“Debat për fotot në FB”, autori tregon sherrin me kushërinjtë: Nuk doja t’i vrisja, por…

Kronikë

Një debat i nisur për publikimin e fotove në rrjetet sociale dyshohet se është bërë shkak për nisjen e sherrit që përfundoi me dy viktima.

Tre autorët e dyshuar vetëdorëzohen në Polici pas negociatave me familjarët. Vëllezërit Markel dhe Manuel Bushi bashkë me djalin e xhaxhait të tyre, Vinçesk (Pali) Bushi, kanë qenë ulur së bashku në një tavolinë, ndërkohë që në një tavolinë tjetër kanë qenë Kelvin dhe Erion Jushi, të njohur dhe me emrat, Mikel dhe Jani, djem xhaxhallarësh.

Këta persona ishin të njohur me njëri-tjetrin dhe mes tyre ka nisur fillimisht me shaka një debat për foton që ish-futbollisti, Kelvin Jushi, publikonte në profilin e tij në rrjetet sociale. Fjalë pas fjale, debati mes dy grupeve është acaruar, duke bërë që të dalin jashtë për t’u sqaruar.

Por, situata është përshkallëzuar më tej, duke bërë që palët të përleshen fizikisht. Më tej, një prej vëllezërve Bushi ka nxjerrë një armë tip pistoletë. Dy të rinjtë, Kelvin dhe Erion Jushi, pasi kanë parë armën, kanë tentuar që të largohen, por janë ndjekur nga pas nga 24- vjeçari, i cili i ka qëlluar në hyrjen e një pallati.

Vetë autori ka deklaruar në Polici se ka qëlluar në gjaknxehtësi e sipër në drejtim të ish-futbollistit, ndërkohë që 36-vjeçari Jushi, sipas Markel Bushit, ka mbetur i vrarë aksidentalisht.

“Debatuam për ‘Facebook’, pastaj u përleshëm dhe situata doli jashtë kontrollit. Nxora pistoletën për t’i trembur, po në gjaknxehtësi e sipër nisa të qëlloja. Nuk kisha për qëllim t’i vrisja”, ka thënë para Policisë 24- vjeçari, Markel Bushi, që dyshohet se është autori kryesor i ngjarjes.

Ndërkohë, për të vërtetuar nëse është qëlluar nga më shumë se një person, do të pritet rezultati i ekspertizës. Për vetëdorëzimin e tre të rinjve, mësohet se ka negociuar grupi i posaçëm hetimor me në krye shefin e Komisariatit të Kurbinit, Erdit Rreçeku.

VETËDORËZIMI

Dy ditë pas ngjarjes, Markel, 24 vjeç, dhe Manuel Bushi, 23 vjeç, bashkë me djalin e xhaxhait të tyre, Vinçesk (Pali) Bushi, 27 vjeç, u vetëdorëzuan në Polici pas negociatave me familjarët e tyre. Mësohet se ka qenë shefi i komisariatit, Erdit Rreçeku, që ka mundësuar dorëzimin e tre të dyshuarve pas negociatave që ka zhvilluar me dajën e dy vëllezërve Bushi.

Fllimisht u vetëdorëzuan Markel dhe Vinçesk Bushi, ndërsa disa orë më vonë u vetëdorëzua dhe Manuel Bushi. Vetëdorëzimi i tyre erdhi pasi Policia, në vijim dhe pa ndërprerje, ushtroi kontrolle të shumta dhe përdori metodat speciale të hetimit për të bërë të mundur kapjen e autorëve. Njëkohësisht, grupi i posaçëm hetimor negocioi me familjarët e autorëve të dyshuar, duke i bindur që ata t’u dorëzoheshin organeve të drejtësisë. Autorët janë marrë në pyetje nga grupi hetimor për të mësuar më teper detaje rreth kësaj ngjarjeje dhe motivet e vërteta.

Tre të rinjtë kanë shfaqur pendesë për krimin e kryer duke deklaruar se nuk kanë pasur për qëllim vrasjen. Nga hetimet e kryera deri më tani rezulton se shkak i konfliktit që përfundoi me 2 viktima ka qenë një debat për motive banale brenda lokalit që ndodhet disa metra larg Komisariatit të Policisë në Kurbin.

Palët më pas kanë dalë jashtë lokalit për t’u sqaruar dhe sherri verbal përshkallëzoi në përleshje fizike e më tej në përdorim armësh. Mikel Jushi, 30 vjeç dhe Jani Jushi, 36 vjeç, tentuan të largoheshin me vrap, por sipas ekspertizës janë ndjekur për rreth 100 metra dhe janë qëlluar me pistoletë.

Dy të rinjtë ndërruan jetë në një spital në Tiranë rreth dy orë pas ngjarjes. Tre të dyshuarit, pas 48 orësh, pritet të dalin në Gjykatë për t’u njohur me masën e sigurisë. Markel Bushi, para ngjarjes, rezultonte person në kërkim, pasi është dënuar me 9 vite në mungesë për tentativë grabitjeje.

Share: