Arjan Ndoja pohon se ai nuk është ndjerë në asnjë çast i kërcënuar me jetë, deri në momentin që emri i tij është lakuar në media.
Jashtë dhomës së tij qëndrojnë dy efektivë policie dhe shumë familjarë. Në një takim të shkurtër me të, ku ishte e pamundur të filmohej, Arjan Ndoja tha për A2 se në bagazhin e makinës së tij ndodheshin disa shkresa, dokumente dhe fotokopje të dosjeve për të cilat ai ka ofruar konsulencë ligjore.
“Unë prej kohësh drejtoj një studio ligjore, ku ofroj dhe konsulencë ligjore për çështje të ndryshme. Ndër to janë disa çështje që lidhen me pronat, por edhe çështje penale për të cilat unë jam njohës dhe sugjerues. Shpresoj që prokuroria të tregohet objektive në hetim, pasi këto janë gjëra të ditura dhe unë nuk kam shkelur asnjë ligj apo të drejtë”, tha Ndoja.
I vënë nën akuza për bashkëpunim me grupe kriminale, Arjan Ndoja tha se kurrë nuk ka shpërdoruar detyrën dhe në asnjë rast nuk i ka shërbyer askujt për të përfituar: “Nuk jam ndjerë asnjëherë i kërcënuar, ndryshe do të kisha marrë masa të mbrohem. Çdo gjë kisha pritur, vetëm këtë jo. Kisha menduar që mund të më çonin në prokurori, duke më ngritur akuza, por jo deri tek arma. Unë nuk i trembem askujt. Asgjë nuk kam bërë në kundërshtim me ligjin dhe nuk jam shoqëruar kurrë me kriminelë”.
Ndoja do të qëndrojë edhe për disa ditë në regjim spitalor. Ai ka dhënë dëshminë e tij, por grupi i prokurorëve tha se pas verifikimit të dokumentave që janë gjendur në makinën e tij do të ribëjnë një tjetër seancë pyetjesh për të verifikuar nëse në këtë rast prokurori Ndoja ka shpërdoruar detyrën.