Me qëllim të promovimit të së drejtës për Jetesë të Pavarur të personave me aftësi të kufizuar, me 27 qershor u mbajt në qytetin e Tiranës trajnimi 1-ditor, që bashkoi së bashku përfaqësues të pushtetit vendor, përfaqësues të organizatave të ndryshme të aftësisë së kufizuar, si dhe persona me aftësi të kufizuar.
Trajnimi i organizuar nga Fondacioni “Së bashku” me mbështetjen financiare tё Fondacionit “Shoqëria e Hapur pёr Shqipërinë” pati në fokus mbështetjen e kauzës për të afruar Shqipërinë më pranë standardeve tё Bashkimit Evropian”.
Pas tryezës së rrumbullakët të zhvilluar në Tiranë me rastin e 5 majit- Ditës Evropiane për Jetesë të Pavarur dhe pas trajnimeve të zhvilluara në qytetin e Elbasanit dhe në atë të Durrësit, u zhvillua ky trajnim në kryeqytet, i cili do të pasohet edhe nga të tjerë nëpër qytetet shqiptare me qëllim që të forcohen kapacitetet e organizatave të aftësisë së kufizuar.
Drejtoresha e Fondacionit “Së bashku”, znj. Suela Lala e vuri theksin tek sqarimi i konceptit të Jetesës së Pavarur sipas Rrjetit Evropian për Jetesës të Pavarur, duke shpjeguar kuadrin ligjor dhe praktikat e funksionimit të tij nëpër vende të ndryshme të Europës. Ajo sqaroi në mënyrë të detajuar konceptin e Ndihmёsit Personal, i cili është një individ i punësuar nga personi me aftësi të kufizuar për t’i ofruar mbështetje në aspekte të ndryshme të jetës – si kujdesi personal, punët e shtëpisë, asistencë në shkollë, universitet ose punë ose ngarjen e makinës, interpretimin e gjuhës së shenjave e kështu me radhë. Ajo qartësoi situatën aktuale në vendin tonë dhe bëri të ditur përmes shembujve ndryshimin mes kujdestarit dhe ndihmësit personal.
Me tej, të pranishmit patën mundësinë të merrnin një informacion të detajuar mbi praktikën ligjore ndërkombëtare dhe atë shqiptare, përmes ligjëratës së juristes Rovena Lipe, e cila shpalosi përmes shembujve praktikë gjendjen në vendin tonë. Ajo bëri edhe një ekspoze të neneve kryesore të Konventës së OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar.
Në fund për të gjithë pjesëmarrësit e trajnimit u shpërndanë edhe certifikata nga Fondacioni “Së bashku”.