Ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar gjatë gjithë ditës së djeshme video-përgjimet e gazetës gjermane Bild. Ai ka komentuar secilën prej videove duke theksuar se qeveria e kryeministrit Ed Rama, komandohet nga krimi.
“Dikur sodisnin detin si çift i dashuruar, sot Rama nuk ia hap më telefonin Gjushit”, shkruan Berisha në përshkrimin e imazhit të publikuar në rrjetin social facebook.
Më herët Berisha ka komentuar edhe deklaratën e ministrit të Jashtëm holandez, i cili tha se Holanda do ia mbyllë Shqipërisë portat e BE. Sipas ish-kryeministrit, ky vendim i Holandës vjen pas publikimit të përgjimeve nga Bild.
“Çdo ditë nga një lajm i zi! Me Edvin krimin, Shqipërinë dele e zeze në Europe, nuk hapen negociatat.
Miq, vetëm një ditë pas publikimeve më tronditëse të viteve të fundit nga e famshmja gjermane Bild, ministri i jashtëm i Mbretërisë se Holandës Stef Blok deklaroi publikisht se qeveria e vendit të tij nuk do votojë për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Pra negociatat e BE nuk do hapen me Shqipërinë. Ky është lajmi i zi i radhës që vjen pothuaj çdo ditë për Shqipërinë që kur Edvin Kristaq Droga e shndërroi atë në delen e zezë të Europës”, ka shkruar Berisha.
Çfarë është Dosja 339/1?
Prej kohësh Partia Demokratike akuzon kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako, se është i lidhur me bandën e Avdylajve. Akuzat e PD, lidheshin me disa përgjime që kanë dalë më herët në media, ku Dako komunikon me njërin nga anëtarët e bandës së Avdylajve, Altin Avdylaj. Sipas PD, Dako bashkëpunoi me Avdylajt për të blerë votat në Durrës, por këto akuza janë hedhur poshtë nga kryebashkiaku, i cili ka thënë se komunikimet me Avdylajt kanë qenë në kuadër të fushatave elektorale dhe pa asnjë prapavijë kriminale.