Lleshaj flet për përgjimet e Bild: Ta marrim me qetësi, të presim fundin

Kryesore Politikë

Një ditë pas publikimit të gjashtë përgjimeve nga gazeta gjermane Bild, ka reaguar edhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj.  Në një intervistë për Deutsche Welle ai ka deklaruar se publikimi i videove në gazetën “Bild” nuk prish imazhin e Shqipërisë. Më tej, Lleshaj kujton se çështja po hetohet ndaj duhet marrë me qetësi deri në përfundimin e hetimeve.

 


 

“Unë nuk besoj që një publikim i tillë prish imazhin e Shqipërisë. Sigurisht që asnjë lajm sado i vogël, që nuk është pozitiv, nuk na pëlqen. Por çështja ka nevojë që të merret me qetësinë e duhur pasi është në hetim dhe kjo është një rrjedhje e paautorizuar, duhet të presim fundin. Nuk duhet të kërcejmë te konkluzionet shumë herët, pasi i bëjmë dëm procesit.

Ajo që është publikuar është pjesë e një dosje që po zhvillohet, bëhet fjalë për rastin konkret dhe përgjithësisht në të gjithë kuptimin e së drejtës përgjimet nuk janë prova, por indicie që të çojnë te provat. Duhet të presim deri kur të sqarohet rasti“, tha ai.

Ministri Lleshaj ka komentuar edhe luftën kundër drogës, duke theksuar se rrugët e heroinës dhe kokainës në Europë janë portet e mëdha dhe jo Shqipëria.

“Sa i përket kanabisit është bërë një punë e madhe për ta çrrënjosur, ndërsa sigurisht që energjia kriminale nuk shteron sot. Edhe me kanabisin lufta vijon, pasi ka përpjekje, por energjisë kriminale ne i përgjigjemi me angazhim të jashtëzakonshëm, po luftojmë për ditë.

Ne do ta thellojmë edhe në fushën e kanabisit. Por potencialisht ekziston rreziku nëse zbehim forcën goditëse. Sa i përket drograve të tjera, sigurisht që edhe shqiptarët, kriminelët me origjinë shqiptare e kanë zbuluar këtë treg kriminel dhe po mundohen të futen, por ky treg ka edhe aktorë të tjerë shumë më të mëdhenj se shqiptarët. A kalon nga Shqipëri? Jo domosdoshmërtisht. Rrugët e drogës në Europë janë portet e mëdha, nuk është Shqipëria”, deklaroi ministri Lleshaj.

Share: