Nga Urim Tusku
Drejtësia në Shqipëri, kjo nyje gordiane që (s’)duhet prerë
Kur e pyetën Churchillin për korrupsionin e politikanëve, ai dha një përgjigje shumë lakonike: “unë do pyes si është drejtësia” –tha ai. Kjo është në mënyrë të përmbledhur situata rreth perceptimit të drejtësisë në Shqipëri, nëse ka zëra për korrupsion, po drejtësia ç’bën?
Guri i themelit të një shteti të së drejtës është drejtësia, e pavarur dhe profesionale, gjë për të cilën ka vuajtur Shqipëria dhe shqiptari. Për këtë arsye, shumë është trumbetuar reforma në drejtësi, është një nismë e ndërmarrë nga politika, por me një pritshmëri të madhe nga qytetarët. Edhe pse Reforma në Drejtësi është veshur gjithmonë me një tis mosbesimi, sidomos opozita politike, e cila ka akuzuar palën në pushtet uzurpuese të sistemit të drejtësisë, duke emëruar njerëzit e saj në sistem. Kështu ka qenë i ndarë edhe opinioni publik në vend, në lidhje me reformën në drejtësi, sipas përkatësisë politike. Propaganda e palëve ka qenë aq e fortë, sa qytetarëve nuk iu është lënë mundësia ta përceptojnë realitetin objektivisht.
Me ardhjen në pushtet të mazhorancës socialiste në vitin 2013, një vit më pas nisi puna për reformën në drejtësi. Filloi nga puna komisioni për Reformën në drejtësi, i kryesuar nga Fatmir Xhafaj. Në përbërje të tij kishte edhe përfaqësues të opozitës, që herë pas herë nuk binin dakord me shumë çështje për mënyrën se si do të behej reforma. Edhe pse komisioni kishte në përbërje të tij ekspertët më të mirë në vend, sërish dozat e skepticizmit nuk munguan.
Mazhoranca që kishte fituar zgjedhjet, përpiqej t’i përmbahej zotimit për reformën në drejtësi, e nxitur kjo edhe nga ndërkombëtarët, sidomos nga SHBA dhe BE, përkatësisht ambasadorët Donal Lu dhe Romana Vlautin, të cilët patën një rol thelbësor në proces.
Në vitin 2015 politika arriti një konsensus të gjerë për miratimin e ligjit të dekriminalizimit, i cili parashikonte penalizime deri në largim nga funksionet të personave të dënuar me vendim të formës së prerë. Ky ligj pati një ndikim të madh, pasi e shtriu veprimin e tij mbi të zgjedhurit në kuvend apo të zgjedhur lokalë, që u detyruan të dorëhiqeshin nga funksionet e tyre.
Viti 2016 mund të konsiderohet si arritja me e madhe konsesuale ne vend, ku 22 me korrik të atij viti, të 140 deputetët e parlamentit shqiptar votuan pro reformës në drejtësi. Trysnia e faktorit ndërkombëtar bëri që të kishte një unitet të tillë, por ngërçet nuk do të kishin të ndalur.
Pengesat e lindjes së të resë, mbi gërmadhat e së vjetrës
Menjëherë pas miratimit në parlament, të gjithë palët vrapuan të thërrisnin: “Fitore!”. Thirrje të tilla sollën konfuzion tek qytetarët, tek të cilët u ngrit pikëpyetja e madhe, “cili ishte i fituari?”. Sipas përfaqësuesve të trupit diplomatik, iniciues dhe mbështetës të reformës, fitues ishte populli shqiptar. Votimi nga parlamenti ishte një hap i madh, por pengesa të tjera do dilnin përpara, çka e vononte dukshëm procesin. Edhe pse e votuan draftin final, deputetë të caktuar kishin qëndrime kundër për nene të veçanta. Politika votoi për ta lëshuar drejtësinë nga dora e saj. Tregues i qartë i kësaj është minimizimi i rolit të Presidentit të Republikës në sistemin e drejtësisë. Por roli i parlamentit do të vazhdojë të jetë aktiv, duke pasur parasysh se një nënkomision i posaçëm përzgjedh një pjesë të KLGJ-së (Këshillin e Lartë të Gjyqësorit), i cili duhet të marrë 4 nga 5 vota të anëtarëve të komisionit. Në të njëjtën mënyrë, është vepruar edhe me KLP (Këshillin e Lartë të prokurorisë) e cila u zgjodh në 19 dhjetor të vitit 2018.
Procesi i Vettingut është nga më të rëndësishmit në këtë reformë. Ai udhëhiqet nga ONM (Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit). Ky operacion është përfshirë në kushtetutë dhe do ketë një rol rekomandues dhe mbikëqyrës në sistemin e rivlerësimit. Nëpërmjet këtij organi do të kalojnë në sitë të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët. Vëzhguesit emërohen nga radhët e gjyqtarëve, ose të prokurorëve, me jo më pak se 15 vjet eksperiencë pune në sistemin e drejtësisë nga vendi që ata vijnë.
Një rol të rëndësishëm do të ketë edhe KPK (Komisioni i Pavarur i Kualifikimit), i cili do të marrë në shqyrtim procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe të prokurorëve. Procesi i rivlerësimit do të kryhet mbi bazën e tre kritereve: pasuria, kontrolli i figurës dhe vlerësimi i aftësive profesionale. Sesa do t’i shërbejë përmirësimit të drejtësisë ky reformim rrënjësor i saj, ngelet për t’u parë. Procesi po kryhet me një ngadalësi të madhe, saqë në pamje të parë duket sikur nuk do të mbarojë kurrë. Ky argument vlen po të kemi parasysh edhe mungesën e trupës plotësuese, sistemi gjyqësor dhe i prokurorisë në të gjitha shkallët është i përbërë nga një trupë prej 800 vetash, me procesin e vettingut krijohet një vakuum, kjo për mungesë të burimeve njerëzore. Shkolla e Magjistraturës deri më tani nxjerr 15 gjyqtarë dhe 15 prokurorë në vit, kapacitete aspak të mjaftueshme për të plotësuar trupën gjyqësore dhe të prokurorëve. Kohëzgjatja e procesit i rëndon së tepërmi sistemit aktual të drejtësisë, pasi siç dihet, ka shumë dosje të mbartura. Por gjithashtu, iu jepet mundësia njerëzve të kompromentuar të drejtësisë, që të punojnë edhe disa vite derisa t’ju vijë radha për vetting dhe ata me vullnet të lirë mund të largohen nga sistemi, pa mbajtur përgjegjësi për atë që kanë bërë. Procesi i vetingut është parashikuar të zgjasë 9 vjet, pra deri në 2024. Me ritmet që po ecet nuk ka gjasta që të përmbushtet parashikimi. Vëmendje të madhe do të marrë ngritja e SPAK (Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion) e cila do të finalizohet këtë vit. Gjiashtu, pritet të ngrihet edhe BKH (Bryoja Kombëtare e Hetimit), e cila do të atashohet pranë Policisë së Shtetit dhe do të ushtrojë kompetencat e saj në të gjithë Shqipërinë.
Të presim dhe të shpresojmë
Përpos propagandës që bën politika, sidomos ajo që është forcë në qeverisje, opinioni publik ende nuk e ka të qartë se çdo të ndodhë realisht me drejtësinë. I rraskapitur dyerve të gjykatave, me procese që zgjasin edhe një dekadë, qytetari shqiptar e ka të vështirë të besojë tek një drejtësi në kuptimin e plotë të fjalës.
Botëkuptimin e tyre e formojnë mediat, të cilat e kanë pasqyruar hap pas hapi atë që ndodhi dhe pritet të ndodhë me reformën në drejtësi. Por konfuzioni vazhdon të jetë mbi kryet e tyre si shpata e Demokleut. Disa shfaqen shpresëmëdhenj, duke pasur parasysh që është faktori ndërkombëtar ai që po bën drejtësi. Kurse të tjerë, mbrojnë mendimin, sërish të ushqyer nga propaganda politike, se po iu shkelet sovraniteti kombëtar.
E njëjta situatë paraqitet edhe për prokuroritë, sepse edhe aty mund të krijohet një boshllëk i tillë në njerëz (prokurorë). Ka zëra që thonë se, janë përcaktuar selektivisht ata që do të largohen nga sistemi dhe ata që do të rrinë. Nëse kjo është e vërtetë, sistemi do të rrënohej edhe më keq nga ai që kishim deri më tani. Nga një përllogaritje e thjeshtë dhe duke pasur parasysh mënyrën se si do të kryhet procesi, e ke të vështirë të mos jesh skeptik për procesin.
Të gjithë presin shumë nga drejtësia. Presin ata që janë në sistem dhe kanë punuar ndershmërisht, (por që janë njollosur padrejtësisht) për t’iu nënshtruar me dëshirë Vettingu-t, pasi nuk kanë asgjë për të fshehur. Presin qytetarët të vihet drejtësi në vend. Ndërsa opinioni publik pret t’i jepet fund pandëshkueshmërisë dhe mezi pret të shohë përpara drejtësisë mëkatarët e këtij vendi. Presin të huajt, që në Shqipëri të ketë një drejtësi të vërtetë dhe të pavarur. Të gjithë presin! Të gjithë kanë pritshmëri nga drejtësia!