Tymnaja mbi rrugën Milot-Fier

Analizë Opinion

Nga Fatos Çoçoli

Në fillim të këtij muaji, qeveria paraqiti në publik projektin për dhënien me leje (koncesion) të autostradës Milot-Fier, me vlerë rreth 1.2 miliardë euro, për t’u ndërtuar si një rrugë me pagesë, në kuadër të Korridorit Blu Adriatiko-Jonian, aks ky strategjik për Bashkimin Evropian. Të gjithë: mediat, opozita, ekspertë vrapuam ta anatemojmë si një projekt që po rëndon buxhetin tonë të shtetit, që kushton 420 milionë euro më shumë se sa një projekt i parashikuar për të njëjtën distancë, nga studimi leverdisshmërisë, i kryer për llogari të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (@BIF), një nismë dhe strukturë e financuar nga Bashkimi Evropian (https://www.wbif.eu/about/about-wbif), e cila siguron financim dhe asistencë teknike për investime strategjike në rajon. Dhe menjëherë pas kësaj gjetjeje, pa lexuar nga faqja e parë në të fundit studimin e leverdisshmërisë të ndërmarrë disa vite më parë, pa kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dokumentet e projektit, realizuam se këtu paska një aferë(gjë) të madhe korruptive, se kosto për kilometër rrugë është rritur artificialisht dhe se të gjithë këtë abuzim do ta paguanim po ne qytetarët nga taksat tona. U ngrit një si ndjeshmëri, vetëdije kolektive dhe të gjithë nëpër kafenetë në ajër të pastër, përmes frikërave dhe tensioneve nga pandemia, e komentuam edhe këtë. Pa u këshilluar me asnjë ekspert ndërtimi rrugësh, pa ditur me hollësi standardet e rrugës së propozuar. Tetë ditë më vonë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë vendos të bëjë publike dokumentet dhe kuptohet se Buxheti i Shtetit nuk paguan, por qeveria do të garantojë me 10 për qind për 17 vitet e para të funksionimit të rrugës trafikun mbi të. Me fjalë të tjera, qeveria do të paguajë në rast se qytetarët zgjedhin rrugët dytësore pa pagesë dhe trafiku (numri i makinave në ditë në rrugën me pagesë) del më pak nga parashikimi(trafik i munguar). Njësoj sikurse sot paguajmë nga Buxheti i Shtetit për numrin e kontrolleve mjekësore (check-up) që nuk realizohen. Edhe pse vendi për katër vitet 2021-2024 që do të ndërtohet autostrada Milot-Fier do të zhvillohet, sërish do të ketë shumë qytetarë që do të zgjedhin të kalojnë nga rrugët dytësore më të ngadalta, por pa pagesë, për të mos paguar 10 mijë lekë të vjetra për 100 km (tarifa 7.5 euro e caktuar). Kështu që trafiku ditor mesatar prej 29.800 makina në ditë në këtë aks është i vështirë të arrihet çdo ditë. Prandaj dhe mundësia që Buxheti ynë i Shtetit të paguajë një pjesë të mirë të këtyre 121 milionë eurove të garancisë për trafikun e munguar është e lartë. Me këtë kusht, investuesit e huaj që do të garojnë për të fituar koncesionin e rrugës me pagesë Milot-Fier marrin garancinë që, në rast se për 17 vitet e para të funksionimit, parashikimet e trafikut të makinave(biznesit) nuk do të dalin, qeveria dhe Shteti ynë do të sigurojnë mbulimin e një pjese të mirë të humbjeve. E gjithë tymnaja e ngritur mund të ishte kursyer, nëse qeveria do të publikonte dokumentet e publikuara në 10 korrik, që në datën 1 korrik. Sikurse është i vërtetë arsyetimi qeveritar se po të kishim pritur financimet nga fondet dhe programet përkatëse BE-së, problemi është që miratimi i mbështetjes financiare nga BE-ja për këto projekte zgjat relativisht shumë. Dhe po ashtu, kredimarrja pranë institucioneve financiare ndërkombëtare rrit borxhin tonë publik e në kushtet e pandemisë, ky borxh rritet vetiu nga kostot mbi ekonominë. Megjithatë, shqetësimi real duhet të qëndrojë jo në lidhje me paratë që në këtë projekt, Buxheti i Shtetit do të detyrohet të paguajë për 17 vitet e para të funksionimit të rrugës. Pikëpyetjet që ngrihen kanë të bëjnë me sa të shtrenjta për qytetarët tanë po i bëjmë rrugët tona? Vërtet rritet shpejtësia e përshkrimit të distancave dhe kjo është një gjë shumë e mirë për turizmin dhe të gjitha bizneset e tjera që koston më të madhe e kanë kohën. Por, sa këto rrugë të reja me pagesë lejojnë alternativat e rrugëve dytësore pa pagesë? Dhe nëse një rrugë autostrade pa pagesë (62 kilometra) duhet shndërruar e gjitha në gjurmë dhe bazament për rrugën e re me pagesë, apo duhet të qëndronin të dyja paralelisht? Pse është shumë e vërtetë ajo që një përfaqësues i opozitës, njohës i ekonomisë thotë: ne autostradat pa pagesë të ndërtuara në këto 20 vitet e fundit i kemi paguar të gjitha nga taksat që kemi dhënë në Buxhetin e Shtetit. Pra, mos vallë përdorimi i gjurmës, autostradës ekzistuese për të bërë të renë përfaqëson një kosto të dyfishtë? Për t’iu dhënë përgjigje këtyre pyetjeve na duhen specialistë të ndërtimit dhe projektimit të rrugëve dhe jo analistë portalesh, gjithollogë televizionesh dhe, akoma dhe më pak, politikanë. Mirëpo për fat të keq, ata të paktë specialistë të mirë të rrugëve që kemi, ose nuk kanë informacionin në dispozicion, ose kur e kanë, nuk duan të shprehen, për të mos humbur ndonjë punë të ardhshme, si konsulentë të qeverisë në studimet e leverdisshmërisë që vijnë. Ja përse na nevojitet një strukturë më vete vlerësimesh, që i jep llogari vetëm Kuvendit dhe financohet jo nga fonde të dhëna me firmat e ministrave, që të bëjë oponencën reale të projekteve të paraqitura nga qeveria dhe të ofrojë mendim profesional të pavarur. Pa të, do të jemi gjithnjë viktimë dhe në pritje të tymnajës së radhës.

 


 

 

Share: