Foto e rrallë/ Gjeniu shqiptar i skenave botërore Aleksandër Moisiu me nënën e tij, Amalia de Rada

Kulturë

Kjo është një foto e rrallë e Aleksandër Moisiut me nënën e tij në Berlin në vitin 1925. Fotoja është publikuar nga gazetri Ilir Ikonomi.

Amalia de Rada, nëna arbëreshe e aktorit të famshëm Aleksandër Moisiu (1879-1935), babai i të cilit ishte nga Kavaja, ndiqte me interesim të madh çdo sukses të të birit.

Sipas gazetës austriake “Die Bühne”, 83-vjeçarja, e cila kishte mbetur e ve që nga viti 1912, ulej pranë gramafonit për të dëgjuar me orë të tëra zërin e Aleksandrit të saj dhe përshpëriste: “Una voce d’angelo!” – Një zë prej engjëlli…

Kur ndodhej në Vjenë, ajo shkonte thuajse çdo mbrëmje në teatër dhe nuk ia ndante sytë të birit. Por merrte mundimin të shkonte deri në Berlin, kur Moisiu jepte shfaqje atje.

Në Berlin, kur po shfaqej drama “Jedermann”, ndodhi diçka interesante: Gjatë njërit prej akteve, Moisiu qëndron pothuajse gjithë kohën në skenë dhe flet pandërprerë. Në një çast, shfaqet një aktor tjetër, i cili fillon një monolog, ndërsa Moisiu qëndron në heshtje.

Zonja e moshuar i drejtohet njeriut që ishte ulur pranë saj, një shkrimtar i njohur berlinez dhe i thotë: “Këtë skenë mund ta kishin hequr fare. Kur Aleksandri nuk flet, skena nuk ka kuptim…”

 

 

 

Duke iu referuar Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, kujtojmë disa nga momentet kryesore të jetës së tij:

 Aleksandër MOISIU (1879–1935). Aktor i njohur botëror me prejardhje shqiptare, Artist i Popullit (pas vdekjes). Lindi në Trieste. Rridhte nga familja shqiptare e Moisive me origjinë nga Kavaja dhe me nënë arbëreshe. Shkollën e mesme e kreu në Grac (Austri) më 1898. Pas vdekjes së të atit familja u vendos në Vjenë. Për një kohë të shkurtër Aleksandër Moisiu ndoqi Konservatorin e Vjenës, por për arsye ekonomike u detyrua të punojë si duartrokitës në Opera dhe si figurant në Burgteatër. Veprimtarinë si aktor e nisi në 1899 në skenën e Burgteatrit. Më 1903 debutoi me sukses në Teatrin gjerman të Pragës, më 1904 në Berlin në teatrin “Volksbühne” (“Skena Popullore”). Më 1905 e mori në teatrin e tij regjisori i njohur Maks Rajnhard (Max Reihardt), duke i dhënë mundësi që të shprehte aftësitë e tij e të vlerësohej si aktor në rolet e Osvaldit (“Fantazmat”, H. Ibsen), Hamletit (Shekspir) etj. Vetëm rolin e Fedjas nga drama “Kufoma e gjallë” e L. Tolstoit e interpretoi 1200 herë duke dhënë me mjeshtëri të lartë ankthin ekzistencial të njeriut përballë vdekjes. Gjatë Luftës I Botërore u zu rob nga francezët, por me ndërhyrjen e bashkatdhetarit Viktor Eftimiu, në Bukuresht u lirua. Më 1917 mori një certifikatë, ku dëshmohej kombësia e tij shqiptare. Më 1921 pranoi ftesën e V. Eftimiut për të dhënë shfaqje në Rumani. Si artist demokrat e popullor dha shfaqje për punëtorët gjermanë dhe, më 1921, paraqiti planin për krijimin e një teatri të ri proletar. Në v. 1924–1929 dha shfaqje në Moskë, në Leningrad, në Paris, si dhe në qytetet kryesore të Amerikës së Veriut; në v. 1931 bëri një turne në Amerikën e Jugut. Mbante lidhje me studentët shqiptarë në Austri dhe më 28 Nëntor 1930 u prit ngrohtësisht prej tyre në një darkë me rastin e Ditës së Flamurit. Për shkak të persekutimeve naziste (duke e dyshuar si hebre për shkak të mbiemrit), më 1932 A.M. u largua nga Gjermania dhe u vendos në Zvicër. Po atë vit ai korri sukses nëpër skenat e Europës në shfaqjen jubilare të “Faustit” të Gëtes. Më 1933 plotësoi dokumentet, në ambasadën e Shqipërisë në Vjenë, për të marrë nënshtetësinë shqiptare, e cila iu dha në prill 1934. Vdiq para kohe, në kulmin e krijimtarisë së tij skenike, në Vjenë. U varros në Lugano të Zvicrës. Me art realist të nivelit të lartë mishëroi role kryesore në kryeveprat e teatrit klasik dhe të kohëve të reja. Në historinë e artit skenik botëror, A.M. spikati sidomos për interpretimin e tij origjinal, temperamentin e fuqishëm, thellimin filozofik, lirizmin dhe bukurinë poetike të personazheve. Mbresa la edhe për zërin e tij që kishte tingëllim të veçantë. Aleksandër Moisiu interpretoi edhe role të ndryshme në një numër filmash artistikë pa zë dhe folës. Aleksandër Moisiu ka shkruar edhe një dramë “Der Gefangene” (“Robi”), kushtuar figurës së Napoleonit dhe Revolucionit Francez, e cila u shfaq në Gjermani në fillim të v. ’30, por u ndërpre pas ardhjes në fuqi të nazistëve. Emrin e A. Moisiut e mbajnë Pallati i Kulturës, teatri dramatik dhe Universiteti i qytetit Durrësit, si edhe një shesh në Trieste. Për nder të tij është themeluar çmimi “Aleksandër Moisiu”. Në Vjenë dhe në Durrës ka muze për A.M. Për jetën dhe artin e Aleksandër Moisiut kanë shkruar një varg studimesh: Bardhyl Kosova (1969, 2002), Vangjel Moisiu (1976, 1979, 1980, 2003), Selman Vaqari (1998), Rudiger Schaper (Berlin 2000, botim shqip Tiranë, 2003), Sali Hidri (2007).

 

Autor: Bardhyl Kosova, marrë nga Fjalor Enciklopedik Shqiptar, vëll. II, fq. 1754-1755, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë 2008.

/https://redaktori.net

Share: