Nga Çapajev Gjokutaj
Brenda 24 orëve përjeton dy gjëra që përjashtojnë njera-tjetrën dhe mund të bëhen bashkë vetëm në situata skizofrenike.
Dita kalon normalisht madje edhe këndshëm. Nxitimi i mëngjezit, punë, një kafe, një bisedë, shetitje në park, psonisje, pak muzikë a letërsi. Ritëm përgjithësisht i qetë, njerëz të sjellshëm e dashamirë.
Por kur vjen darka emisionet talkshow ngjajnë se lidhen dorëpërdore dhe, si magjistricat tek Makbethi, ia dredhin: Sy kuçedre, bisht bretkose/ Gjuhë qeni, qime dose/ Trubull, trubull avullo;/ Digj-u, zjarr; kazan, valo…
Më 30 qershor s’do ketë zgjedhje, po përplasje civile, thotë njeri. Po shkojmë drejt zjarrit, ia pret tjetri. Gjërat mund të dalin jashtë kontrollit dhe vendi mund të përjetojë edhe një herë kaosin e ‘97-ës, parasheh një i tretë.
Dhe s’di të thotë i ziu njeri: Parashohin mynxyra të tilla se kanë më shumë informacion dhe i shohin gjërat nga një pikë më lart se ne, të zakonshmit? Bëjnë politikë në dobi të njerës apo tjetrës parti? Shtojnë dramë e tension se kështu ua do formati televiziv a rritja e audiencës? Apo…
2.
Thënë të gjitha këto, nuk mund të mohosh se vendi është në situatë të vështirë dhe me tensione politike në rritje. Përplasja në katet e sipërme të politikës është e ashpër dhe pritet të radikalizohet.
Akti i presidentit për të anuluar datën e zgjedhjeve lokale, parë nga reagimet që po shkakton, nuk ka shërbyer për uljen e tensioneve, aq më pak për të ofruar ndonjë shteg që nesërdej mund të shpjerë në shtensionim e marrëveshje.
Pas ndërhyrjes së presidentit palët politike i thelluan edhe më ledhet e betejave verbale. Ndërkombtarët vështirë se do ndërmjetësojnë tani afër, kurse koha në dispozicion matet me orë dhe jo me ditë. Në këto rrethana mundësia për një marrëveshje të afërt në tavolinë është pothuajse zero.
Por opozita është jashtë sistemit dhe, nëse del edhe jashtë pushtetit lokal, rrezikon të shkojë drejt një asfiksie të sigurt. Kjo situatë të shtyn të hamendësosh se nuk janë të vogla gjasat që të ketë instrumentalizime që synojnë dhunë e gjullurdi.
Mbetet edhe një gjë e vogël për t’u sqaruar: A është gati populli, më saktë masa të gjera qytetarësh, të ndjekin skenarin e kacafytjes apo, thënë në një term më të fisëm, skenarin e përplasjes civile? A ka një masë kritike qytetarësh që do merrnin rrezikun në sy dhe do bëheshin mish për top që t’u vinin në ndihmë politikës dhe politikanëve?
3.
Parashikimet janë të vështira edhe në vende me shoqëri të mirëstrukturuara, me pushtete të ndara, institucione të forta, qytetari të lartë dhe traditë të pasur në sondimin e opinioneve.
Merret me mend si mund të jenë parashikimet për vende si ky yni, të mësuara denbabaden që një ose disa pak persona të bëjnë dhe shiun dhe diellin, kurse masat e qytetarëve të pëfshihen në nocionin folklorik ‘popull’ e të përdoren për propagandë dhe, sipas rastit e takatit, edhe për shantazh e kaos.
Gjithsesi ndonjë parashikim mbështetur mbi logjikën e gjërave mund edhe të bëhet, jo për tifozllëk e mobilizim palësh, por për të nxitur sadokudo reflektimin dhe mendjen e ftohtë.
Protestat e opozitës ia kanë dalë të nxjerrin në rrugë masa të konsiderueshme qytetarësh. Fakti që ky masivitet vazhdon prej katër muajsh dëshmon se pakënaqësia për gjendjen dhe për qeverisjen është e konsiderueshme.
Megjithatë, masa dërmuese e qytetarëve që dalin në protesta kanë prurje civile dhe konstruktive. Vetëm një pjesë fare e vogël e tyre, disa dhjetëra mund të thuash mbështetur në pamjet televizive, ndërmarrin akte dhune. Madje nuk i ndërmarrin kurdoherë, dmth në çdo protestë, por vetëm kur ua lejon apo, larg qoftë, ua kërkon lidershipi i opozitës.
Vështirë që në pak ditë partitë e opozitës të arrijnë që masën e madhe të qytetarëve kontestues, por paqësorë ta shndërrojnë në dhunues të qindra qendrave të votimit anembanë vendit.
Parë kështu, nëse zgjedhjet do të mbahen, rreziku i ndalimit dhe prishjes së tyre ngjan i dobët dhe gati-gati inekzistent. Gjithsesi, gjallon një rrezik tjetër, jo pak i dëmshëm.
Dhuna dhe përpjekjet sporadike në disa pak qendra votimi do të bëheshin lajm i ditës edhe në mediat ndërkombëtare dhe kjo do të ishte një goditje marramendëse për imazhin tonë: një popull në mes të Europës që nuk ndeshet në qendrat e votimit, por përleshet rreth tyre.
Dhe imazhi ka qenë i çmuar qyshkur i urti tha atë proverbin për namin dhe syrin. Le të shpresojmë se pas një shekulli pësimesh e mësimesh politikanët, por edhe ne, qytetarët, kemi arritur të lexojmë drejt dilemën noliane: druri apo truri.