Nga e hëna do të nisin të zbatohen masa të reja ndëshkimore për personat që nuk respektojnë distancimin social sidomos kur dalin në tregje për të bërë pazar.
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar edhe heqje lirie për ata që nuk binden, teksa thotë se kryeqyteti është vatra më e rrezikshme e luftës në të cilën ndodhemi.
Rama shkruan në Facebook se këtë luftë nuk kemi për ta humbur për ata që s’kanë mendje dhe këllqe të luftojnë si mbarë populli shqiptar.
Kreu i qeverisë urdhëron ushtrinë dhe policitë bashkiake të krijojnë urgjentisht kordonët sanitarë të tregjeve.
Postimi i Ramës
NËSE KY ËSHTË NIVELI I KUPTIMIT TË DETYRËS NJERËZORE, QYTETARE E ATDHETARE, NË FRONTIN E KËSAJ LUFTE PËR JETË A VDEKJE DHE MEQË MESA DUKET ECURINË POZITIVE TË LUFTËS DERI TANI, SHUMËKUSH PO E KUPTON GABIMISHT SI ARSYE PËR T’U LËSHUAR ME IDENË SE S’NA GJEN GJË, ATËHERË PËRGJIGJA E SHTETIT DO TË JETË RECIPROKE PËR KËDO QË NUK DO TË HYJË NË RRESHT PËR TË MBAJTUR RADHË!
USHTRIA DHE POLICITË BASHKIAKE DO TË KRIJOJNË URGJENTISHT KORDONËT SANITARË TË TREGJEVE. POLICIA E SHTETIT DO TË GODASË SHKELËSIT ME MASA TË REJA NDËSHKIMORE!
MASAT E REJA NDËSHKIMORE DO TË JENË LIGJ DITËN E HËNË DHE PËR KOKËSHKRETËT DO TË SHKOHET DERI NË HEQJE LIRIE! NËSE DO TË LEHTËSOJMË ME PIKATORE POPULLIN E PËRGJEGJSHËM, KOKËSHKRETËVE DO T’UA BËJMË FERR KËTË VIJË TË SHTREMBËR SJELLJEJE QË NA FUT NË ZJARRIN E FERRIT TË GJITHËVE!
*Tirana është vatra më e rrezikshme e luftës. Durrësi njësoj si Tirana mund të kthehet në Vaterlonë tonë. Shkodra është tanimë një bombë me sahat. Fieri është një rrezik i madh potencial. Kudo mund të na iki avantazhi që kemi krijuar, nëqoftëse do ta bëjmë si Kombëtarja Kuqezi që pjesën e parë duket sikur do fitojë, pastaj… Harrojeni, këtë luftë nuk kemi për ta humbur për ata që s’kanë mendje dhe këllqe të luftojnë si mbarë populli shqiptar.