Letra e Bukowskit: Skllevërit paguhen aq sa është e nevojshme që të mbijetojnë dhe të rikthehen në punë

Gjuhësi Histori Kritikë Letrare Kryesore Kulturë Libri Reportazh / Profil

John,

“Skllavëria nuk u shfuqizua kurrë, vetëm u zgjerua që të përfshinte të gjitha ngjyrat”.

Çfarë dhemb është dehumanizimi i njerëzve në përpjekje për të ruajtur vendin e punës, sepse… e di, është tjetri gati. Ata kthehen në trupa të mbushur me frikë. Sytë e tyre e humbasin shkëlqimin dhe ata thjesht shëmtohen, tërësisht. Si i ri nuk e besoja se njerëzit do të bënin kompromise të tilla. Edhe si i moshuar ende nuk e besoj. Pse duhet t’i bëjnë? Për seks, makinë, për të paguar faturat apo për fëmijët? Për të njëjtët fëmijë që kur të rriten do të bëjnë të njëjtën gjë.

Që gjithmonë, kur isha i ri fare dhe kërceja nga puna në punë, isha mjaftueshëm naiv sa që i thoja ndonjëherë të barabartëve të mi: “Eh! Shefi mund të vijë në cilindo moment të na pushojë nga puna, nuk e kuptoni?”. Ata e vetmja gjë që bënin, ishte të më shikonin. Po i ofroja diçka që ata nuk donin ta fusnin fare në mendjen e tyre.

Tani, në industri, ka shumë pushime nga puna (fabrika çeliku të vdekura, ndryshime teknike dhe situata të tjera në punë). Pushimi nga puna prek qindra mijëra dhe fytyrat e tyre shpresin habi:

“Kam punuar këtu 35 vite…”.

“Nuk është e drejtë…”.

“Nuk di çfarë të bëj…”.

Skllevërit kurrë nuk paguhen mjaftueshëm sa të çlirohen, por aq sa është e nevojshme që të mbijetojnë dhe të rikthehen në punë. Unë mund ta shihja. Pse ata jo? Kuptova se stoli i parkut ishte po aq i mirë, se të punoje në bar ishte po aq e mirë. Pse mos të isha këtu përpara se të shkoja atje? Pse duhet të prisja?

Shkrova me neveri kundër të gjitha atyre. Qe një çlirim të nxirrja nga sistemi im gjithë atë mut. Dhe tani jam këtu: “një shkrimtar profesionist”. Në 50 vitet e para, kam zbuluar se ka neveri të tjera përtej sistemit. Kujtoj që një herë, kur punoja si paketues në një kompani artikujsh ndiçimi, një prej kolegëve të mi më tha befas: “Kurrë nuk do jem i lirë!”. Një prej shefave ecte aty rrotull (emri i tij ishte Morrie) dhe lëshoi një gajasje të shijshme, duke iu gëzuar faktit se ai individ ishte zënë në kurth nga jeta.

Kështu që, fati që, më në fund, dola nga ato vende, pa m’u bërë vonë se sa kohë me mori, më ka dhënë një lloj lumturie, lumturinë e gëzueshme të mrekullisë. Shkruaj tani me një mendje të vjetër dhe me një trup të vjetër, shumë kohë më mbrapa se ç’do besonte të vazhdonte në këtë punë shumica, por duke qenë se fillova kaq vonë, i detyrohem vetes të jem këmbëngulës, dhe kur fjalët të fillojnë të më dështojnë dhe do të më duhet ndihmë për të ngjitur shkallët dhe nuk do mund të dalloj pllakat nga hapësirat ndarëse, ende do të ndjej diçka që brenda meje do të më kujtojë (pa pasur rëndësi se sa larg do kem shkuar) se si arrita në mes të vrasjes dhe pështjellimit dhe dënimit drejt, të paktën, një vdekjeje bujare.

Mos ta kem çuar tërësisht dëm jetën duket një arritje, të paktën për mua.

Miku yt,

Hank”

Share: