Për herë të dytë, prokurorja e shkarkuar Rovena Gashi, kërkoi të ketë përfaqësuese ligjore motrën e vet, gjyqtaren Ema Gashi. Kolegji i Posaçëm i Apelimit e rrëzoi sërish kërkesën ndërsa Gashi kërkoi më shumë kohë që motra të japë dorëheqjen si gjyqtare.
Prokurorja e shkarkuar Rovena Gashi paraqiti një kërkesë të dytë për t’u përfaqësuar në procesin e apelimit të çështjes së saj nga e motra, Ema Gashi, e cila është njëkohësisht gjyqtare. Në seancën e 23 prillit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit e rrëzoi kërkesën për herë të dytë. Në të dyja rastet, kolegji gjykoi se gjyqtarët dhe prokurorët nuk mund të kryejnë rolin e mbrojtjes.
“Kërkoj minimalisht dy javë kohë. Kërkojmë kohë që Ema të japë dorëheqjen për të bërë të mundur mbrojtjen time”, u shpreh ndër të tjera prokurorja Gashi. Ndërkohë, kryesuesja e trupës së KPA, Albana Shtylla i tërhoqi vëmendjen gjyqtares Ema Gashi që të mos i jepte sugjerime motrës së saj, por të zhvendosej në vendet e përcaktuara për publikun.
Trupa u tërhoq sërish për të marrë vendim të ndërmjetëm lidhur me kërkesën për shtyrje, e cila u pranua. Seanca tjetër u përcaktua për datën 6 maj, ora 10.
Gashi u shkarkua nga detyra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 25 korrik 2018, por e apeloi vendimin duke argumentuar shkelje. Shkaku kryesor i shkarkimit ishte mosjustifikimi i pasurisë familjare të prokurores Gashi dhe bashkëshortit të saj, prokurorit Dritan Gina.
Rovena Gashi dhe Dritan Gina mbanin poste drejtuese në organin e akuzës, gjatë kohës që ky institucion drejtohej nga ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, por të dy u ulën në detyrë menjëherë pas zgjedhjes së Arta Markut në krye të Prokurorisë në dhjetor 2017.
Pas uljes në detyrë, Gashi dhe Gina i kundërshtuan vendimet e Markut në gjykatë, duke i cilësuar ato të kundraligjshme. Pretendimet e tyre u rrëzuan respektivisht nga Gjykata e Durrësit dhe Gjykata Administrative e Tiranës, duke lënë në fuqi vendimet e kryeprokurores. Po ashtu Kolegji i Posaçëm i Apelimit, rrëzoi një kërkesë të çiftit kundër vendimit për pezullimin e tyre. Megjithatë pasi Gashi ishte shkarkuar nga KPK, Gjykata Administrative e Apelit rrëzoi vendimin e Markut për pezullimin e tyre nga detyra. Gashi dhe Gina po ashtu ishin nën hetim për “fshehje të pasurisë” dhe ishin pezulluar me urdhër të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku.
Çifti i cilësoi akuzat si hakmarrje personale të Markut, pas padive që ata bënë më herët kundër saj. BIRN mësoi se më kërkesë të Prokurorisë së Fierit dhe me miratimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, çështja penale ndaj bashkëshortëve Gina-Gashi është pushuar./Reporter.al