Pesë arsye pse libri i Isuf Kalos është i mezipritur

Kulturë Libri Sociale

Nga Henri Çili

Historia e Shqipërisë së shekullit XX është e shënjuar thuajse një 50-vjeçar, sa gjysma e saj, nga diktatura komuniste. Vetë diktatura shënjohet në mënyrë të pandërprerë nga figura e diktatorit komunist shqiptar, Enver Hoxha.

Është fat që mjeku personal i Enver Hoxhës, prof. dr. Isuf Kalo, diabetologu i njohur, është mes nesh, madje tepër aktiv në jetën publike. Ai është miku i të gjithëve, e mbi të gjitha, ka lënë një dëshmi historike me librin e tij “Blloku”.

Këto unicitete janë shumë të vështira të qëllojnë në një rast të vetëm. Prandaj, libri i tij “Blloku” ka së paku pesë arsye pse është i jashtëzakonshëm, pse ka rëndësi historike dhe pse është një kënaqësi e vërtetë intelektuale.

Përpara se të vijoj më tej, me këto pesë arsye, ia vlen të shpreh disa konsiderata për profesor Isuf Kalon, mjekun e famshëm shqiptar. Jo thjesht për mjekun e diktatorit, të cilin kam pasur kënaqësinë e madhe ta njoh nga afër 3–4 vitet e fundit gjatë bashkëpunimit për konceptimin dhe ndërtimin e projektit për drejtimin e Fakultetit të ri të Shkencave Shëndetësore, në Universitetin Europian të Tiranës, ku ai ka statusin e papërsëritshëm të “dekanit themelues”.

Është e pabesueshme se si te profesor Isuf Kalo kombinohen në një të tria tiparet: karakteri pozitiv, energjia pozitive për shumëçka, që e bën atë pa dyshim një mik shumë të mirë; profesionist i jashtëzakonshëm i fushës së vet dhe njohës i edukimit të lartë mjekësor. Këto tipare na kanë lidhur me profesor Isufin, gjatë ambicies sonë në fillim të dekadës së dytë të Universitetit Europian të Tiranës, për të ndërtuar Fakultetin e Mjekësisë në UET, një projekt i gjatë e ambicioz, për të cilin profesor Isufi ka qenë një gur themeli. Ai përfaqëson intelektualin suigeneris, nga ata të një race, fatkeqësisht në zhdukje, i cili në kapërcyell të dy shekujve shqiptarë, në vitet 1900 dhe 2000, ka dhënë një rol të dorës së parë, në interesa të dorës së parë dhe në diapazone të dorës së parë.

Të tria këto konsiderata, për profesor doktor Isuf Kalon, tani që i shkruaj, më duken të pamjaftueshme për të perifrazuar respektin tim personal për të dhe qasjen e tij pozitive ndaj gjithçkaje. Duke bashkëpunuar me profesor Isuf Kalon, në këtë fazë të jetës së tij, është më shumë një kënaqësi intelektuale sesa një punë. Prania e tij në UET është një nga majat e senjoralitetit, që UET e ka bërë tashmë zakon që ta respektojë. Por në planin miqësor, është një kënaqësi e jashtëzakonshme.

Por, cilat janë pesë arsyet pse ky libër është i pazakontë dhe ka një rëndësi të madhe.

Arsyeja e parë, pse ky libër është risi, është ky fakt: është shumë e rrallë, që 30 vjet pas rënies së diktaturës komuniste dhe gati 35 vjet pas vdekjes së diktatorit shqiptar, Enver Hoxha, ne të kemi një libër, i cili dekodon nëpërmjet dëshmive, pikëpamjeve, reflektimeve, një element të diktaturës shqiptare që është Blloku, në zemër të tij, familja e tij dhe vetë diktatori. Kush mund ta kishte një mundësi të dytë…?! Pothuajse askush…! Shumë nga anëtarë të ekipit mjekësor kanë qenë të përkohshëm, kanë lëvizur prej aty, disa nuk jetojnë më dhe disa të tjerë kanë pasur vetëm një pamje të pjesshme të asaj që ka ndodhur, të paktën që nga fillimi i viteve ’70, në dhomën e pacientit Enver Hoxha, pacientit-diktator, diktatorit-pacient. A nuk është kjo unike…?! Plotësisht unike…!

Edhe pse bibliografia e librave për diktatorët, për sëmundjet e diktatorëve është e gjerë dhe e gjatë, ky libër qëndron dinjitoz në kolanën ose bibliotekën e librave të këtyre të sëmurëve që na qeverisin. Sëmundja përcakton shumëçka nga veprimtaria e përditshme. Ajo e modelon karakterin, ajo krijon dinamika të caktuara të vendimeve e vendimmarrjeve dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe me Enver Hoxhën. Lexojeni këtë libër për ta mësuar!

