Nëse policia politike e Rilindjes ka kapur atentatorin e vërtetë…

Analizë Opinion

Nga Andi Bushati

Zakonisht në ngjarje të tilla të bujshme, si ajo e atentatit ndaj prokurorit Ndoja, shteti ndjek një taktikë: arrestohet dikush, shpallet si i dyshuar sa të bjerë ndërkohë presioni publik dhe më pas, si çdo çudi, që nuk zgjat më shumë se shtatë ditë, gjithçka harrohet dhe i ndaluari rezulton i pafajshëm.

Por edhe në mos qoftë ky skenari i kësaj here, pra edhe nëse vërtetohet se gjurmët e ADN-së së nipit të deputetit socialist Rahman Rraja e damkosin atë si autor të krimit, sërish nuk ka vend për të thërritur fitore.

 

Deklarata pompoze e policisë, entuziasmi i altoparlantëve të saj për aksionin e rrufeshëm, përgëzimet e kryeministrit, përpara se të ngjallin eufori duhet të mbulohen me akuza. Pasi të gjithë së bashku, përpara se të jenë heronj, janë fajtorë për atë që ndodhi.

Sepse, edhe nëse këtë herë policia ka kapur personin e duhur, ajo e ka bërë këtë më vonë sesa kurrë. Të paktën për një rast të njohur botërisht, Redian Rraja nuk duhet të ishte sot i lirë.

Kush e kujton historinë e dhimbshme të Xhisielës së përdhunuar nga djali i deputetit të PS, e mban mend mirë se aty u përmend edhe emri i atij që dyshohet sot si atentator. Në dëshmitë e një viti më parë, Redian Rraja, nuk u akuzua vetëm se kishte ushtruar dhunë mbi vajzën viktimë, por mbi të gjitha se kishte kërcënuar policin që po hetonte çështjen, Emiliano Nuhun.

Eshtë e kotë t’i kthehemi edhe njëherë sot batërdisë të gjithë baterive të rilindjes ndaj kujtdo që tregonte këtë të vërtetë. Eshtë e kotë të evokojmë linçimin publik që iu bë punonjësit të policisë duke e shpallur atë fajtor dhe shantazhuesit e tij viktima.

Edhe njëherë, në rastin Xhisiela, u përsërit historia e njohur e atij që damkoset pasi do të punojë në emër të ligjit. Atëbotë, Rediani që duhet të shkonte në burg, u la i lirë dhe Nuhu u detyrua të marrë rrugën e azilit.

Dhe kjo nuk është një rastësi.

Po në të njëjtën mënyrë policia politike e Rilindjes ka vepruar edhe në rastin e Dritan Zaganit, të cilin e akuzoi dhe e burgosi vetëm se pati kurajon të denoncojë lidhjen e trafikanëtve të drogës me ministrin Tahiri. Po e njëjta skemë u përdor edhe me me djalin e ish deputetes socialiste Luiza Xhuvani, i cili ndonëse ishte në kërkim, u lejua të sillej para kamerave që ishin vendosur para parlamentit, për t’u thyer hundët atyre që e akuzonin. Do duhej që ai të vriste dhe katër të tjerë që të përfundonte në burg.

Nëse Redian Rraja është autori i vërtetë i atentatit të Shkozetit, identik i tillë është edhe rasti i tij. Nevojat e propagandës e lejuan atë të bridhte i lirë. Policia politike e Rilindjes kryqëzoi një nga efektivët e saj vetëm që mos kriste imazhin e qeverisjes.

Dhe ai që duhet të gjendej pas hekurave u bë një vit më pas heroi i një ngjarjeje tjetër “spektakolare”.

Po, po, në mos për bëma të tjera, sot Rraja duhet të ishte në burg, sepse kishte kërcënuar një vajzë dhe se kishte shantazhuar një punonjës policie. Derisa nuk e bëri këtë, policia politike e Rilindjes dhe mbrojtësit e saj, duhet të kenë së paku guximin të heshtin. Ataj janë me vonesë, tepër me vonesë edhe sikur këtë herë, realisht të kenë prangosur atentatorin e vërtetë. /Lapsi.al

Share: