Historia e Marthës, gruas së Frojdit dhe martesa e tyre plot krisje

Kulturë

“Vogëlushja ime e dashur, e dija që, vetëm kur të ishe larg, do të ndërgjegjësohesha për lumturinë time të pamasë, dhe po aq, edhe për përmasën e saktë të asaj që më mungon…”, kështu i shkruante gjatë një mbrëmjeje bashkëshortes së tij Zigmund Frojd. Psikologu i mendjes njerëzore kishte një raport të ndërlikuar me gruan e tij Martha Bernays. Ata u takuan në prill të vitit 1882 dhe vetëm pas pesë vjetësh fejesë u martuan, më 14 shtator 1886 në Hamburg. Por duket se kohë e artë mes tyre kanë qenë vetëm vitet e fejesës, pasi martesa ashtu si të gjitha martesat ndryshon gjithcka.

Sipas biografit të Frojdit, Ernest Jones “letrat e dashurisë që ata i kanë dërguar njëri-tjetrit janë ndër më të bukurat, e do të mbeten gjithnjë në botën e letërkëmbimeve”. Janë mbi 900 letra që ai ia ka nisur në këtë periudhë Marthës. “E dashura ime, ditët bëhen të padurueshme kur jam larg teje. Po mendoja se ku mund të jesh tani, dhe në e ndjen padurimin e zemrës sime”, i shkruante Frojdi në një tjetër letër.

Pas martese ata patën gjashtë fëmijë. Martha ishte një grua elegante, tërheqëse dhe tepër e kulturuar. Martesa e tyre do të kishte shpesh krisje, për shkak të raportit që Frojdi krijoi me motrën e saj Minna Bernays, e cila jetoi gjithë jetën me ta. Martha e dinte për këtë lidhje të fshehtë, por nuk i pengoi të jetonin intimitetin e tyre.

Share: