vepër letrare, janë të ndryshme nga ekzistenca e tyre në një ligjërim të tjetërllojtë. Borges-i, në mos gabohem, thotë se letërsia lind aty ku takohen dy fjalë që nuk kanë qenë asnjëherë bashkë dhe kur duket sikur kanë qenë gjithmonë pranë njëra-tjetrës.

Do ta plotësoja këtë ide, duke thënë se letërsia lind edhe aty ku takohen dy fjalë që kanë qenë shpeshherë bashkë dhe kur duket sikur janë takuar për herë të parë. Kjo ndodh veçanërisht në prozë, ku i njëjti material, gjuha, plazmohet ngjashmërisht me ligjërime të tjetërllojta. Dhe kjo është arsyeja pse në këtë cikël, për ta dalluar prej tyre ligjërimin letrar, do të fokusohem te proza artistike. Po kështu, njëlloj sikurse materiali që përdor letërsia nuk është specifikisht i saj, letërsia nuk ka ndonjë gamë tematike specifikisht të vetën. Anasjelltas, ajo i rrok të gjitha temat që trajtojnë ligjërimet e tjera, për sa këto tema kanë të bëjnë me qenien njerëzore: tekefundit, letërsia është koekstensive tematikisht me jetën tonë, me ekzistencën njerëzore në kuptimin më të gjerë të fjalës.

Ligjërimi letrar do të përqaset në këtë cikël me ligjërimin filozofik: do të shohim ku takohen, ku divergojnë, pse divergojnë dhe pse takohen. /Gazeta Liberale

Share: