Debati me tone të larta gjatë emisionit “Open” mes ish-deputetit të PD-së, Ervin Salianji dhe deputetit të ‘opozitës së re’, Ralf Gjoni është shoqëruar edhe me një konfrontim fizik mes dy politikanëve.
Gjatë emisionit, Salianji dhe Gjoni shkëmbyen replika të forta për shkak se ish-deputeti demokrat ka thënë se nuk donte të ishte në një emision me deputetin e larguar nga LSI-së, pasi ky i fundit nuk përfaqësonte zgjedhësit, por kishte hyrë në parlament të merrte një rrogë.
Por gjatë emisionit Gjoni ka sfiduar Saliajin të dilnin bashkë të përballeshin në elektorat.
Ish-deputeti i PD-së ka ironizuar se po të dilte me deputetin e larguar nga LSI-ja në garë, atëherë qytetarët do e spërkasnin me bojë.
Por kjo thënie e Salianjit është interpretuar nga Gjoni si kërcënim dhe akt kriminal. Madje deputeti i listës së LSI-së me ton ka thënë me ton se nuk duhet t’ia përmendte më sulmin me bojë, që disa të rinjë të LSI-së i bënë kur ai pranoi mandatin e deputetit.
“Mos më përmend mua bojën se s’më tremb mua as ti, as soji jot”, tha Gjoni.
“Unë kam turp që dal në të njëjtin ekran me ty, por çfarë të bëj! Ti je budalla! Ti je aty për të marrë një rrogë dhe kaq. Mos ma trash zërin mua se e ke të hollë”, tha Salianji.
Burime të “Panorama” bënë të ditur se pas mbarimit të emisionit, të dy të ftuarit kanë zbritur në hollin e Top Channel, ndërkohë që Ralf Gjoni i është drejtuar Salianjit me tone të larta, ku nuk kanë munguar dhe ofendime personale. Por mësohet se në momentin që Gjoni është afruar pranë ish-deputetit të PD-së, Salianji e ka larguar me një shuplakë.
Për të ndaluar përplasjen e mëtejshme fizike kanë ndërhyrë të punonjësit e televizionit.
Debati në emision
Ervin Salianji: Unë nuk di që të ketë një parti politike, nuk përfaqëson PD. PD ka vendimin e saj të strukturave për të përjashtuar cilindo që ka thyer vendimin e grupit dhe të strukturave të partisë. Padiskutim duhet ta themi që Parlamenti është përfaqësueses dhe nuk besoj se ka votuar njeri për asnjërin prej personave aty individualisht, kanë votuar për partitë politike dhe prandaj ne ndjekim vendimin e partisë. nëse do të ishte një sistem mazhoritar mund të kishte diskutime të tjera. Shumë prej këtyre që janë deputetë sot nuk i njohin besoj as në lagje jo më publiku që të ketë votuar për këta…
Eni Vasili: Po jo, zoti Gjoni nuk është njeri i panjohur
Ervin Salianji: Po ju mund ta njihni, por publiku nuk besoj se ka votuar për zotërinë dhe as për një nga ata që është poshtë, kanë votuar për siglën e partisë. Padiskutim që këtu mund të ketë nevojë për ndryshim sistemi, por këta zotërinjtë që e kanë pranuar këtë sistem dhe kanë hyrë në listat e partive politike, në këtë moment janë të delegjitimiuar të dalin dhe të thonë se ne do të bëjmë një sitëm të ri politik, kur kanë pranuar rregullat e këtij sistemi do luash me këto rregulla.
Sepse nuk mund të jesh, siç dhe duket se nuk trajtohen si përfaqësues as këtu dhe as në Parlament, edhe Rama i tall, që në fillim i mori dh ei vuri në resht duke i votuar pro, dhe tani po i thotë nuk më duhet pro por më duhen gjasme propozim… por ndërkohë as reformë nuk voton dot me këta, asgjë, nuk i duhen as dreqit dmth.
Padiskutim që i marrin disa para buxhetit të shtetit që janë rrogë, shumë mirë për ato, ka shumë hallexhinj në Shqipëri, varfëria është ekstreme, mund të ketë shumë hallexhinj që kanë nevojë për ato para, madje mund t’u them edhe diçka tjetër për krijimin e këtyre grupeve… Ka shumë drejtori kuvendi, kjo është një tjetër drejtori, apo dy drejtori, që shërbejnë si mazhorancë plus, se opozitë jo e jo që nuk kanë përfaqësim.
Se e di çdo të thotë përfaqësimi?!
Pa të dalin njëherë këta dhe të mbledhin njerëz t’i shohim nëpër zona dhe t’i mbledhin njerëz.
Nis debati i ashpër
Ralf Gjoni: Hajde dalim bashkë në Tiranë…
Ervin Salianji: Po kam frikë se më hedhin bojë…
Ralf Gjoni: Lërë mo bojën së s’më tremb dot as ti as soji jot, dhe as soji i atyre të tjerëve se po flet…
Ervin Salianji: Mos e trash zërin se e ke shumë të hollë për ta trashur para meje, më shiko këtu….
Ralf Gjoni: Këtë nuk ta toleroj, po flet për zënie pritë kriminale në prag të shpisë
Ervin Salianji: Mos e trash zërin si fillim, së dyti është turp për mua që jam në të njëjtin ekran me ty, po ça të bëj
Ralf Gjoni: Nuk ta toleroj, atje ku më kalon nusja dhe vajza ime, nuk ta toleroj të më kërcënosh mua me sojin tënd. Mua më zunë pritë në prag të shtëpisë, mos guxo më të ma përmendesh atë moment, as ti dhe as shefat e tu, more vesh? Kaq! Mbylle gojën tani!
Ervin Salianji: Ta kanë bërë shumë pak, më shumë do të të ndodhi
Ralf Gjoni: Tani mbylle gojën dhe më lër mua të flas, të kesh turp që përmend një ngjarje të tillë kriminale që po hetohet , të kesh turp. Se kemi fëmijë, ti s’ke fëmijë dhe nuk ke asnjë lloj përfaqësimi dinjitoz dhe njerëzorë këtu! Më përmend mua familjen… Turp të kesh!
Ervin Salianji: Pa diskutim që qytetarët jo vetëm në atë formë reagimi, por do të ketë reagime edhe më shumë nga qytetarë të cilët nuk kanë përfaqësim nga njerëz si ti, të cilët mund të kërcejnë, se nuk dinë se në ça studio je…
Ralf Gjoni: Alternativa jote është dhuna… Kjo është dhuna, këto po i ofron ti. Nuk ma tregon ti mua përfaqësimin. Ti më tregove mua pritën… bëhet fjalë për një ngjarje në hetim, ku disa persona më kanë zënë pritë në të gjitha daljet e shtëpisë sime, aty ku del nusja dhe vajza ime, dhe atje ku unë kam dalë, nuk bëhet fjalë për bojatisje në parlament, dhe ky fundërrinë politike këtu guxon dhe –përmend një rast kriminal, një agresion fizik ndaj familjes time, në pragun e shtëpisë, dhe ky e përdor si argument politik. Ja kjo është alternativa e këtyre lloj përfaqësuesve, dhe prandaj populli nuk ka për t’u besuar, dhe sa më shumë tipa të tilla të dalë në televizion, aq më shumë këto parti do të tkurren.
Mos guxo më Salianji të më përdorësh rast kriminal këtu si kërcënim, nuk ta toleroj!
Ervin Salianji:: Ralf, trashe zërin për ndonjë gjë tjetër…
Ralf Gjoni: Ta trash ty, kryetarit tënd edhe aleatëve të kryetarit tënd, more vesh?!
Ervin Salianji:: Ki kujdes …
Ralf Gjoni: Kur vjen puna te familja imëm, nuk të toleroj. Të kesh turp.
Ervin Salianji:: Ti je budalla mo…
Ralf Gjoni: Po unë jam budalla, ti je i zgjuari i dheut, vazhdo
Ervin Salianji:: Po ti s’ke turp që del aty, ti je aty për të marrë një rrogë… Ti ke thënë që LSI të lërë mandatin, tani e merr, ca të të them unë tani…
Ralf Gjoni: Po ç’është ky nivel i ulët, është i tmerrshëm…