Ka ndërruar jetë sot në Prishtinë Akademiku Idriz Ajeti, albanolog, pedagog dhe ish kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Gjuhëtari i shquar u shua në moshën 102 vjeçare.
Idriz Ajeti lindi në fshatin Tupallë të Komunës së Medvegjës më 26 qershor të vitit 1917.
Shkollën fillore e mbaroi në Banjën e Sijarinës më 1930, të mesmen e kreu në Shkup më 1938.
Ajeti i nisi studimet e larta në Fakultetin e Filozofisë së Zagrebit më 1938, i ndërpreu për shkak të Luftës së Dytë Botërore dhe i përfundoi në vitin 1949 në Fakultetin e Filozofisë së Beogradit.
Punoi si mësues i gjuhës shqipe në Gjimnazin e Prishtinës deri në vitin 1953, ndërsa në periudhën 1953-1960 ishte lektor në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Beogradit.
Nga ky vit, kaloi në Universitetin e Prishtinës, në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit të Filozofisë.
Në vitet 1969-1971 ishte drejtor i Institutit Albanologjik, më 1971-73 ishte dekan i Fakultetit Filozofik, në vitet 1973-75 rektor i Universitetit të Prishtinës.
Në vitet 1979-1981 dhe 1996-1999 ishte kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Në aktivitetin e tij shkencor duhet përmendur kontributi i madh në standardizimin e gjuhës shqipe, që u zyrtarizua në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972 në Tiranë, seminaret e albanologjisë dhe nismën për nxjerrjen e revistës prestigjioze shkencore “Gjurmime arkeologjike”.
Ai është autor i shumë teksteve shkollore dhe universitare.
Akademiku Idriz Ajeti ka edhe një kontribut në fushën politiko-shoqërore.
Pas zgjedhjeve paralele të vitit 1998 për Kuvendin e Republikës së Kosovës, u zgjodh kryetar i parë i tij nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa ka qenë pjesëmarrës edhe në Konferencën e Rambujesë.
Idriz Ajeti është nderuar me shumë çmime e medalje nga Presidentët Rugova, Sejdiu e Thaçi.
“Profesorin Idriz Ajeti do ta kujtojmë gjithmonë si një prej intelektualëve më të dalluar, që punoi shumë për albanologjinë” ishte reagimi i presidentit Thaçi në rrjetet sociale pas lajmit të hidhur.
/a.a/ Albanian Free Press Online/