Arsyeja e dytë, pse libri i profesor Isufit është i jashtëzakonshëm, është se pse ai është shkruar në mënyrë shumë të këndshme. Ti mund të lexosh një histori, një rrëfim, por mund të marrësh edhe disa libra në një. Aty ke refleksione, ke data, ke kronikë, ke autenticitet, por ke gati edhe një pamje të gjallë, se çfarë ndodhte në atë mjedis, se si lëviznin ngjarjet e fenomenet dhe çfarë ndodhte në suazat e një formacioni sui generis, që në këtë rast quhej Blloku, por në universalet e pushtetit ai quhet “Pallati”, “Oborri”, “Kremlini” apo “Qyteti i ndaluar”. Përmasat ndryshojnë, rëndësia ndryshon, por fenomeni është i njëjtë nga pikëpamja cilësore. Kjo është rëndësia e dytë e këtij libri, duke mos e lënë Shqipërinë e vogël, pa një dëshmi kualitative të kësaj natyre, për atë se çfarë ndodhte në Bllok.

Arsyeja e tretë e rëndësisë së librit të profesor Isufit, është koncepti “panopticum” ose koncepti i Aleph-it, i cili në filozofi është pika nga ku mund të shihet e gjithë bota. Mjeku Isuf Kalo, nga pozitat rigorozisht të mjekut dhe të etikës profesionale, të betimit të Hipokratit, sheh gjithçka. Sheh marrëdhëniet njerëzore, marrëdhëniet politike, fazat, krimet, lëvizjet, luftën për pushtet dhe gjithçka tjetër. Mund të kishte qenë kuzhinier, mund të kishte qenë truproja, mund të kishte qenë shefi i sigurisë, mund të kishte qenë shefi i shërbimeve sekrete, mund të kishte qenë bahçevani…, nuk ka rëndësi, por pozita e mjekut është e jashtëzakonshme, është e patëdytë. Para mjekut ne jemi pothuajse si para vetvetes, sepse ankthi i shëndetit është një ankth i pakrahasueshëm me të gjitha elementet e tjera. Si i tillë, Isuf Kalo ka mundur, praktikisht, të shohë më shumë dhe më mirë se gjithkush tjetër nga kjo pikëpamje. Pikërisht, pozita e mjekut personal, nga i cili Isuf Kalo shkruan këtë libër rreth diktatorit, rreth Bllokut, rreth Shqipërisë, është një pikë unike dhe kjo e përmbush tërësisht parakushtin e rëndësisë së tretë.

Arsyeja e katërt është ajo intelektuale: Isuf Kalo ka interesa të gjera. Ai nuk është thjesht një mjek, por ai është një intelektual, është një qytetar, është një qenie sociale e shqetësuar, qenie sociale e impenjuar, e preokupuar për atë që ndodhi gjatë diktaturës, momentin e rënies së saj dhe pas rënies së diktaturës. Dalja e Isuf Kalos nga dhoma e pacientit dhe nga dhoma e mjekut, për “të shëtitur”, reflektivisht dhe në format e tjera në Shqipërinë e ndërrimit të shekujve, të paktën që nga vitet ’70, kur ai si mjek i ri përfshihet në ekipin e Enver Hoxhës, është shumë autentike dhe bën pjesë në pajimet e plejadës së intelektualëve shqiptarë, që pavarësisht nga pozicioni, e kanë parë Shqipërinë përtej profesionit. Fatkeqësisht kjo racë po zhduket, duke lënë në mes, ose duke zbrazur në mes hapësirën, ose profesionistë të lartë të çështjeve të ndryshme, ose specialistë të rëndësishëm të zhytur në botën e tyre të mëvetësishme profesionale. Si i tillë, ky libër është një privilegj.

Arsyeja e pestë dhe fundit, por jo më parëndësishmja, për këtë libër është të qenët pozitiv, konstruktiv, humanizmi. Isuf Kalo është një njeri që reflekton energji pozitive, kaq e rrallë dhe kaq e dobishme për jetën publike. Energjia e tij pozitive nuk është relativizuese, por as amnistuese. Aspak! Ky nuk është as qëllimi, as mjeti dhe as instrumenti i tij. Ai i shikon gjërat gjerë dhe me shqetësimin e vendosjes së njeriut në qendër, duke i mbijetuar lojës së egër të pushtetit dhe diktaturës, nga ku duhet theksuar se në historinë e ekipeve mjekësore të diktatorëve, shumë prej mjekëve e kanë pësuar e paguar me jetë praninë pranë diktatorit. Isuf Kalo nuk është mbushur me mllef, nuk është mbushur me negativitet. Ai është njerëzor, është human dhe nuk arriti asnjëherë si individ të ndotej, të çmoralizohej, ose të infektohej nga ideologjia, nga diktatura, duke qenë në zemër të saj. Betim më të mbajtur, në lidhje me parimet e Hipokratit, zor se mund të gjesh.

Si përfundim, libri i Isuf Kalos, të cilin kam pasur privilegjin ta lexoj në dorëshkrim, është krenari që bën pjesë në plejadën e autobiografive, refleksioneve, shënimeve, që njerëz të shquar kanë mbajtur dhe që UET Press i ka pjesë të një kolane të rëndësishme të saj, kolanë, e cila bëhet më e plotë me këtë rrëfim, e ku përfshihen dëshmi të rëndësishme të tranzicionit si një të tërë, si dëshmitë e Vera Bekteshit, Aleksandër Meksit, Spartak Ngjelës, Preç Zogajt, Kurt Kolës etj., etj., duke lënë shenja të qarta, të kuptueshme, të interpretueshme të një kohe, e cila është në kalim e sipër. /Gazeta Liberale

Share: