Zbardhen shkaqet e shpërthimit në Bllok me 5 të plagosur

Aktualitet Kronikë Kryesore

Një shpërthimi i fuqishëm tronditi dje rreth orës 13:00 zonën e ish-Bllokut në kryeqytet. Flakë e tym u panë të dilnin nga pallati, që në katin e parë ka disa biznese dhe në katet e sipërme shtëpi banimi.

Pak metra më tutje është një karburant, por fatmirësisht një tragjedi e mundshme u shmang. Nga ngjarja e rëndë e ditës së djeshme mbeten të plagosur rëndë bashkëshortët Sokol dhe Alma Pirra pronarë të argjendarisë ku ndodhi shpërthimi. E plagosur mbeti dhe punonjësja e argjendarisë dhe dy kalimtarë. Por fatmirësisht këta tre të fundit janë jashtë rrezikut për jetën.

Dje në një njoftim paraprak, Policia e Tiranës tha se shpërthimi ka ndodhur në një dyqan eventesh, por ekspertët në vendin e ngjarjes konkluduan sot se shpërthimi ka ndodhur në bodrumin e argjendarisë “Euro gold”.

Dyshimet e para të grupit të hetimit janë se rrjedhja e gazit ka provokuar edhe shpërthimin e fuqishëm. Në bodrum janë gjetur dy bombola, njëra me gaz propan, ndërsa tjetra me gaz kriogjen, i cili quhet ndryshe gaz teknik. Bombola e gazit kriogjen është gjetur me valvul të hapur dhe dyshohet se ka pasur rrjedhje në tubin përcjellës mes bombolës dhe pajisjes, me të cilën punohej.

Në raportin paraprak të përpiluar nga ekspertët zjarrfikës, thuhet se ngjarja ka ndodhur për shkak të një pakujdesie njerëzore.

Sipas hetimeve të deritanishme mendohet se shpërthimi ka ndodhur nga ngopja e bodrumit të argjendarisë me gaz. Një nga shkeljet e vërejtura nga Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial është fakti se, bombolat e gazit ishin në bodrum dhe në ambient të mbyllur.

Ende nuk dihet nëse argjendaria ka qenë e pajisur me licencë për përpunimin e floririt dhe nëse, ISHTI kishte kryer kontrollin teknik periodik në këtë biznes.

Share: