Kreu i opozitës, Lulzim Basha u bëri thirrje shqiptarëve për t’iu bashkuar protestës të shtunën. Ambasadorja e Gjermanisë, Susanne Schütz kërkoi që protesta të jetë paqësore, ҫdo element dhune përbën vijë të kuqe.
Nga Ani Ruci, DW
Opozita dhe mbështetësit e saj zhvillojnë të shtunën (13.04.2019) protestën e tyre të 9-të, në serinë e protestave antiqeveritare, të nisura në mesin e shkurtit të kaluar. Protesta e së shtunës është e para që do të zhvillohet në mbrëmje dhe e treta në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë godinës së Kryeministrisë. Protestat e tjera janë zhvilluar në sheshin para Parlamentit. Por pavarësisht vendit dhe kohës kur protestat e opozitës janë zhvilluar, të gjitha synojnë largimin e kryeministrit Rama, krijimin e një qeverie kalimtare për të organizuar zgjedhje të parakohshme parlamentare. Për opozitën qeveria Rama dhe Parlamenti, të dala nga zgjedhjet parlamentare 2017, janë jo legjitime, pasi opozita pretendon se PS fitoi mandatin e dytë për të qeverisur në Shqipëri deri në vitin 2021 me vota të blera dhe lidhje me krimin. Kryeministri Rama i ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës dhe këmbëngul që nuk negocion mandatin e dhënë nga votuesit për të qeverisur deri në 2021.
Basha – Thirje shqiptarëve për t’iu bashkuar opozitës
Në prag të protestës në mbrëmjen e sotme, lideri PD, Lulzim Basha u ka bërë thirrje, përmes një videoje, gjithë qytetarëve të Shqipërisë që t’i bashkohen protestës së opozitës. Në thirrjen e tij thuhet, se „Shqipëria është në rrezik”, „Korrupsioni ka mbërthyer shtetin”, „Qeveria është bërë një me krimin”. Basha ftoi qytetarët t’i bashkohen opozitës për “Shqipërinë si gjithë Europa”, thirrje e Lëvizjes Studentore, të para 29 viteve, që solli përmbysjen e regjimit të kaluar.
Burime nga PD bëjnë me dije se protesta e sotme pritet të jetë më masivja që ka organizuar deri tani opozita. Dy protestat e mëparshme të opozitës, para Kryeministrisë, në 16 shkurtin dhe 16 marsin e kaluar, janë karakterizuar nga akte dhune prej protestuesve dhe reagimin e policisë me gaz lotsjellës. Burime nga PD kanë pohuar se protesta e sotme do të ketë surpriza, por pa cilësuar se cilat do të jenë ato.
Schütz – Çdo element dhune përbën vijën e kuqe
Ambasadorja gjermane në Tiranë, Susanne Schütz bëri thirrje të premten, (12.04.) në prag të protestës së opozitës, që ajo të jetë ”paqësore, pasi ҫdo element dhune përbën vijë të kuqe”. Thirrjet për shmagien e dhunës kanë karakterizuar qëndrimin e BE, trupit diplomatik dhe organizatave ndërkombëtare të pranishme në Tiranë që kanë vënë në dukje njëzëri të drejtën themelore të protestës në demokraci, por pa ushtruar asnjë akt dhune dhe shkatërrimi.
Për të shmangur aktet e mundshme të dhunës në protestën e së shtunës që është paralajmëruar se do të fillojë në orën 18.00 dhe do të zhvillohet kur të ketë rënë mbrëmja, janë angazhuar rreth 1300 efektivë të policisë së shtetit, të përqëndruar në mbrojtje të godinës së Kryeministrisë, ku në 2 protestat e mëparshme protestuesit kryen akte dhune dhe shkatërrimi.
Opozita mes vazhdimit të protestave dhe riangazhimit në procesin politik
Opozita ka deklaruar se do të vijojë protestat e saj deri sa të bëjë të mundur largimin e kryeministrit Rama, krijimin e qeverisë kalimtare, zgjedhjet parlamentare të parakohshme. Por ky projekt i opozitës nuk ka gjetur mbështetjen dhe mirëkuptimin e faktorit ndërkombëtar. Me një zë të vetëm faktori ndërkombëtar ka dënuar heqjen dorë nga opozita e mandateve të saj parlamentare, pas protestës së 16 shkurtit të kaluar, e ka konsideruar qeverine dhe parlamentin aktual legjitim, ka bërë thirrrje për të gjetur zgjidhje dhe ulur në tryezën e bisedimeve me maxhorancën socialiste. Por opozita e kushtëzon dialogun me largimin e kryeministrit Rama, gjë që për palën tjetër është e papranueshme dhe jo në linjë me rregullat e proceseve demokratike.
Faktori ndërkombëtar i kërkon opozitës të rikthehet dhe të riangazhohet në procesin politik, duke marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Mesazhi më i freskët, drejtuar opozitës për të lënë sheshet dhe rrugët dhe marrë pjesë në procesin politik erdhi më 10 prill edhe nga SHBA, nga Zv.Ndihmës Sekretari i Shtetit, Metthew Palmer, që vizitoi Tiranën dhe i quajti bojkotin e zgjedhjeve dhe djegien e mandateve parlamentare “instrumenta thellësisht në kundërshtim me praktikat demokratike” dhe nxiti opozitën të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit.