Vdekja, një tabu që duhet thyer…

Analizë Opinion

Nga Shefqet Deliallisi

Njerëzit hynë në jetë për të dalë prej saj një ditë. Të gjithë! Dikush më parë, dikush më pas. Megjithëse e natyrshme dhe universale, vdekja është kthyer në tabu. Gjithnjë e më pak, njerëzit janë të përgatitur për ta pranuar. Ndonëse flitet fare pak për të sikur të mos ekzistonte, fantazma e vdekjes i ndjek pas njerëzit, hap pas hapi, duke ia vështirësuar pjesën e fundit të jetës.

VDEKJA NUK MË TREMB, POR…

Në një intervistë të fundit (2019), Piero Angela, 91-vjeçar, gazetar legjendar i RAI-t, drejtues i emisionit të famshëm “Supper Quarc”, pyetjes se a ka frikë nga vdekja, i përgjigjet: “Vdekja nuk më tremb, por më shqetëson shumë se është fundi i jetës. Ne për shekuj kemi qenë të vdekur dhe do vazhdojmë të jemi. Jeta është një çast, vetëm ‘një gjysmë ore’ kur kemi fituar ‘lotarinë’. Për këtë arsye, duhet të përpiqemi ta jetojmë sa më gjatë”. Dhe Woody Allen, 84-vjeçar, me humor përgjigjet: “Frikë nga vdekja? Nuk kam, por thjesht nuk dua të jem aty kur ajo të ndodhë”. Me humor dhe “mbreti” i muzikës blues, B.B.King, pak para se të vdiste në moshën 89- vjeçare: “Të gjithë në parajsë duam të shkojnë, por pa vdekur më parë…”

DOLLI ME VDEKJEN

Vdekja e Çehovit përmendet si nga më dinjitozet. Ndodhi në 15 korrik 1904, në një dhomë hoteli në BadenWürttemberg, Gjermani. Çehovi 44-vjeçar dergjej i sëmurë rëndë. Prej adoleshencës vuante nga tuberkulozi. Pranë në çastet e fundit i gjendej Olga Knipper, gruaja e tij, yll i Teatrit të Moskës, dr. Schwoerer, mjek gjerman në shërbim të tij, dhe një student rus i mjekësisë…Sipas tyre, ngjarja ka ndodhur pak a shumë kështu: Çehovi pas mesnatës kërkoi të thirrej mjeku. Kur e kuptoi se çdo shpresë për pacientin e tij po fikej, porositi një shishe shampanjë, mbushi një gotë pothuajse plot dhe ia ofroi Çehovit, kolegut të tij mjek, në këtë rast pacient i tij. Çehovi vuri buzën në gaz dhe tha: “U bë kohë e gjatë që s’kam pirë shampanjë”. Ngriti gotën, e ktheu njëherësh të gjithë. U shtri i qetë dhe heshti përgjithmonë. Dr. Schwoerer do të shkruante: “Çehovi u soll me sëmundjen e tij të rëndë si një hero. Vdekjen e priti me qetësi stoike të mahnitshme. Asnjë çast nuk e humbi vetëkontrollin. Duke vdekur, ai dukej si i shenjtë. Ndoshta ishte”.

NGA FEJA TE MJEKËSIA…?

Shumë më pak i frikësoheshin vdekjes paraardhësit tanë. Ishin shumë më shumë besimtarë dhe feja mësonte: Vdekja është e lehtë dhe e natyrshme. Si dhe lindja, vdekja është thjesht një transferim: të flesh ‘këtu’ dhe të zgjohesh ‘atje’. Dhe njerëzit shkonin më të qetë drejt saj… Me zbehjen e besimit fetar, vdekja, dikur monopol i fesë, u bë monopol i shkencës mjekësore. Klerikët, dikur ekspertë të vdekjes, ia lanë vendin mjekëve. Medikalizimi i vdekjes e ka kthyer kujdesin shëndetësor në një “fe” botërore, që mund të vendosë kur dhe pas çfarë njeriu do të vdesë. Kjo “fe” e re po e konsideron vdekjen një sëmundje që mund të trajtohet. Është shkuar aq larg, sa vdekja (edhe në moshë të thyer) të konsiderohet dështim i mjekësisë.

Festa e funeraleve

Tom Kirkwood, në librin “Koha që jetojmë”(1999), përshkruan dy reagime në dy shoqëri të ndryshme ndaj vdekjes në ditët tona. Gjatë një udhëtimi në Navrongo, Gana, Afrikë, atë e befasoi slogani i vendosur në një ndërtesë publike: “Mirë se vini në Navrongo! Sezoni i funeraleve po fillon”. Funeralet konsideroheshin festë në këtë skaj të botës. Menjëherë pas vdekjes bëhej thjesht varrimi dhe në një sezon të përcaktuar posaçërisht bëheshin funeralet. Një rit festiv në respektim të kalimit të të vdekurit nga bota reale në atë shpirtërore. Familjarët, miqtë mblidheshin, hanin, pinin, festonin disa ditë me radhë. Në këtë vend të Afrikës, vdekja ishte shumë e zakonshme për të qenë e frikshme.

VDEKJA E PRINCESHËS…

Në po këtë libër, Tom Kirkwood analizon reagimin ndaj vdekjes së princeshës Diana në gusht të 1997-s në Paris. Publiku britanik, tradicionalisht konservator, u befasua nga reagimi emocional i tepruar që e përfshiu. Si mund të vdiste një princeshë si Diana?! Ishte vetëm 37 vjeç, shumë mediatike, vdekja tragjike, por sipas Kirkwood s’ishte ky shkaku i histerisë kolektive. Kjo vdekje u kujtoi njerëzve atë që ata përpiqeshin ta harronin: vdekshmërinë e tyre. Për ironi, vetëm një shekull më parë, pothuajse gjysma e moshatareve të Dianës vdisnin në këtë moshë.

“UDHËTIM” ME KTHIM…

Në një intervistë kohët e fundit (2019), shkrimtari i shquar Fatos Kongoli flet për një gjendje të rëndë shëndetësore të kaluar pak kohë më parë. Flet për kërkesën e tij për eutanazi dhe një “udhëtim” deri në pragun e “portës” së fundit. “Mendimi për eutanazinë më erdhi kur mësova sëmundjen që kisha, sidomos gjendjen që do të kisha pas ndërhyrjes kirurgjikale, tuba nëpër trup… Mendova se s’kish kuptim të jetoja në këto kushte. Kërkova eutanazinë… Do apo s’do, njeriu do të shkojë një ditë në destinacionin e fundit. Mirëpo, njerëzit nuk e pranojnë eutanazinë…” Më pas, shkrimtari iu nënshtrua ndërhyrjeve të vështira kirurgjikale: “Pa asnjë stres u operova dy herë radhazi. Kisha frikë? Jo, absolutisht jo. Kam hyrë në operacion duke qeshur, fare i qetë, mendova sikur do hipja në një taksi që kudo të më çonte, unë s’do merrja vesh asgjë. Prandaj hyra shumë i qetë. Nuk më bënte përshtypje edhe sikur taksia të mos kthehej mbrapsht. Unë shkova, trokita, por më thanë jo. Unë u ktheva…”. Sot është midis nesh.

E KEQJA MË E MADHE DHE MË E VOGËL …

Duhet të shihet vdekja si e keqja më e madhe, ku mjekësia të përqendrojë luftën, apo një cilësi më e mirë e jetës brenda një jetëgjatësie me kufi? Jetëgjatësia dhe jetëzgjatja janë dy gjëra të ndryshme. Një jetë më e gjatë nuk do të thotë një jetë më e mirë. Sipas një sondazhi të “The Economist” dhe Fondacioni “Kaiser Family”, një think tank prestigjioz amerikan, nga anketimi i të moshuarve me shëndet të mirë në katër vende të mëdha, rezultoi se nuk ishte vdekja e medikalizuara çfarë ata dëshironin. Vetëm pak prej tyre kishin përparësi të jetonin sa më gjatë të ishte e mundur. Shumica dëshironin kur të vinte koha, të vdisnin pa dhimbje, rrethuar nga të dashurit, pa iu bërë barrë atyre. Nuk preferonin një fund të teknologjizuar në njësi të kujdesit intensiv, as një jetë të varur nga aparatura, as ushqim me tuba, apo kirurgji të mëdha. Në librin e saj “Shkaqet Natyrore” (2018), Barbara Ehrenreich shkruan: “Në moshën 76-vjeçare kam vendosur ta konsideroj veten mjaftueshëm të vjetër për të vdekur. Kundërshtoj check-up-in e përvitshëm, skrining për kancer, mamografi, çdo masë tjetër…Jo vetëm që refuzoj vuajtjen e një vdekjeje të medikalizuar, por refuzoj dhe një jetë të medikalizuar”. Por, çfarë të moshuarit thonë kur janë me shëndet të mirë, shpesh ndryshon kur fundi afrohet. Kur mendohet spitali plot mjekë, pajisje mjekësore, vdekja në shtëpi nuk është më tërheqëse. Trajtimet që dikur mendoheshin të patolerueshme pas vuajtjeve që shkaktonin, duken e keqja më e vogël kur alternativa është vdekja. Sipas disa statistikave në SHBA, në 10 vitet e fundit të jetës, të moshuarit u nënshtrohen trajtimeve mjekësore agresive mjaft të kushtueshme, me një përfitim tepër të diskutueshëm. Një e treta kalon tre muajt e fundit të jetës në njësi të kujdesit intensiv. Një e pesta i nënshtrohet një ndërhyrje të madhe kirurgjikale muajin e fundit të jetës. Kjo prirje po përhapet duke rrënuar më tej ekonomikisht sistemet shëndetësore. Në vendimmarrjen për trajtimet mjekësore, mosha duhet të jetë vendimtare. Në varësi të saj (70, 80, apo 90 vjeç) duhet të përcaktohen objektivat: zgjatje e jetës, ruajtja e cilësisë së saj apo ndalimi i trajtimit.

KUR DUHET TË NDALEMI?

Vjen një çast që mjaft është mjaft, edhe pse ky vendim shkurton jetën. Tipik është rasti i kancerit të pashërueshëm. Shumë investohet për trajtimin e tij. Çdo ditë zbulohen barna të reja. Por, ndërsa përfitimi është i vogël, çmimet astronomike. Për më tepër, trajtimet janë plot efekte anësore serioze që përkeqësojnë ndjeshëm cilësinë e jetës në atë pak kohë që ajo shtohet. A ia vlen jetëzgjatja vetëm për të qenë gjallë? “Përparimi në kurimin e kancerit më kujton betejat e llogoreve në Luftën e Parë Botërore ku për disa qindra metra territor të fituar, humbnin mijëra jetë njerëzore”, shkruan O’Mahony në librin e tij “Mënyra si jemi duke vdekur” (2016).

KAFENÈ E VDEKJES!

E vetmja mënyrë për t’u çliruar nga makthi i vdekjes është hapja e ‘arkës’, ku qëndron e mbyllur kjo tabu e fundit. Bisedat për vdekjen tashmë kanë filluar të bëhen pjesë e mjekësisë moderne. Në vitin 2004, sociologu dhe antropologu zviceran, Bernard Cretaz, hapi në Neuchâtel të Zvicrës të parën “Kafené të vdekjes”, që tërhoqi vëmendjen dhe inspiroi hapjen e Death café në mbarë botën. Në këto klube mblidhen njerëz në prag të vdekjes, të moshuar, punonjës shëndetësorë, punonjës socialë dhe flasin hapur për vdekjen. Qëllimi është: më shumë informim, që do të thotë më pak frikë, një jetë më të qetë, më pak kërkesa për mjekime të pakuptimta, një vdekje më të mirë, që do të thotë një jetë më e mirë deri në fundin e saj.

DUKE E MBYLLUR…

Duhet të ndërgjegjësohemi ! Ka jetëgjatësi, ka edhe jetëzgjatje, por pavdekësi s’ka gjithsesi! “Jeta do të ishte pafundësisht e lumtur vetëm nëse ne do të mund të lindnim në moshën tetëdhjetëvjeçare dhe gradualisht të shkonim drejt tetëmbëdhjetave”, shkruan mjeshtri i sarkazmës, Mark Twain. Por kjo është jeta. Tepër e çmuar për ta shpenzuar, duke u shqetësuar pa fund për vdekjen!

Share: