Në një intervistë për DITA studiuesi Vladimir Kola, i cili ka denoncuar disa raste të plagjiaturave në politikë veçon rastin e deputetes Blerina Gjylameti.
“Siç e kam thënë në analizën që kam publikuar në profilin tim në Facebook, në Tezën e doktoraturës së Gjylametit janë kopjuar pak a shumë 22 faqe, nga një studim i vitit 2008 me titull “An Introduction to Strategic Human Resource Management”, me autorë Pawan Budhwar dhe Samuel Aryee” – thotë Kola.
Tek rasti i Gjylametit, vjedhja është në shifra të paprecedenta.
“Në lidhje me përqindjen e kopjuar nga burimi origjinal, një përqindje që tejkalon 10-15 % konsiderohet përqindje e lartë. Në rastin e zonjës Gjylameti, burimi origjinal nuk është referuar, është kopjuar një përqindje shumë e lartë rreth 90 % e studimit të vitit 2008” – thotë Kola në intervistë.
Akademiku Moikom Zeqo thotë ndërkohë në një intervistë në DITA se këtu kemi një dukuri të një mashtrimi kombëtar.
“Njerëz mediokër duan të shfaqen ndryshe nga çfarë ata janë, duan të arnojnë me merita dhe tituj të paqenë identitet e tyre të mjera. Janë kaq të paturpshëm, kaq të guximshëm dhe të vrazhdë. Këta deputete janë qenie amorale të neveritshme” – thotë Zeqo për raste si i Gjylametit.