Me qëllim të promovimit të së drejtës për Jetesë të Pavarur të personave me aftësi të kufizuar, me 13 qershor u mbajt në qytetin e Durrësit trajnimi 1-ditor, që bashkoi së bashku përfaqësues të pushtetit vendor, përfaqësues të organizatave të ndryshme të aftësisë së kufizuar, si dhe persona me aftësi të kufizuar.
Trajnimi i organizuar nga Fondacioni “Së bashku” me mbёshtetjen financiare tё Fondacionit “Shoqëria e Hapur pёr Shqipërinë” pati në fokus mbёshtetjen e kauzës për të afruar Shqipërinë më pranё standardeve tё Bashkimit Evropian”.
Pas tryezës së rrumbullakët të zhvilluar në Tiranë me rastin e 5 majit- Ditës Evropiane për Jetesë të Pavarur dhe pas trajnimit të zhvilluar në qytetin e Elbasanit, u zhvillua ky trajnim në qytetin e Durrësit, i cili do të pasohet edhe nga të tjerë nëpër qytetet shqiptare me qëllim që të forcohen kapacitetet e organizatave të aftësisë së kufizuar.
Drejtoresha e Fondacionit “Së bashku”, znj. Suela Lala e vuri theksin tek Jetesa e Pavarur sipas Rrjetit Evropian për Jetësë të Pavarur, duke sqaruar kuadrin ligjor dhe praktikat e funksionimit të tij nëpër vende të ndryshme të Europës. Ajo sqaroi në mënyrë të detajuar konceptin e Ndihmёsit Personal, i cili është një individ i punësuar nga personi me aftësi të kufizuar për t’i ofruar mbështetje në aspekte të ndryshme të jetës – si kujdesi personal, punët e shtëpisë, asistencë në shkollë, universitet ose punë ose ngarjen e makinës, interpretimin e gjuhës së shenjave e kështu me radhë. Ajo qartësoi situatën aktuale në vendin tonë dhe bëri të ditur përmes shembujve ndryshimin mes kujdestarit dhe ndihmësit personal.
Me tej, të pranishmit patën mundësinë të merrnin një informacion të detajuar mbi praktikën ligjore ndërkombëtare dhe atë shqiptare, përmes ligjëratës së juristes Meme Xhaferaj, e cila shpalosi përmes shembujve praktikë gjendjen në vendin tonë. Si drejtoreshë e Shërbimeve Sociale pranë Bashkisë Durrës, ajo bëri edhe një ekspoze të gjendjes në këtë qytet, në lidhje me masat që janë marrë ndër vite për kategoritë e ndryshme sociale.
Në fund për të gjithë pjesëmarrësit e trajnimit u shpërndanë edhe certifikata nga Fondacioni “Së bashku”.